Anglia pritet të zbresë në fushë me disa ndryshime interesante në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës 2026 ndaj Kroacisë, me Antoni Gordon që duket se ka fituar garën ndaj Rashford për një vend në formacionin titullar.
Sipas raportimeve të “Daily Mail”, trajneri Tomas Tuhel është i prirur ta nisë yllin e Njukasëllit nga minuta e parë në krahun e majtë të sulmit. Strategu gjerman e vlerëson Gordonin për disiplinën taktike, intensitetin dhe kontributin në fazën mbrojtëse, cilësi që i konsideron të rëndësishme për të vendosur kontrollin e ndeshjes që në fillim.
Nga ana tjetër, Rashford mbetet një armë e fortë nga stoli. Tuhel beson se shpejtësia dhe aftësia e sulmuesit për të krijuar diferencën në momente kyçe mund të jenë më të vlefshme në pjesën e dytë të takimit. Në mbrojtje, Stons pritet të formojë qendrën e repartit të prapavijës me Ezri Konsa. Edhe pse Guehi konsiderohej favorit para turneut, trajneri anglez duket se preferon forcën fizike dhe dominimin në duelet ajrore të Konsas, që plotësojnë profilin teknik të Stons.
Ndërkohë, shqetësimi më i madh për anglezët mbetet gjendja e Bukayo Sakas. Futbollisti i Arsenalit vazhdon të vuajë pasojat e një problemi afatgjatë me tendinin e Akilit dhe ende nuk ka arritur formën optimale. Saka luajti vetëm një pjesë në miqësoren e zhvilluar me dyer të mbyllura ndaj Majemi, të cilën Anglia e fitoi bindshëm 6-0.
Për këtë arsye, Tuhel po mendon ta përdorë si zëvendësues, ndërsa Noni Madueke pritet të nisë ndeshjen në krahun e djathtë të sulmit. Në prag të sfidës me Kroacinë, duket se Tuhel ka zgjedhur një qasje më të balancuar, duke ruajtur disa nga armët e tij më të rrezikshme për t’i aktivizuar gjatë lojës.
PANORAMASPORT.AL
© Panorama.al












