“Pavarësia e gjyqësorit s’duhet të kthehet në vetëizolim institucional apo mungesë llogaridhënieje” – Presidenti Begaj: Vetëm duke dhënë drejtësi, bëjmë progres drejt BE

Jan 26, 2026 | 10:46

Presidenti Bajram Begaj u shpreh se hapja e vitit të ri gjyqësor përkon me 10 vjetorin e reformës në drejtësi, që e cilësoi si të domosdoshme për shkak të krizës që kishte “kapluar” sistemin e drejtësisë. Sipas tij, 10 vite më pas, rezultatet janë të dukshme, duke shtuar se epoka e pandëshkueshmërisë ka marrë fund.

Në ceremoninë e hapjes së vitit gjyqësor, Presidenti tha se ky vit i ri gjyqësor duhet të shënojë kalimin nga faza e reformës në drejtësi në fazën e drejtësisë funksionale dhe të qëndrueshme. Në këtë aspekt, theksoi Begaj, roli i Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese është me rëndësi specifik.

“Ky vit gjyqësor duhet të shënojë kalimin nga faza e reformës në drejtësi në fazën e drejtësisë funksionale e të qëndrueshme. Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë kanë rol thelbësor për të krijuar norma, praktika unifikuese dhe garantim të sigurisë juridike. Strukturat e qeverisjes së sistemit: Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe Shkolla e Magjistraturës mbeten thelbësore në funksionalitetin e sistemit të drejtësisë për vetëmenaxhim, transparencë dhe llogaridhënie. Çështjet administrative, procedurale dhe buxhetore të sistemit të drejtësisë nuk mund të adresohen nga një institucion i vetëm. Ato kërkojnë bashkërendim dhe bashkëpunim ndërinstitucional,   veprime të domosdoshme dhe thelbësore për suksesin e reformës në drejtësi.”, tha Begaj.

Presidenti tha se pavarësia e gjyqësorit është tashmë në duart e magjistratëve, por duhet të jenë këta që duhet ta ruajnë atë edhe me përgjegjësinë që tregojnë. Begaj u shpreh se ndonëse drejtësisë i duhen ende kushte optimale, “mungesa e tyre nuk duhet të na bëjnë të harrojmë se para së gjithash drejtësia është ideal”. P

“Boshti themelor i reformës në drejtësi ishte pavarësia e gjyqësorit.  Sot, gjyqësori është juaji. Sistemi i drejtësisë ka fituar autonomi të plotë. Kjo pavarësi është një arritje madhore, por pavarësia shkon domosdoshmërisht krah për krah me përgjegjësinë. Edhe funksionimi, integriteti dhe besueshmëria e sistemit të drejtësisë janë, në radhë të parë, përgjegjësia juaj.  Pavarësia e sistemit të drejtësisë është gur themeli i patjetërsueshëm i rendit tonë kushtetues dhe funksionimit të shtetit të së drejtës. Pavarësia e gjyqësorit nuk duhet kuptuar vetëm si ndarje formale nga pushteti politik. Ajo është aftësi reale e sistemit të drejtësisë për të ushtruar funksionet pa presione apo ndërhyrje, duke garantuar një drejtësi efektive, të paanshme dhe në përputhje me standardet evropiane. Por kjo pavarësi nuk duhet të kthehet në një vetëizolim institucional apo mungesë llogaridhënie.”, shtoi presidenti.

Begaj vuri theksin tek rëndësia e eficencës institucionale dhe rreziku që paraqesin zvarritjet procedurale dhe vonesat në shqyrtimin e dosjeve. Ai rikujtoi parimin “drejtësi e vonuar, është drejtësi e mohuar”, ndërsa shtoi se vonesat në zbardhjen e vendimeve ndikojnë negativisht në perceptimin e qytetarëve.

“Zvarritjet procedurale, qartësia e vendimeve, koha e gjatë që merr shqyrtimi i dosjeve dhe zbardhja me vonesë e vendimeve perceptojnë te qytetarët impaktin negativ për sistemin e drejtësisë, për jetën, të drejtat, pronën dhe mjedisin e tyre. Forcimi i standardeve, unifikimi i praktikës gjyqësore, eficienca institucionale dhe cilësia e vendimmarrjes janë parakushte për rikthimin dhe konsolidimin e besimit publik. Në institucionet e së drejtës nuk ka vend për tranzicion. E drejta nuk negociohet. Dhënia e drejtësisë është sa përgjegjësi dhe profesionalizëm, aq edhe akt i lartë shtetarie.

Vetëm duke dhënë drejtësi, duke fituar besim te qytetarët, duke garantuar shtetin e së drejtës, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe forcuar institucionet do të kemi progres të qëndrueshëm edhe në rrugën tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.   Kjo është zgjidhja e vetme që kemi dhe sfida më e rëndësishme për institucionet që ndodhen sot në këtë sallë, si dhe të gjithë ata që flasin, veprojnë dhe vendosin në emër të Kushtetutës dhe ligjit.  “, shtoi Begaj.

© Panorama.al

Te lidhura