Partia Demokratike i propozon PS-së të ftojnë bashkërisht misionin e OSBE/ODIHR dhe Komisionin e Venecias, të asistojë nga afër komisionin për reformën zgjedhore.Mesditën e djeshme, kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, i ka dërguar një letër homologut të tij në PS, Gramoz Ruçi, për të nisur bashkërisht reformën elektorale rreth një vit e gjysmë përpara zgjedhjeve të përgjithshme. Në letër demokratët theksojnë se presin nga opozita një bashkëpunim luajal lidhur me këtë çështje. “Do të ishte në interesin e të dyja palëve dhe të vetë procesit që ne t’u drejtoheshim me një ftesë të përbashkët OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias, që ata të shqyrtonin mundësinë për të asistuar komisionin parlamentar të reformës zgjedhore në të gjitha etapat e tij. Duke besuar në mirëkuptimin tuaj, mbetem me shpresë se do të ketë një bashkëpunim të shpejtë dhe luajal mes forcave tona politike për këtë çështje”, thekson në letrën e tij kreu i Grupit të PD-së, Astrit Patozi. Në të njëjtën kohë ai shprehet se pas daljes së raportit të misionit të OSBE/ODIHR-it, kjo është periudha më e mirë për të nisur punën për reformën elektorale. Partia Demokratike vlerëson faktin se opozita ka përcaktuar emrat e deputetëve që do t’i drejtojnë këto bisedime dhe të njëjtën gjë ka bërë edhe ajo. “Rreth një muaj pas daljes së raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 8 majit në Shqipëri, gjykojmë se është koha më e përshtatshme që të nisim bashkërisht përpjekjet për një reformë zgjedhore cilësore, që të përgatisë si dhe kur duhet zgjedhjet politike të vitit 2013. Në këtë kontekst, e kemi përcjellë me vlerësim faktin që ju keni caktuar deputetët Damian Gjiknuri dhe Vasilika Hysi si negociatorë për të nisur kontaktet në funksion të këtij qëllimi”, shprehet më tej Patozi në letrën drejtuar Gramoz Ruçit. Nga ana e tyre, demokratët kanë përcaktuar Oerd Bylykbashin dhe Viktor Gumin si negociatorë për reformën elektorale. Një letër të ngjashme për nisjen e punës për reformën zgjedhore, kreu i deputetëve demokratë ia dërgoi homologut të tij më 16 korrik, por nuk mori një përgjigje. Në atë letër, duke iu referuar raportit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e vitit 2009, Patozi theksonte se megjithëse Kodi është konsensual dhe se garanton zgjedhje me standarde demokratike, janë një sërë rekomandimesh që duhet të votohen bashkërisht. “Në atë kohë, me propozim të të dyja palëve dhe në prani dhe asistencë të Prezencës së OSBE-së, u përgatit teksti i një marrëveshjeje shumë serioze për zbatimin e këtij rekomandimi, i cili pret shqyrtimin dhe miratimin përfundimtar prej nesh. Disa rekomandime të raportit të OSBE/ODHIR-it për zgjedhjet e vitit 2009 dhe ndoshta edhe rekomandime të reja të raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 8 majit 2011, presin bashkëpunimin tonë për të arritur standarde më të larta në proceset e ardhshme zgjedhore”, thuhet në letrën e Patozit.
Letra e Patozit
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KUVENDI
Grupi Parlamentar i Partisë DemokratikeTiranë, më 16 shtator 2011
KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PARTISË SOCIALISTE
ZOTIT GRAMOZ RUÇII nderuar zoti Ruçi,
Rreth një muaj pas daljes së raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 8 majit në Shqipëri, gjykojmë se është koha më e përshtatshme që të nisim bashkërisht përpjekjet për një reformë zgjedhore cilësore, që të përgatisë si dhe kur duhet zgjedhjet politike të vitit 2013. Në këtë kontekst, e kemi përcjellë me vlerësim faktin që ju keni caktuar deputetët Damian Gjiknuri dhe Vasilika Hysi, si negociatorë për të nisur kontaktet, në funksion të këtij qëllimi.
Dëshiroj t’ju informoj se pala jonë ka caktuar zotërinjtë Oerd Bylykbashi dhe Viktor Gumi, si personat e ngarkuar për të eksploruar dhe shqyrtuar modalitetet e ngritjes së komisionit të reformës zgjedhore. Ne jemi të gatshëm që të nisim pa humbur kohë kontaktet, në mënyrë që ky proces i rëndësishëm të marrë udhë sa më shpejt. Por ndërkohë, do të ishte në interesin e të dyja palëve dhe të vetë procesit që ne t’u drejtoheshim me një ftesë të përbashkët OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias, që ata të shqyrtonin mundësinë për të asistuar komisionin parlamentar të reformës zgjedhore në të gjitha etapat e tij. Duke besuar në mirëkuptimin tuaj, mbetem me shpresë se do të ketë një bashkëpunim të shpejtë dhe luajal mes forcave tona politike për këtë çështje.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











