Kur dukej se qeveria e kishte me urgjencë privatizimin e aseteve të mbetura “pezull” për të krijuar sa më shumë të ardhura, duket se strategjia ka ndryshuar. Pas hyrjes së afatit të privatizimit të katër hidrocentraleve, tani është vendosur që edhe paketa që qeveria zotëron te kompania “Albtelekom” të shitet në muajin dhjetor, afat që është lënë për prezantimin e ofertave. Supozohej se kjo shitje, në fakt, duhet të bëhej në muajin maj, por tashmë njoftimi është zyrtar. “Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës njofton zgjatjen e afatit kohor për paraqitjen e ofertave të ankandit publik për shitjen e paketës së aksioneve të zotëruara nga shteti në Albtelekom sh.a, nga 02 maji 2012, ora 12:00, në 10 dhjetor 2012, ora 12:00″, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Tregtisë dhe Energjetikës. Qeveria zotëron 24 për qind të aksioneve të Albtelekomit, ndërkohë që 76 për qind e tyre janë blerë vite më parë nga një grup turk. Albtelekomi është ndër të paktat privatizime të mbetura “pezull” dhe që kanë kohë që diskutohen lidhur me shitjen e aksioneve që qeveria ka në këto kompani. Në kohën kur “lumit” të privatizimeve po i vjen fundi për shkak se një pjesë e mirë e tyre kanë përfunduar, qeveria po përpiqet që të maksimizojë fitimet të paktën nga ato asete që ende kanë mbetur. Përveç shitjes së hidrocentraleve Ulzë, Shkopet, Bistrica 1 dhe Bistrica 2, që do të bëhen në muajin shtator, janë edhe një sërë privatizimesh të tjera në diskutim e sipër, siç është INSIG-u, Albpetroli apo edhe Albtelekomi. Privatizimet duket të jenë shpresa e vetme e qeverisë për të ulur deficitin që ka në buxhet si rrjedhojë e mosarkëtimit të të ardhurave në planet e parashikuara. Në jo pak raste është diskutuar mundësia e ndryshimit të buxhetit, shkurtimet e të cilit për këtë vit janë më të vonuara sesa në vitet e kaluara. Nën zë ka pasur deklarime se një ndryshim buxheti do të bëhet në një moment të dytë pas rezultateve të privatizimeve, por kjo nuk është konfirmuar asnjëherë nga Ministria e Financave, e cila ka lënë të hapur mundësinë për ndryshime. Përveç privatizimeve të rëndësishme, paralelisht qeveria vijon edhe me privatizimet e një sërë godinave të listuara më herët nga institucione si Ministria e Mbrojtjes apo të tjera, të cilat nuk i kanë më në përdorim. Lidhur me këto privatizime është Ministria e Financave ajo që bën edhe lajmërimet për datat e zhvillimit të ankandeve.
Haxhinasto fton bullgarët në garën për HEC-et
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës u ka bërë thirrje investitorëve bullgarë që të investojnë në Shqipëri, duke u sjellë atyre në vëmendje privatizimin e katër hidrocentraleve, që pritet të bëhet në shtator. Gjatë një takimi të zhvilluar me ambasadorin e Bullgarisë në Shqipëri, Dimitar Arnaudov, Haxhinasto e ka fokusuar fjalën e tij te sektori i energjisë. Muajt në vijim pritet që të zhvillohen edhe një sërë aktivitetesh të përbashkëta me biznesin bullgar dhe atë shqiptar. “Muajt në vazhdim do të bihet dakord për një datë të përshtatshme lidhur me zhvillimin e sesionit të radhës së Komisionit të Përbashkët me Bullgarinë, që do të zhvillohet në Tiranë. Ky sesion do të shoqërohet dhe me një forum biznesi shqiptaro–bullgar”, është shprehur Haxhinasto.











