Në seancën gjyqësore që po zhvillohet këtë të martë në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), avokati i kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, Plarent Ndreca paraqiti pesë kërkesa.
Mbrojtja kërkoi sërish që seancat të transmetohen live si dhe kryebashkiaku të mos qëndrojë në kafazin e xhamit, duke theksuar se po i cenohet dinjiteti duke mos qëndruar krah avokatit në sallë.
Po ashtu, Ndreca kërkoi që SPAK t’u vërë në dispozicion informacion se si është administruar kallëzimi nga Nesti Angoni.
“Unë kërkoj lejimin e kamerave për të regjistruar live këtë proces. Fakti që vjen në sallë një punonjëse administrative dhe pyet kush është dakord e kush jo, kjo është ndërhyrje në punët e gjykatës. Vendimmarrjen e merr trupa gjyqësore. Moslejimi i kamera në sallë është një goditje e drejtëpërdrejtë e të drejtës kushtetuese që kanë mediat për të transmetuar live.
Së dyti, kërkoj që t’i krijohen kushtet zotit Veliaj të marrë pjesë në gjyq, jashtë kafazit, në krah të avokatit. Mosprezenca e tij, ndikon drejtpërdrejt në proces. Ka një korespondencë mes Komitetit të Helsinkit dhe GJKKO, ku përmendet cenimi i dinjiteti me mbajtjen e të pandehurve në kafazin e xhamit.
Veliaj nuk paraqet asnjë rrezikshmëri mbi mbarëvajtjen e procesit. Kërkoj që Veliaj të jetë i lirë krah avokatit, që të realizojë mbrojtjen, si Kushtetuta i garanton. Së treti, për sa kohë nuk jemi njohur me provat digjitale, na jepni mundësinë për të bërë kërkesa për pavlefshmëri aktesh, pasi të jemi njohur me provat digjitale.
Së katërti, kemi kërkuar nga SPAK të na vendosë në dispozicion, si është administruar kallëzimi nga Nesti Angoni. Së pesti, vlerësojmë se seanca 1 herë ne javë nuk garanton mbrojtje efektive, është afat shumë i ngushtë. Të paktën te jenë dy javë nga një seancë në tjetrën.“, tha Ndreca.
Veliaj refuzoi të merrte pjesë në këtë seancë pasi sipas tij nuk i janë vënë në dispozicion 24 fashikujt dhe provat dixhitale. Po ashtu, kryebashkiaku argumenton se gjykata nuk i ka garantuar të drejtën për të qenë në seancë si një person i lirë, duke mos e lejuar të dalë nga kafazi i xhamit.
Veliaj akuzohet për korrupsion në 9 raste, pastrim parash, fshehje pasurie, shpërdorim detyre dhe futje e sendeve të paligjshme në burg.
© Panorama.al












