Pas homazheve, trupi i ish-kryeministrit Fatos Nano përcillet me nderime për në banesën e fundit! Mijëra në shesh, liderët e politikës vendosin karafila të bardhë mbi arkemort

Nov 2, 2025 | 13:03

Pak pas përfundimit të ceremonisë së homazheve në pallatin e Kongreseve, arkëmorti i ish-kryeministrit Fatos Nano është përcjellë me një tjetër ceremoni funebre drejt varrezave të Sharrës.

rama nano arkivoli

Familjarë, miq, mijëra qytetarë, autoritete shtetërore, të komuniteteve fetare, trupit diplomatik, i kanë dhënë lamtumirën e fundit duke e përcjellë kortezhin me nderim dhe arkëmortin e vendosur mbi një top, e shoqëruan në bulevardin kryesor.

Liderët e politikës, mes tyre edhe kryeministri Edi Rama me bashkëshorten, vendosën edhe karafila të bardhë mbi arkivolin e mbuluar me flamurin kombëtar. Ai e shoqëroi arkëmortin bashkë me kryeministrin kosovar, Albin Kurti, teksa në sfond u luajt në nderim të ish-kryeministrit Nano gjatë daljes së trupit nga Pallati i Kongreseve edhe kënga e Frank Sinatrës, “My Way”.

arkemorti nano

Sipas protokollit, pas përcjelljes me ceremoni funebre, nderimet e fundit do bëhen në një ceremoni private nga familja e tij, në varrezat e Sharrës.

homazhet nano homazhet3

Në respekt për kontributin e Fatos Nanos në jetën publike dhe politike të vendit, 2 nëntori është shpallur edhe ditë zie kombëtare. Fatos Nano ndërroi jetë në 31 tetor, në moshën 73-vjeçare, në një prej spitaleve private të kryeqytetit, ku po kurohej prej 24 ditësh.

Pesë herë Kryeministër i Shqipërisë, Fatos Nano do të mbahet mend si një lider historik i së majtës shqiptare, vizionar për Shqipërinë dhe një nga figurat më të rëndësishme të politikës shqiptare gjatë periudhës së tranzicionit.

homzhe5

© Panorama.al

Te lidhura