PD pranon propozimet, PS s’voton ligjin

Sep 20, 2011 | 11:04
Komisioni i Veprimtarive Prodhuese

Partia Socialiste nuk voton në Kuvend një ligj për të cilin kishte bërë disa amendamente dhe që ishin pranuar nga maxhoranca.Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, në rendin e ditës ishte diskutimi mbi disa ndryshime të propozuara nga deputeti i PS-së, Eduard Shalsi, për ligjin “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë”. Kreu i Komisionit, Jemin Gjana, i vlerësoi pozitivisht këto amendamente dhe pasi mori pëlqimin edhe të përfaqësuesve të Ministrisë së Bujqësisë, ato u votuan nga të gjithë deputetët. Ndryshimet ishin të karakterit teknik dhe kërkonin zgjerimin e funksioneve të qeverisjes vendore në këtë proces, përcaktimin e vendeve ku do të asgjësoheshin kafshët e infektuara, saktësimi që therja e bagëtive duhet të bëhet në thertore ose njësi therjesh të miratuara etj. Në fund, pas miratimit të 7 neneve të amenduara, Gjana e hodhi të gjithë ligjin për votim dhe ai mori vetëm votat e maxhorancës. Deputetët e PS-së, Ilir Beqja, Besnik Bare dhe Eduard Shalsi nuk morën pjesë në votim, pasi, siç thanë ata, “jemi në parim kundër këtij ligji dhe mënyrës se si ai po miratohet, pa dëgjuar më parë grupet e interesit”. Nga ana e tij, kreu i Komisionit e kaloi këtë moment vetëm me fjalët “jeni të lirë të votoni si të doni”.
Ligji
Projektligji, i cili do t’i kalojë Kuvendit, ka si qëllim mbrojtjen dhe përmirësimin e shëndetit të kafshëve të tokës dhe të ujit. Në disa prej neneve të tij përcaktohen detyra të qarta për pronarët e kafshëve, veçanërisht maceve dhe qenve, si dhe shumën e gjobës nëse ata nuk i përmbushin këto detyrime. Në nenin 12 të projektligjit saktësohet fakti se të gjithë qentë duhet t’i nënshtrohen procesit të identifikimit. “Pronarët e qenve mbulojnë koston e pasaportës mjekësore veterinare dhe identifikimin e detyrueshëm të qenve (rripin identifikues ose mikroçipin). Pronari i qenit është i detyruar që brenda 14 ditëve të njoftojë shërbimin veterinar për blerjen e një qeni ose të kërkojë çregjistrimin e qenit në rastet e zhdukjes, shitjes, dhurimit ose ngordhjes së kafshës”, thuhet në këtë nen. Në të njëjtën kohë është parashikuar që në rastet kur institucionet përkatëse vendosin që kafsha të theret për shkak të infeksioneve që ka, pronari i saj do të përfitojë një dëmshpërblim që do të përcaktohet me vendim të ministrit të Bujqësisë. Pronarëve të këtyre kafshëve u ndalohet përdorimi i dhunës, shkaktimi i torturave dhe mbarështimi i tyre në errësirë. Në një nen më vete përcaktohet edhe masat e gjobës për të gjithë ata pronarë që nuk njoftojnë mjekun në rast se kafsha është e infektuar. “Pronari ose kujdestari i kafshëve gjobitet me 25 000 deri në 50 000 lekë kur: nuk njofton mjekun veteriner pas shfaqjes së një sëmundjeje; kur nuk kufizon lëvizjen e kafshëve kur ato janë të infektuara; kur nuk ngrenë fermën në përputhje me kërkesat mjekësore; kur bën transportin e kafshës pa një certifikatë mjekësore; kur nuk mban regjistrin e identifikimit dhe të regjistrimit të kafshëve; kur nuk mban kafshën në karantinë”, thuhet në nenin 134. Në të njëjtën kohë, pushteti vendor duhet të mbajë nën kontroll dhe të eliminojë qentë dhe macet e rrugës.

Detyrimet e pronarëve
Sipas nenit 66 të ligjit “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë”, pronarët dhe kujdestarët e kafshëve, si dhe drejtuesit e fermave blegtorale, detyrohen: të kujdesen për kafshët dhe të mos i braktisin ato; t’i sigurojnë kafshës hapësirën e nevojshme të shtrirjes dhe akomodimit e lirinë e lëvizjes; t’i sigurojnë ushqim dhe ujë në sasi të mjaftueshme.

Ligji për shërbimin veterinar
Neni 12

Identifikimi i qenve
1. Të gjithë qentë duhet t’i nënshtrohen procesit të identifikimit.
2. Pronarët e qenve mbulojnë koston e pasaportës mjekësore veterinare dhe identifikimin e detyrueshëm të qenve (rripin identifikues ose mikroçipin).
3. Pronari i qenit është i detyruar që brenda 14 ditëve të njoftojë shërbimin veterinar për blerjen e një qeni ose të kërkojë çregjistrimin e qenit në rastet e zhdukjes, shitjes, dhurimit ose ngordhjes së kafshës.
Neni 49
Dëmshpërblimi
Për kafshët që theren, eliminohen, shkatërrohen dhe groposen, në zbatim të vendimit të marrë nga autoriteti kompetent ose për të cilat vërtetohet se kanë ngordhur, pas zbatimit të masave sipas programit shtetëror të profilaksisë veterinare, pronari kompensohet nga buxheti i ministrisë, në masën e vlerës së dëmit të parashikuar nga aktet nënligjore, në zbatim të tij.
Neni 54
Funksionet e njësive të qeverisjes vendore
Strukturat veterinare në njësitë e qeverisjes vendore duhet:
– të përcaktojnë vendndodhjen dhe të administrojnë tregjet e kafshëve të gjalla;
– të mbajnë nën kontroll dhe të eliminojnë qentë dhe macet e rrugës.
Neni 76
Veprimet që bien ndesh me mirëqenien e kafshëve
Për mbrojtjen e mirëqenies së kafshëve ndalohen të kryen veprimet e mëposhtme:
– shkaktimi i torturave, dhunës fizike dhe verbale, sjelljes çnjerëzore, frikës, dëmtimit, me përjashtim të rasteve të lejuara sipas këtij kreu;
– ndërsimi i kafshëve kundër njëra-tjetrës ose përdorimi i kafshëve për luftime a shfaqje që shkaktojnë dhimbje;
– vënia e kafshëve nën ngarkesa fizike duke mos marrë parasysh aftësitë e tyre anatomike;
– mbarështimi i kafshëve në errësirë të plotë dhe të përhershme, ose të lidhur gjatë gjithë kohës;
Neni 134
Kundërvajtjet administrative
Pronari ose kujdestari i kafshëve gjobitet me 25 000 deri në 50 000 lekë, kur: nuk njofton mjekun veteriner pas shfaqjes së një sëmundjeje; kur nuk kufizon lëvizjen e kafshëve kur ato janë të infektuara; kur nuk ngrenë fermën në përputhje me kërkesat mjekësore; kur bën transportin e kafshës pa një certifikatë mjekësore; kur nuk mban regjistrin e identifikimit dhe të regjistrimit të kafshëve; kur nuk mban kafshën në karantinë.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura