PD në Kolegj: KQZ të shprehet për pavlefshmërinë në Shalë

Sep 1, 2011 | 10:21

Partia Demokratike ka depozituar në Kolegjin Zgjedhor një kërkesë-padi për ta detyruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të shqyrtojë kërkesën ankimore për komunën e Shalës. Një javë më parë KQZ-ja nuk arriti të merrte një vendim për ankimimin e Partisë Demokratike për shkak se mungonte njëri nga anëtarët e djathtë dhe, sipas Kodit Zgjedhor, vendimi për të nisur shqyrtimin e një çështjeje duhet të marrë të paktën katër vota. Në padinë e Partisë Demokratike i kërkohet trupës së gjyqtarëve ta detyrojë KQZ-në të shprehet lidhur me këtë çështje, pasi herën e kaluar ajo nuk u shqyrtua. Seanca është parashikuar të zhvillohet ditën e premte, më 2 gusht, dhe relator do të jetë Petraq Dhimitri. Në mbledhjen e së premtes së kaluar në KQZ ankimimi i Partisë Demokratike mbi votimin në komunën e Shalës nuk arriti të merrej në shqyrtim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Rrëzimi i këtij ankimimi erdhi për arsyen e thjeshtë sepse nuk u arritën katër votat e nevojshme për ta marrë në shqyrtim dhe, në këtë mënyrë, e vetmja mundësi për Partinë Demokratike për të ndjekur ankimimin e saj për procesin në Shalë ishte Kolegji Zgjedhor. Ankimimi mori vetëm 3 vota, ndërkohë që kuorumi duhet të formohej nga 4 votat e anëtarëve të këtij komisioni, kjo pasi mungonin anëtarët Hysen Osmani dhe nënkryetarja Dëshira Subashi. Pas një debati mbi procedurën e kërkesës së PD-së, kërkesa u hodh në votim dhe doli rezultati 3 me 2 për marrjen në proces të saj, por që mungesa e votave rrëzoi automatikisht kërkesën e PD-së. Përfaqësues të Partisë Socialiste në KQZ, në fillim të mbledhjes e kanë kundërshtuar autorizimin e përfaqësuesit të PD-së, Ivi Kaso, i ngarkuar për të ndjekur procedurën ankimore. Duke iu referuar nenit 26 të Kodit Zgjedhor, anëtarët e propozuar nga opozita në KQZ thanë se përfaqësuesi i çdo subjekti nuk ka të drejtë të lërë zëvendës të tij. Nëse Kolegji Zgjedhor do të marrë parasysh kërkesë-padinë e PD-së, çështja do të shkojë sërish në KQZ dhe shpallja e rezultatit përfundimtar pritet të shkojë përtej mesit të muajit shtator.

PS: Berisha kërkon manipulimin e Shalës

PS akuzoi dje qeverinë se “po mban peng” rezultatin e zgjedhjeve në komunën Shalë, në qarkun Shkodër, për të vjedhur mandatin. Në një deklaratë për mediat, deputeti Taulant Balla lëshoi akuza në drejtim të KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor për shkatërrimin e zgjedhjeve. “Pasi urdhëroi përdorimin politik të çdo institucioni shtetëror, pasi keqpërdori ditën e zgjedhjeve Policinë e Shtetit me forca speciale dhe helikopterë, pasi i numëroi vetë votat nga Ristani i tij në Komisionin Qendror të Vjedhjeve, pasi të gjithë shqiptarët panë fitoren e kandidatit tonë edhe në komunën Shalë, Saliu nuk e pranon humbjen dhe po rivë në veprim skemën e vjedhjes në bashkëpunim të mandatit nga Kolegji dhe KQZ”, u shpreh deputeti Balla nga selia rozë.

© Panorama.al

Te lidhura