Tri ndeshjet që Flamurtari ka zhvilluar deri më tani në Kupat e Europës kanë qenë edhe një reklamë e mirë për lojtarët. Ndoshta disave prej tyre mund t’u ketë ecur mirë dhe disa të tjerëve jo. Sidoqoftë, në çdo rast, ai që do të dalë i humbur është klubi kuqezi, sepse të gjithë futbollistët që janë në plan për t’u aktivizuar me skuadra të tjera jashtë vendit, nuk kanë asnjë detyrim për t’u paguar krerëve vlonjatë. Kjo, për faktin se asnjë prej tyre nuk është nën kontratë, kështu që mund të largohen në rast të një oferte të mirë. Deri më tani janë plot katër futbollistët që pritet t’i thonë “lamtumirë” aventurës me kuqezinjtë: Franc Veliu, Nijaz Lena, Daniel Xhafaj dhe Gerhard Progni. Ky i fundit, ndonëse është kthyer sërish për të luajtur në Vlorë, mundësitë më të mëdha janë që sezonin e ardhshëm të luajë në një skuadër të huaj: turke, qipriote apo rumune.











