“Pavarësia”, festime të përbashkëta me Kosovën

Jan 27, 2012 | 18:13
Gjate konferences se perbashket

Koordinimi mes dy shteteve, Kosovës dhe Shqipërisë, për shënimin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë si dhe bashkëpunimi i rregullt mes dy ministrive, kanë qenë temë diskutimi në takimin që ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, ka zhvilluar në Prishtinë me homologun nga Shqipëria, Aldo Bumçi.

Siç raporton Zëri, Krasniqi, gjatë një konference për shtyp, tha se është synim i të dy shteteve që të ketë një bashkëpunim sa më të mirë, në mënyrë që shënimi i 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë të bëhet në mënyrë sa më dinjitoze dhe i shtrirë në gjithë hapësirat ku ka shqiptarë.

“Kosova padyshim që do të ketë kontributin dhe rolin e vet në shënimin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Ne u pajtuam që gjatë gjithë këtij viti të kemi një koordinim të angazhimeve duke ndihmuar edhe bashkëpunimin institucional mes institucioneve tona vartëse të kulturës, por gjithsesi duke mëtuar që kjo festë të mos jetë një festë që do të ndahet në dy kryeqendra, por një festë gjithëkombëtare që do të shtrihet në qytete tjera të Shqipërisë, Kosovës dhe qytete tjera në viset e banuara me shqiptarë”, tha ministri Krasniqi.

Nga ana e tij, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Shqipërisë, Aldo Bumçi, tha se fakti se një shënim i 100-vjetorit do të bëhet bashkërisht tregon edhe simbolika që logoja e 100 vjetorit është dizajnuar nga një artist nga Kosova.

Ai shprehu falënderime për ministrin Krasniqi për gatishmërinë e plotë që aktivitetet të jenë të organizuara në mënyrën më të mirë.

“Ky është një vit i rëndësishëm, ku ne duhet të kujtojmë ngjarje dhe personalitete. Kosova ka shkruar vitet më të lavdishme në historinë tonë kombëtare. Kontributi që kanë dhënë shqiptarët e Kosovës i ka hapur rrugë pavarësisë së Shqipërisë. Prishtina krahas Tiranës, Vlorës do të jetë një nga qytetet kryesore ku do të mbahen këto manifestime kryesore”, tha ai.

© Panorama.al

Te lidhura