Koncesionet, kryefjala e kësaj qeverie prej vitesh, duket se tani do të shtrihen përtej hidrocentraleve, duke përfshirë rrugët dhe ujësjellësit.
Ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi, deklaroi gjatë një aktiviteti ditën e djeshme se për dhënien me koncesion të mirëmbajtjes së rrugëve po punohet me IFC. “Është duke u bashkëpunuar me IFC-në dhe shumë shpejt do të mund të nxirren për tender, mirëmbajtja dhe operimi i rrugëve të ndërtuara, pasi mirëmbajtja e tyre ka në kosto të madhe dhe në këtë mënyrë mund të veprohet më sektorin privat për menaxhimin e tyre”, tha dje Olldashi. Sugjerimi për të deleguar përgjegjësitë nga shteti te sektori privat për mirëmbajtjen e rrugëve, qeverisë iu bë në mënyrë indirekte nga konsulenti Luis Berger. Deklarata e ministrit dje shprehu qartë synimin për të mos kaluar me koncesion vetëm një rrugë, por disa prej tyre, të ndërtuara vitet të fundit dhe që kanë kosto të lartë mirëmbajtjeje. Përjashtim nga koncesioni duket se nuk do të përbëjë as rruga e re në ndërtim, Tiranë-Elbasan. Në muajt e parë të këtij viti, qeveria deklaroi bashkëpunimin me IFC-në për të kryer studimin për rrugën Durrës-Kukës, projekti i parë pilot për këtë mënyrë operimi. Në muajin tetor, qeverisë iu dorëzua ky studim nga IFC-ja dhe kjo e fundit tashmë duhet të bëjë edhe propozimet dhe llogaritjet e veta lidhur me tenderin që do të zhvillojë për kompanitë e interesuara. Fillimisht, praktika e koncesionit do të jetë vetëm për Rrugën e Kombit, më pas me të tjerat. Në një vit mirëmbajtja e rrjetit parësor të rrugëve i kushton qeverisë miliona dollarë, ndërsa sipas një përllogaritjeje të raportit të Luis Berger, për 20 vitet e ardhshme, kjo shifër është e frikshme. “Kostoja totale e këtyre projekteve arrin në 1.039 milionë euro, ose rreth 49 milionë euro në vit. Kjo përfshin mirëmbajtje rutinë, që vlerësohet me 12 milionë euro në vit. Duhet vënë në dukje se kjo përkon me rrjetin e tanishëm dhe se kostoja e mirëmbajtjes rutinë do të rritet me mbarimin e projekteve të reja rrugore”, thekson raporti. Sipas Drejtorisë së Rrugëve, vetëm tuneli i Thirrës konsumon në vit 2 milionë euro për operimin, menaxhimin dhe mirëmbajtjen. Ndërkaq, qeveria ka menduar që me koncesion të japë edhe ujësjellsat, veç disa rrugëve. “Gjatë dy viteve të fundit, në saj të reformave, një pjesë e ndërmarrjeve të furnizimit me ujë në pronë shtetërore, janë kaluar në shoqëri aksionere në pronësi të pushtetit vendor, por që shumë shpejt mund të shkohet drejt dhënies me koncesion të atyre ndërmarrjeve që janë fitimprurëse”, deklaroi dje ministri i Punëve Publike dhe Transporteve.











