
Pas dy ditësh numërimi të votave të anëtarëve të Kongresit, Partia Socialiste ka edhe rreth 50% të fletëve pa numëruar ende. Gjatë të mërkurës dhe të enjtes pritet që të numërohen edhe votat e mbetura përpara se të dalë rezultati përfundimtar për emrat që do të fitojnë të drejtën të jenë anëtarë të Asamblesë së PS-së. Ndërkohë gjatë ditës së djeshme ka reaguar edhe Partia Demokratike, sipas të cilës, rezultati i votimit të Kongresit të PS-së, është falsifikuar. “Sapo u mbushën 72 orë nga përfundimi i votimit të 1500 delegatëve të klonuar të Partisë Socialiste, dhe akoma rezultati nuk bëhet i njohur, pasi po përpunohet në fabrikën e falsifikimit të Edi Ramës. Asnjëherë më pare, në historinë e këtij vendi nuk ka ndodhur që numërimi i votave të 1500 delegatëve të vijojë për 72 orë rresht siç po ndodh në kongresin e Edi Ramës. Kjo dëshmon qartë se ky është një proces falsifikimi dhe manipulimi dhe jo një proces numërimi.”, thuhet në deklaratën e PD-së.











