Patozi: Ramës i dhemb më shumë humbja e vet, se ajo e partisë

Sep 6, 2011 | 10:19

Kryetari i Grupit Parlamentar demokrat, Astrit Patozi, tha dje se qëndrimi i opozitës për zgjedhjet e 8 majit ishte i njëjtë me atë të dy viteve më parë, por me ndryshimin se këto zgjedhje i ka humbur Rama, ndërsa ato të 28 qershorit Partia Socialiste. “Dëgjuam një fjalim gati identik me atë të një viti e gjysmë më parë, të njëjtat teza të Edi Ramës për humbjen në zgjedhjet e vitit 2009. Megjithatë, një ndryshim të vogël e kishte. Sepse, sipas tyre, këto na qenkan zgjedhje shumë më të këqija se ato pararendëset. Po të futesh në logjikën e këndvështrimit të Edi Ramës, kjo e ka një shpjegim. Sepse atëherë humbi vetëm Partia Socialiste, kurse tani ka humbur edhe vetë Edi Rama, dhe se humbja e vet i dhemb më shumë se e partisë”, tha Patozi. Sipas tij, “ndërkohë që thuhet se këto janë zgjedhjet më të këqija, Edi Rama ka vendosur të bëjë kontrastivin në Parlament, ndërsa që dy vjet më parë (me zgjedhje më të mira) nuk denjonte të shkelte fare këtu me gjithë Grupin e tij. Ky është shembulli tipik i degradimit të opozitës, kur ajo zhvlerëson vetë jo vetëm aksionet e veta politike, por edhe vetë fjalën e saj”. Kreu i deputetëve demokratë bëri thirrje për ngritjen sa më shpejt të Komisionit të Reformës Zgjedhore, votimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar si dhe heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë.

Opozita në komisionet parlamentare
Rikthimi i Partisë Socialiste në Parlament u duk fillimisht gjatë ditës së djeshme, në mbledhjen e Komisionit të Veprimtarive Prodhuese. Në rendin e ditës në këtë komision ishte diskutimi i projektligjit “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë” dhe të pranishëm nga opozita ishin Besnik Bare dhe Hazir Gashi. Pjesa tjetër ishin nga maxhoranca, por edhe pse në total bëheshin 9 deputetë, nga 11 që kërkonte kuorumi për nisjen e mbledhjes, kryetari i Komisionit, Jemin Gjana, e hapi atë. Edhe gjatë ditës së sotme do të jetë vetëm Komisioni i Veprimtarive Prodhuese ai që do të punojë, ndërkohë që Komisioni i Ligjeve, ku janë regjistruar edhe debatet më të forta mes maxhorancës dhe opozitës, do të nisë punën javën e ardhshme për shkak të një vizite jashtë vendit të Ilir Rusmalit.

© Panorama.al

Te lidhura