TIRANE – Një sasi prej 30 kilogramë bimë narkotike, kanabis sativa, e mbërritur nga Lazarati, u bllokua në orët e vona të së shtunës në Tiranë. Katër persona u arrestuan gjatë aksionit me akuzën e “trafikut të lëndëve narkotike”. Policia tha se bima narkotike ishte blerë në Lazarat nga katër të arrestuarit, që banonin në Paskuqan të Tiranës, me qëllimin për t’u tregtuar në kryeqytet, por edhe për t’u trafikuar jashtë Shqipërisë. Në pranga kanë përfunduar katër të rinj, mes të cilëve edhe një ish-punonjës policie, i Drejtorisë së Tiranës. Sipas Policisë, të arrestuarit janë ish-polici, Edmond Faja, 28 vjeç, Lavdrim Jata, 24 vjeç, Eduart Karaj, 23 vjeç dhe Gojart Loçi, 30 vjeç, të katërt, lindur dhe banues në Paskuqan të kryeqytetit. Prej disa muajsh Policia ishte vënë në ndjekje të të rinjve, duke përdorur metodat speciale të hetimit, derisa mbrëmjen e së shtunës, oficerët e Antidrogës dhe ata të Sektorit të Forcës së Posaçme të Tiranës, pasi janë siguruar për mbërritjen e sasisë së drogës në Tiranë, kanë ndërhyrë, duke arrestuar autorët në flagrancë. Operacioni i antidrogës është zhvilluar në rrugën “Jordan Misja”, pranë burgut 313, në Tiranë. Kur të arrestuarit kanë qenë dukë shkarkuar pesë thasët me kanabis nga makinat tip “Benz” dhe “Rover”, të cilët më pas do t’i siguronin në një apartament, pranë vendit ku u ndaluan nga policia. Burime nga Policia thanë se në automjetin tip “Benz 190”, me targa AA 642 AI, janë gjetur 3 thasë me bimë narkotike, ndërsa dy thasë të tjerë janë gjetur në makinën tip “Rover”, me targë TR 5905 J, në një sasi totale prej mbi 30 kilogramë. Veç drogës, policia ka sekuestruar edhe dy automjete që përdoreshin nga personat e përfshirë në trafik, ku edhe u sekuestrua ngarkesa me bimë narkotike e mbërritur nga Lazarati. Burimet sqaruan se personi që ka shitur sasinë e hashashit, ende nuk është arrestuar nga policia.











