PD i shton Kushtetueses 10 milionë lekë për 20-vjetorin

Nov 23, 2011 | 9:38

Komisioni i Ligjeve pranon kërkesën. Rusmali: Është ngjarje e rëndësishme. Majko: Qeveria ua bën mirë, t’u shkurtojë edhe pagat

Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve, shumica ka lobuar pranë Ministrisë së Financave që t’i akordojë një shumë prej 10 milionë lekësh kësaj gjykate për t’i përdorur për ceremoninë që do të organizojë vitin e ardhshëm, me rastin e 20-vjetorit të krijimit. Insistimi i kreut të Komisionit të Ligjeve u përshëndet në fund edhe nga deputetët e opozitës, të cilët, gjithsesi, ishin kritikë për detyrën që kryen Gjykata Kushtetuese.
Debati
Fillimisht ishte sekretari i Përgjithshëm i Kushtetueses, Kujtim Osmani, i cili kërkoi rishikimin e buxhetit për të marrë një fond shtesë për ceremoninë e 20-vjetorit. Drejtoresha e Buxhetit, Mimoza Dhëmbi, e refuzoi këtë kërkesë duke thënë se është një kosto e lartë. Më pas ndërhyri edhe kreu i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, i cili i kujtoi Financave faktin se deri tani asnjë nga institucionet e Gjyqësorit nuk kishte marrë fond shtesë nga sa ishte parashikuar në buxhet, duke e vënë theksin te rëndësia e ngjarjes që ka Kushtetuesja në 2012-n. “Ne jemi treguar shumë të kursyer këto dy ditë me përkrahjen e pretendimeve të institucioneve. Siç e vutë re ju, nuk është se pati përkrahje kërkesa e Zyrës së Gjyqësorit për rritje të investimeve. Kërkesa ishte e pambështetur në motive reale. Por, nëse nuk themi se nuk ia japim 20 milionë për shpenzime operative Zyrës së Gjyqësorit sepse nuk bindemi, por themi 10 milionë Gjykatës Kushtetuese sepse ngjarja është shumë e shënuar. Gjykatës Kushtetuese nuk i kërkojmë dot të ndërtojë rrugë, i kërkojmë të japë vendime dhe është e qartë që Gjykata Kushtetuese e ka buxhetin të vogël”, tha Rusmali. Në këtë moment, përfaqësuesja e Financave është tërhequr duke pranuar propozimin e shumicës. “Unë nuk shoh se ka problem për zgjidhje teknike. Nëse ju e mbështesni…”, tha Dhëmbi. Në fund të debatit, deputeti i PS-së, Sajmir Tahiri, e pyeti sekretarin e Përgjithshëm të Kushtetueses nëse fondi prej 2 milionë lekësh për rrjetin hidraulik a është i domosdoshëm. Sipas Osmanit, “është i domosdoshëm pasi krahasuar me investimet që janë bërë në Kuvend, ne na pikojnë…. Është rrjeti i vjetër, i amortizuar. Është një investim i nevojshëm”. Krahasimi me investimet e Kuvendit solli ilaritet në sallë dhe batuta mes deputetëve.
Majko
Deputeti socialist, Pandeli Majko, ka kritikuar qëndrimin që ka mbajtur Gjykata Kushtetuese ndaj qeverisë lidhur me buxhetin e vitit të ardhshëm. Sipas tij, ky institucion nuk ka hedhur asnjë hap ndaj Ministrisë së Financave, e cila i ka rreth 60 milionë dollarë borxh biznesit vendas. “Ju, sekretar i Përgjithshëm, e filluat duke thënë që ne shpresojmë të negociojmë me Ministrinë e Financave. Unë shpresoj që ta negocioni me Ministrinë e Financave dhe më vjen keq për këtë raport edhe me dëshirë negociuese. Nëse do ta vazhdoj ironinë, Ministria e Financave ka bërë shumë mirë që të gjitha institucioneve të pavarura ia ka hequr fondin e shpërblimit, madje, është që është, t’i këpusë edhe një shkurtim page dhe të marrë edhe ca vendime të tjera të paligjshme. Derisa nuk kemi një Gjykatë Kushtetuese që të ngrihet dhe të marrë përsipër disa fakte që kanë të bëjnë me shkeljen e Kushtetutës nga ana e Ministrisë së Financave që rezulton me një borxh të padeklaruar 60 milionë euro me biznesin vendas, të vazhdojë Ministria e Financave se mirë e ka dhe ju nuk vini këtu e të na ankoheni. Ju ka dhënë atë që meritoni”, u shpreh Majko.

Replikat në Komisionin e Ligjeve
Kujtim Osmani, sekretar i Përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese: Ne kërkojmë një fond shtesë prej 10 milionë lekësh për ceremoninë që do të organizojmë vitin tjetër për 20-vjetorin e krijimit të Gjykatës.
Mimoza Dhëmbi (drejtoreshë e Buxhetit në Ministrinë e Financave): Kjo është një kosto e lartë po të marrësh parasysh që buxheti i institucionit është 25 milionë lekë dhe 10 milionë kërkohen vetëm për një ceremoni. Natyrisht që festimet do të bëhen, nuk është se varet nga ne, nëse japim votën apo jo. Megjithatë, shteti ka edhe fondin e tij rezervë për raste si kjo ceremoni.
Pandeli Majko: Ju, sekretar i Përgjithshëm, e filluat duke thënë që ne shpresojmë të negociojmë me Ministrinë e Financave. Unë shpresoj që ta negocioni me Ministrinë e Financave dhe më vjen keq për këtë raport edhe me dëshirë negociuese. Nëse do ta vazhdoj ironinë, Ministria e Financave ka bërë shumë mirë që të gjitha institucioneve të pavarura ia ka hequr fondin e shpërblimit, madje, është që është, t’i këpusë edhe një shkurtim page dhe të marrë edhe ca vendime të tjera të paligjshme. Derisa nuk kemi një Gjykatë Kushtetuese që të ngrihet dhe të marrë përsipër disa fakte që kanë të bëjnë me shkeljen e Kushtetutës nga ana e Ministrisë së Financave, që rezulton me një borxh të padeklaruar 60 milionë euro me biznesin vendas, të vazhdojë Ministria e Financave se mirë e ka, dhe ju nuk vini këtu e të na ankoheni. Ju ka dhënë atë që meritoni.
Ilir Rusmali: Në qoftë se ne konsiderojmë se kremtimi i 20-vjetorit të Gjykatës është një ngjarje e shënuar për Gjykatën dhe ne mbështesim alokimin e fondeve për këtë ngjarje, sepse nuk është vetëm për Gjykatën, është më e madhe se kaq, do të gjenim përkrahje nga Ekzekutivi?
Mimoza Dhëmbi: Ndoshta duhet të vlerësojmë edhe preventivin e shpenzimeve. Donim të shikonim edhe hollësitë. Duhet një vlerësim.
Ilir Rusmali: Ne jemi treguar shumë të kursyer këto dy ditë me përkrahjen e pretendimeve të institucioneve. Siç e vutë re ju, nuk është se pati përkrahje kërkesa e Zyrës së Gjyqësorit për rritje të investimeve. Kërkesa ishte e pambështetur në motive reale. Por, nëse nuk themi se nuk ia japim 20 milionë për shpenzime operative Zyrës së Gjyqësorit sepse nuk bindemi, por themi 10 milionë Gjykatës Kushtetuese sepse ngjarja është shumë e shënuar. Gjykatës Kushtetuese nuk i kërkojmë dot të ndërtojë rrugë, i kërkojmë të japë vendime dhe është e qartë që Gjykata Kushtetuese e ka buxhetin e vogël.
Mimoza Dhëmbi: Unë nuk shoh se ka problem për zgjidhje teknike. Nëse ju e mbështesni…
Bashkim Fino: Më vjen keq që dëgjova përfaqësuesit e Ministrisë së Financave që thanë që 10 milionë është mbi 50 për qind e shpenzimeve që ka ky institucion. Pas ndërhyrjes suaj shumë interesante, që unë e mbështes që të ndihmohet Kushtetuesja, pas kësaj ndërhyrjeje, Financat thanë që “po të doni ju e lëmë”, dhe pak më parë tha se s’ka asnjë mundësi, mua nuk më duket normale.
Sajmir Tahiri: Kushtetuesja kërkon 2 milionë lekë për rrjetin hidraulik. Është investim i domosdoshëm në vlerësimin tuaj?
Kujtim Osmani: Është i domosdoshëm pasi krahasuar me investimet që janë bërë në Kuvend, ne na pikojnë…. është rrjeti i vjetër, i amortizuar. Është një investim i nevojshëm.
Fatos Hoxha: Po pse e krahason me Kuvendin?
Sajmir Tahiri: O Fatos, pse bën kështu o burrë, dy milionë lekë një drekë i ke.
Fatos Hoxha: Unë thashë vetëm mos e krahaso me Kuvendin.
Kujtim Osmani: Të gjithë anëtarët e Komisionit jeni të ftuar 8 muaj përpara për të marrë pjesë në 20-vjetorin e krijimit të Gjykatës Kushtetuese. E bëjmë ftesën sot sepse punohet me axhendë dhe mund ta keni të zënë në atë periudhë.
ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura