Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur ditën e sotme në Roskovec të Fierit, ku 80-vjeçari Shefit Rrapaj vrau me armë gjahu bashkëshorten e tij 75-vjeçare Dashuri Rrapaj dhe më pas i dha fund jetës, kanë folur për mediat fqinjët e çiftit.
Banorët e lagjes shprehen të shokuar për atë që ka ndodhur, ndërsa theksojnë se çifti njihej si i qetë dhe i respektuar, pa konflikte të hapura me komunitetin.
Një prej fqinjëve, deklaroi për mediat se të moshuarit që mbetën viktima ishin të respektuar në zonë dhe nuk kishin pasur probleme me njerëz të tjerë aty.
Ai shtoi se mes tyre ka pasur një grindje para disa ditësh, por që nuk e dinte arsyen, ndërsa për djalin e vogël të familjes tha: “kam dëgjuar se ka lozur lloto por nuk e di”.
“Nuk e di se si ndodhi. Shefiti nuk përdorte alkool kurrë. Mbase ardhja e djalit të vogël nga Greqia u bë shkak. Ishte djalë i urtë, se si i kanë pasur problemet se di. Nuk isha në shtëpi, se dija që kishte armë.
Janë të ardhur në lagjen tonë, kanë 20 vite këtu. Janë njerëz shumë të mirë, zonja shumë e mirë, e kisha si motrën time. Merreshin me pulat, jetonin të dy. Nuk e di shkakun. Kanë pasur një grindje para katër ditësh, por nuk e di pse. Nuk di gjë për djalin, kam dëgjuar se ka lozur lloto por nuk e di”, u shpreh ai.
Ndërkohë, një tjetër banor i zonës tregon se çifti nuk kishte probleme me fqinjët, por që ka dëgjuar se mund të kenë pasur mosmarrëveshje brenda familjes.
“Me fshatin mirë kanë qenë se çfarë kanë pasur brenda për brenda nuk e di. Ai ka qenë kovaç, merreshin me bahçen. Nuk kishin ndonjë problem me ne. Me kunatin nuk flisnin, ziheshin. Nuk e di për grindje. Si çift nuk janë ndjerë, as me fëmijët nuk e di . ata janë të larguar, nuk vinin shpesh. Jemi të tronditur, një ngjarje makabre në familje. Lajmin e mora vesh në telefon, më mori motra nga Tirana”, tha ai.
Sipas informacioneve paraprake, Shefit Rrapaj dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri tip pushkë bashkëshorten e tij, Dashuri Rrapaj, rreth 75 vjeçe, brenda banesës së tyre. Më pas, ai dyshohet se ka vrarë edhe veten.
Çifti Rrapaj kishte rreth 20 vite që jetonte në këtë zonë, pasi ishin zhvendosur nga Levani i Beratit. Ata ishin prindër të 9 fëmijëve, 3 vajza dhe 6 djem, shumica e të cilëve jetojnë në emigracion.
Vetëm njëri prej djemve banonte me ta dhe është shoqëruar në komisariat për të dhënë dëshminë e tij lidhur me ngjarjen. Burime nga zona bëjnë me dije se në familje kanë ekzistuar konflikte të vazhdueshme ndër vite. Madje, vetëm katër ditë më parë, në banesën e tyre kishte ndërhyrë edhe policia për të sqaruar mosmarrëveshjet mes çiftit.
Gjithashtu, mësohet se rreth 10 vite më parë, i moshuari kishte tentuar t’i jepte fund jetës me armë zjarri.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin e këtij rasti të rëndë.
© Panorama.al











