Pasuria, Oni Pustina fiton gjyqin me Anbeta Toromanin

Jan 8, 2012 | 11:38

Oni dhe Anbeta

Gjykata e Tiranës i ka dhënë fund zënkave mes balerinës Anbeta Toromani dhe modelit Fatjon Pustina për ndarjen e pasurisë së krijuar gjatë bashkëjetesës 6-vjeçare mes tyre.

Procesi gjyqësor ka përfunduar në favor të modelit Pustina. Një vendim gjyqësor i shpallur pak para mbylljes së vitit 2011 rrëzoi pretendimet e balerinës Toromani për të shpallur të pavlefshëm kalimin e disa kuotave kapital të saj në një shoqëri në emrin e modelit Pustina. Bëhet fjalë për dy kuota kapitali të shoqërisë “EU 2008” sh.p.k. nga paditësja Anbeta Toromani te Fatjon Pustina, kuota me vlerë 11 507 813 lekë. Gjatë shqyrtimit gjyqësor, gjykata i vlerësoi si të pambështetura në ligj pretendimet e paditëses Anbeta Toromani. Në padinë e saj depozituar në gjykatë më 4 maj 2010 dhe gjatë gjykimit, Toromani, e njohur për famën e saj në programin “Amichi” në Itali, pretendoi se nëpërmjet veprimeve mashtruese i padituri Oni Pustina ka arritur të kalojë kuotat e saj në emrin e tij. Toromani pretendonte se kalimi i kuotave ishte bërë nga motra e saj, në një kohë që balerina ndodhej jashtë Shqipërisë. Sipas gjykatës, ndarja e pasurisë kishte krijuar edhe “situata jo paqësore e madje edhe konfliktuale mes tyre dhe familjarëve të tyre”.

HISTORIA

Pas 16 seancash gjyqësore, gjykata ka vlerësuar të sakta dhe ligjore pretendimet e paditësit, që në këtë gjykim ishte modeli Fatjon Pustina. Sipas vendimit, kalimi i kuotave të kapitalit ishte bërë nga motra e balerinës, në zbatim të porosisë së saj. Kjo, pasi motra e Anbeta Torromanit, nëpërmjet një prokure të posaçme, të nënshkruar nga balerina, e përfaqësonte atë në veprimet për shitblerjet e kuotave të shoqërisë. “Palët në gjykim, Anbeta Toromani dhe Fatjon Pustina, kanë qenë të lidhur në bashkëjetesë për një periudhë rreth gjashtëvjeçare, ku gjatë kësaj kohe palët kanë realizuar edhe të ardhura të përbashkëta. Edhe kuotat që zotëronte Anbeta Toromani formalisht kanë qenë në emër të saj, pasi ato në fakt kanë qenë pasuri e përbashkët e të dy atyre. Në përfundim të bashkëjetesës, paditësja dhe i padituri kanë rregulluar edhe të ardhurat e përbashkëta, duke përcaktuar të drejta dhe detyrime të ndërsjella në lidhje me to. Pikërisht në kuadër të këtij rregullimi të të ardhurave nga bashkëjetesa, është edhe kalimi në pronësi të të paditurit i dy kuotave të kapitalit të shoqërisë ‘EU 2008’ sh.p.k. nga ana e paditëses Anbeta Toromani. Në cilësinë e përfaqësueses së saj, paditësja e ka ngarkuar edhe në veprime të tjera motrën e saj Bujana, siç ka vepruar edhe në rastin objekt gjykimi”, thuhej në vendimin e gjykatës. Më tej, në vendim arsyetohej se: “E ngarkuara me përfaqësim, Bujana Toromani, motra e paditëses, ka realizuar mandej pikë për pikë, me anë të këtij akti, porosinë e porositëses Anbeta Toromani, nëpërmjet pjesëmarrjes në mbledhjen e asamblesë së aksionerëve të shoqërisë, si dhe përpara noterit J.Zhelegu për kalimin e kuotave të kapitalit nga motra e saj Anbeta tek i padituri Fatjon Pustina”. Burime zyrtare të Gjykatës së Tiranës bënë të ditur se vendimi i gjykatës, që rrezoi padinë e Toromanit, është apeluar prej saj në Gjykatën e Apelit.

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura