
Kuvendi miraton me 128 vota ligjin që rrit sigurinë financiare të bankave në Shqipëri. Majko: Kujtoni kohën e piramidave, Bode: Bankat janë të sigurta
Kuvendi miratoi me konsensus, por jo pa debate, ligjin “Për bankat”, i cili rrit sigurinë e sistemit bankar në Shqipëri. Dhe pse diskutimi dhe miratimi për të u bë në një ditë konsensusi politik, gjatë seancës së djeshme ligji nuk kaloi pa debate, ku opozita, edhe pse e mbështeste këtë ligj, kërkonte rritjen më të madhe të garancisë së depozitave të qytetarëve në bankat shqiptare. Për këtë ata i kërkuan ministrit të Financave të flasë hapur nëse bankat shqiptare kanë rrezik nga kreditë e këqija, duke sjellë në vëmendje rastet e firmave piramidale. Ligji në vetvete i ndalon bankat në Shqipëri të transferojnë pasuri apo kapitale te bankat e tyre mëma jashtë vendit kur ato ndodhen në vështirësi financiare, ndërsa i ruan ato nga falimentimi përmes ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë deri në normalizimin e situatës financiare të saj. “Të gjithë e dimë, risku vjen nga jashtë dhe nuk ka përse ne të na dëmtohet pjesë e tregut bankar, vetëm se mund të kenë origjinën e kapitalit nga një vend që ka probleme në një moment të caktuar”, tha ministri i Financave, Ridvan Bode. Deputeti socialist, Arben Ahmetaj, kërkoi kujdes për rritjen e përqindjes së kredive të këqija. “18.3 për qind e kredive të këqija është problem serioz dhe është afër kalimit në moratorium kredish për shumicën e bankave. Cilësia e kolateralit është e pasigurt dhe ligji nuk merret dot me paparashikueshmërinë e riskut”, u shpreh Ahmetaj. Ndërsa deputeti socialist, Majko, kërkoi më shumë mbikëqyrje të pavarur ndaj bankave të nivelit të dytë. “Parlamenti ka nevojë më shumë informacion lidhur me të drejtat që i jepen Bordit të Bankës së Shqipëri për të marrë pronësinë e Bankës, për të vendosur një administrator, pra pak a shumë besoj që zoti Bode e kujton periudhën e piramidave, kur këtë rol që doni t’ia vini Bankës së Shqipërisë ndaj bankave private drejt falimentimit, deri dje e kishte ‘Deloitte & Touche’ me firmat piramidale”, iu drejtua Majko ministrit të Financave, Bode. Në përgjigje të Majkos, por dhe të deputetëve të tjerë socialistë, ministri Bode tha se sistemi bankar në Shqipëri është më i qëndrueshmi në rajon. “Nuk është e mjaftueshme të përmendni kohën e piramidave, zoti ish-kryeministër, për të thënë që sistemi ynë bankar ka probleme. Jo! Lexoni raportin e fundit të Bankës Botërore tri ditë të shkuara, që thotë se sistemi bankar në Shqipëri është më i qëndrueshmi në rajon. Ky sistem ka më pak probleme nga të gjitha bankat e vendeve të tjera të rajonit”, tha Bode dhe u kërkoi socialistëve të mos përhapin panik te shqiptarët. “Unë ju ftoj t’i thoni gjërat troç, jo për të pyetur dhe për të kërkuar nënkuptimet e gjërave. Falë masave që janë marrë nga Banka e Shqipërisë më 1 janar do të fillohet me zero për atë që thuhet kredia e keqe. Ju keni një vit që dilni në TV dhe u thoni njerëzve që bankat po falimentojnë”, u shpreh ministri.
Votimi
Ligji për bankat mori votë konsensuale, ku maxhoranaca dhe opozita dhanë votat për ndryshimet që i bëhen këtij ligji, të kërkuara dhe nga vendet e eurozonës. Ligji për bankat mori 128 vota pro dhe 1 abstenim, ndërsa nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Mimi Kodheli, tha se “le të shpresojmë që ky projektligj forcon dhe me shumë sistemin bankar dhe duket si një rrugë e përshtatshme për të vepruar, ndaj në emër të
Grupit të PS shpreh votën pro këtij projektligji”.
Debati në Kuvend për ligjin “Për bankat”
Arben Ahmetaj: Sot kreditë e këqija janë 13.8% e ndoshta në rritje. Është problem serioz dhe është afër kalimit në moratorium kredish për shumicën e bankave. Cilësia e kolateralit është e pasigurt dhe ligji nuk merret dot me paparashikueshmërinë e riskut.
Pandeli Majko: A është diskutuar ky projektligj me operatorët e huaj bankarë që operojnë në Republikën e Shqipërisë? Lidhur me krijimin e bankës urë, mendoj se u diskutua deri diku në Komisionin e Ligjeve dhe mendoj se Parlamenti ka më shumë nevojë për informacion lidhur me të drejtat që i jepen Bordit të BSH për të marrë pronësinë e bankës, për të vendosur një administrator, pra pak a shumë, zoti Bode, bashkë me zotin Malaj, e kujton kohën e piramidave kur këtë rol që doni t’i vini Bankës së Shqipërisë karshi bankave private drejt falimentimit e luante “Deloitte & Touche” me firmat piramidale.
Erjon Braçe: Pyetje për ministrin: A ka gjatë vitit 2010 banka që kanë operuar me rezultat financiar me humbje dhe cila është ecuria e tyre gjatë këtij viti?
Eduard Shalsi: Në vijim të pyetjes që kolegu im bëri për kreditë e këqija, nëse do të vazhdojë të përkeqësohet me ritme të tilla, a parashikon qeveria shqiptare ndonjë ndërhyrje për të lehtësuar këtë portofol? Pra, nëse do vazhdojë ky trend përkeqësimi i kredive, çfarë masash do marrë qeveria?
Rdvan Bode: Ky ligj rregullon aktivitetin ekonomik në një sektor që ka një sensibilitet shumë të veçantë që lidhet me sigurinë e depozitave të qytetarëve dhe po ashtu me sigurimin e burimeve financiare për mbështetjen e zhvillimit ekonomik të vendit. Sistemi ynë bankar u testua si sistemi më i qëndrueshëm dhe më likuid në rajon. Nuk është e mjaftueshme të përmendni kohën e piramidave, zoti ish-kryeministër, për të thënë që sistemi ynë bankar ka probleme. Jo! Lexoni raportin e fundit të Bankës Botërore tri ditë të shkuara, që thotë se sistemi bankar në Shqipëri është më i qëndrueshmi në rajon. Ky sistem ka më pak probleme nga të gjitha bankat e vendeve të tjera të rajonit.
ADI SHKEMBI











