Vilave në bregdet apo në zona të tjera turistike të vendit u shtohen katet, ndërkohë sistemi i Drejtësisë ka dështuar të zbulojë pasuritë e fshehura të politikanëve, zyrtarëve e pushtetarëve.
Të paktën për Tiranën, viti 2011 përbën rast unik për shkak se nga Prokuroria dhe Policia nuk dihet të ketë nisur ndonjë hetim për fshehje apo mosdeklarim pasurie nga ana e zyrtarëve shtetërorë. Ndonëse nën këtë detyrim janë të gjithë zyrtarët, që nga kryetari i komunës më të thellë e deri te Kryeministri e Presidenti, në vitin 2011 nuk ka asnjë rast të vënë nën hetim nga Prokuroria. Sipas të dhënave nga Gjykata e Tiranës, nga data 1 janar 2011 deri ditën e djeshme, më 28 nëntor 2011, në këtë institucion janë shqyrtuar katër dosje penale të dërguara nga Prokuroria, që kanë të bëjnë me fshehjen apo mosdeklarimin e pasurisë. Katër nga këto dosje, siç duket nga të dhënat zyrtare, kanë qenë hetime të viteve të shkuara të nisura që nga 2007-2008, në rastin e Adem Rrengës dhe më pas me zyrtarët dhe ish-zyrtarët tjerë, Qazim Tepshi, Zana Strati dhe Arben Aliu. Për tri nga këto çështje gjykata ka dhënë vendime, ndërsa dosja penale ndaj Qazim Tepshit është në shqyrtim. Siç rezulton nga të dhënat zyrtare të Gjykatës së Tiranës, Prokuroria e kryeqytetit gjatë kësaj periudhe nuk ka dërguar në bankën e të akuzuarve asnjë zyrtar të shtetit në lidhje me fshehje apo mosdeklarim të pasurisë. Po kështu, nga burime zyrtare mësohet se gjatë këtij viti Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë ka bërë disa kallëzime penale në Prokurorinë e Tiranës dhe në rrethe. Ndërkohë, për paditë e bëra në Prokurorinë e Tiranës, mësohet se në dy raste Prokuroria ka refuzuar të hapë dosjet. Pas verifikimeve, organi i akuzës ka vendosur mosfillimin e hetimeve duke njoftuar më pas edhe palën paditëse, ILDKPnë. Inspektorati, sapo ka marrë njoftim, ka animuar në Gjykatën e Tiranës vendimmarrjen e Prokurorisë duke kërkuar që togat e zeza të urdhërojnë hetimin e dosjeve të mbyllura për refuzim deklarimi ose fshehje të pasurisë nga ana e personave që ushtrojnë funksione publike. “PËRPLASJA” Furnizuesi kryesor i Prokurorisë dhe Policisë me informacion dhe me çështje penale për refuzim deklarimi apo fshehje të pasurisë, është Inspektorati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurisë. Tryezat e përbashkëta të këtij institucioni me Prokurorinë nuk kanë munguar, organi i akuzës dhe ILDKP kanë nënshkruar dhe një memorandum bashkëpunimi mes tyre në kuadër të Task-Forcës Antikorrupsion, mirëpo puna konkrete duket se ka çaluar. Të paktën sipas ILDKP-së. Në një raport zyrtar, në korrik të 2011, Inspektorati i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë theksonte se gjatë vitit 2010 ka paraqitur në Prokurori 18 kallëzime penale për zyrtarë të të gjitha niveleve, mirëpo dosjet në fjalë janë mbyllur e nuk janë hetuar. “Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë për vitin 2010, në Prokurorinë e Përgjithshme janë paraqitur gjithsej 18 kallëzime penale nga ILDKP. Nga këto kallëzime, gjashtë kanë qenë për kryetarë komunash, dy për doganierë, tre për ish-doganierë, një ishdeputet, një ish-zëvendësministër, dy punonjës nga Drejtoria e Tatimeve, një punonjës nga Ministria e Transporteve, një regjistrues i Pasurive të Paluajtshme, një ish-përmbarues”, thuhej në raportin e ILDKP-së. Prokuroria ndërkohë pranoi edhe vetë se për pesë raste i mbylli hetimet menjëherë për shkak se nuk ishin konsumuar masat administrative më parë nga vetë ILDKP (i cili duhej të kishte gjobitur zyrtarët e mandej t’i denonconte në prokurori). Prokuroria deklaroi se gjatë vitit 2010 ka regjistruar 13 procedime penale, nga të cilat tre janë pushuar, një është në hetim dhe nëntë janë paraqitur në gjykim. Përtej përplasjes mes institucioneve, juristët thonë se mungesa e hetimeve nga ana e prokurorisë flet ose për mangësi në kallëzimet e ILDKP- së ose për mungesën e vullnetit të organit të akuzës për t’i hetuar rastet.
Hetimi i pasurisë së zyrtarëve
Parandalimi i konfliktit të interesit, hetimi i pasurive të paligjshme dhe zbulimi i anomalive në të dhënat financiare të zyrtarëve janë pikat thelbësore në luftën kundër korrupsionit. BE dhe SHBA i kanë përqendruar apelet dhe ndihmën e tyre ndaj sistemit gjyqësor dhe Drejtësisë në Shqipëri pikërisht në mbështetjen dhe fuqizimin e kapaciteteve hetuese në këtë drejtim. Ndonëse gjatë viteve 2008-2009-2010 ishte krijuar një traditë hetimesh në këtë fushë, edhe pse me zyrtarë në nivele të ulëta, kjo traditë duket se ka humbur fare në vitin 2011.
TRAZHGIM SOKOLAJ
© Panorama.al











