Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, u shpreh në studion e emisionit “Kjo Javë” në “News 24” se protestat janë mënyra e vetme për të shprehur qëndrimin e qytetarëve dhe për të luftuar arrogancën e qeverisë, pasi ato janë simbolika që pasqyrojnë realitetin e vendit.
Nëpërmjet protestave opozitare sipas Tabakut shprehet jo vetëm mllefi i qytetarëve të zhgënjyer nga korrupsioni, varfëria dhe faktorë të tjerë, por jepet edhe një alternativë dhe model qeverisës për të ardhmen.
“Jemi në mandatin e katërt në opozitë, kanë ndryshuar shumë gjëra, shumë të rinj janë larguar dhe shumë shqiptarë kanë pikëpyetje për situatën dhe politikën. Protesta është një mënyrë që njerëzit janë aty, që mllefi, arroganca dhe veçanërisht arroganca e qeverisë është e dukshme. Protesta është simbolike, PD duhet të jetë aty, duhet të tregojë një model qeverisës që njerëzit presin”, tha ligjvënësja opozitare, duke iu referuar protestave kombëtare të PD-së, sikurse ajo dje (20 shkurt).
Por jo çdo gjë shkon mirë brenda partisë, sipas Tabakut të japësh një alternativë për qytetarët, duhet të ndryshosh edhe brenda PD-së.
Ajo mori si shembull mënyrën se si zgjidhen disa çështje politike, duke e nisur nga vetja, me rastin e Primareve, duke theksuar se nuk u bë meritokraci.
Tabaku shtoi se ajo vijon të jetë kritike, por beson se është koha e duhur për të ndryshuar.
“Unë kam qenë kritike dhe vazhdoj të jem kritike. Është e thjeshtë të merresh me PD-në, ndoshta edhe me përjetimi që pata, ndoshta besova të meritokracia dhe nuk m’u dha kjo meritokraci brenda PD-së, edhe pse dola më e votuara (referuar Primareve dhe zgjedhjeve të 11 majit). I kam diskutuar para fushatës dhe pas fushatës, brenda dhe jashtë partisë, ndoshta kam bërë mirë. Kush është rruga, të dalësh në rrugë dhe të sulmosh e të gjuash me gurë? Jo, është hajt të flasim, të mblidhemi e të flasim. Nuk ka askush që sot thotë se PD është 100% në rregull. Unë besoj se gjithmonë është koha për të ndryshuar, besoj se të gjithë e thonë hajt ta ndryshojmë PD nga brenda”, komentoi deputetja.
Dhe më tej tha se kishte folur edhe me Berishën për çështjet e brendshme të partisë:
“Kam folur edhe me doktorin. Por a është rruga të dalim të gjuajmë me gurë dhe kritikojmë? Rruga është të ndryshojmë. Të gjithë kolegët janë dakord që PD të ndryshojë së brendshmi. Di të them që sot ka shumë unë për të bërë në strukturat e PD”.
Por më shumë rëndësi në këtë situatë sipas ligjvënëses, ka që qëllimi i mirë politik të tregohet jo vetëm me fjalë, por edhe me akte:
“Unë di të them se ka shumë punë për të bërë dhe këtë e sjellim vetëm me forcën e shembullit. Nëse njerëzit e kanë të vështirë me fjalë, ne duhet t’ja tregojmë me akte, ashtu siç ndodhi 35 vite më parë”.
Dhe përballë kësaj situate, sipas Tabakut qëndron një qeveri arrogante, ku qytetarëve nuk u jepen sqarime për ligjet që hartohen, ku bizneset braktisen, taksat rriten, paqja fiskale i shërben oligarkëve, vendet e punës shkurtohen dhe një sërë problematikash të tjera social-ekonomike.
“Ministri i Ekonomisë bën një muhabet sikur jemi të kafja e lagjes. U ngrit kjo, u ul ajo e kështu me radhë, nuk është normale. Ka arrogancë të paparë. Kalojnë 15 ligje brenda ditës, seancat pa debat dhe pa cilësi. Mos t’i ofrosh sqarim dhe transparencë qytetarëve kjo është arrogancë”, theksoi deputetja demokrate.
© Panorama.al












