Brenda kësaj jave do të shpallen emrat e fituesve të rinj për 1800 kuota në ciklin part-time. Ministria e Arsimit ka dërguar tashmë në fakultete numrin e kuotave të përcaktuara për çdo degë. Janë rreth 20% e totalit të kuotave, të cilat mbeten të paplotësuara dhe u vendos të rishpërndaheshin. Mesatarisht janë shtuar deri në rreth 100 vende për degët më të kërkuara. Sot shpallen fituesit e rinj te Juridiku. “Kemi marrë vendimin e Ministrisë dhe nesër shpallen emrat e fituesve sipas raportit të përcaktuar në vendimin e qeverisë në raportin 1:4 për shkollë të parë dhe të dytë. Lista do të zbresë sipas mesatares”, tha dje për gazetën dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Skënder Kaçupi. Për degë të tjera, si Psikologjia, Punët Sociale apo Infermieria dhe Teknologjia e Informacionit, procesi pritet të mbyllet brenda javës. “Edhe këto degë bëjnë pjesë në grupin e të preferuarave dhe u janë shtuar rreth 100 vende”, sqaruan specialistët e Ministrisë së Arsimit. Sa u përket fituesve të rinj, ata do të shpallen nga listat ekzistuese. Prioritet do të kenë ata që nuk e kanë një diplomë. Kandidatëve për fakultet të dytë u është lënë një numër i kufizuar vendesh, deri në 20 për qind të numrit total të pranimeve. Pjesa tjetër, 80% e numrit total të kuotave, janë të përcaktuara për ata kandidatë që nuk kanë kryer asnjë shkollë të lartë. Plot 9434 kuota janë vendosur këtë vit nga qeveria për ciklin e studimeve me kohë të pjesshme. Pas mbylljes së fazës së parë të aplikimeve rreth 20% e tyre mbetën të paplotësuara. Fillimisht MASH kishte vendosur se nuk do të kishte rishpërndarje kuotash, por pas konsultimit me ekspertët vendosi se ky proces duhet të bëhej për shkak të kërkesës së lartë të studentëve. Tarifat e studimeve part-time variojnë nga një fakultet te tjetri. Përjashtohen nga tarifa e shkollimit aplikantët që u përkasin disa kategorive sociale. Në to bëjnë pjesë të verbrit, të shurdhrit, invalidët, paraplegjikët dhe tetraplegjikët, fëmijë që gëzojnë statusin ligjor të jetimit, fëmijë të familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit. Studentët e paguajnë tarifën e shkollimit të ndarë në këste vjetore, në përputhje me kreditet e lëndëve që do të frekuentojnë në çdo vit akademik. Studenti i nënshtrohet tarifës së shkollimit për një lëndë sa herë e frekuenton atë. Gjithashtu, studentët me rezultate të shkëlqyera nuk do të paguajnë tarifë studimi.
Kriteri i mesatares
Mesatarja e shkollës së mesme është ndër kriteret kryesore që komisionet e përzgjedhjes marrin parasysh në përcaktimin kandidatëve fitues. Ky rregull është i vlefshëm për të gjithë aplikantët që konkurrojnë për studimet e pjesshme, qoftë si program i parë studimi, apo i dytë. Bazuar në kriterin e mesatares dhe saktësisë së dokumenteve të paraqitura, fakultetet përcaktojnë emrat e fituesve në rend zbritës, sipas notës mesatare, deri në plotësimin e kuotës së përcaktuar. Përsa u përket kandidatëve që kërkojnë të vazhdojnë studimet e pjesshme për fakultet të dytë, këtë vit u ndryshua kriteri i mesatares. Kështu, ndërsa më parë një nga kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve ishte që nota mesatare e fakultetit të parë duhet të ishte mbi tetë, këtë vit jo me patjetër do të merret në konsideratë vetëm kjo e fundit.
“Kemi 40 studentë për 1000 banorë”
Myqerem Tafaj
Zhvillimi i teknologjisë së informacionit në kuadër të projektit “Shqipëria dixhitale”, por edhe zhvillimi i arsimit në tërësi. Kjo ka qenë kryefjala e ligjëratës që ministri Arsimit, Myqerem Tafaj, mbajti në Forumin Botëror të Edukimit 2012 të zhvilluar në Londër. “Aktualisht, 80% e nxënësve tanë të klasës së parë kanë ndjekur të paktën një vit në kopsht; për të dytin vit shkollor, niveli i pranimeve nga arsimi bazë në arsimin e mesëm është mbi 91%; në arsimin e lartë kemi një raport 40 studentë për 1000 banorë – një arritje e shkëlqyer për Shqipërinë”, tha Tafaj. Sipas tij provimet kombëtare (Matura Shtetërore) të shkollës se mesme në Shqipëri janë tashmë të standardit europian, me 4 provime të detyruara për të marrë diplomën, ndër to edhe provimi i gjuhës së huaj. “Pritet që nxënësit tanë të flasin të paktën 2 gjuhë të huaja. Në përfundim të cikleve të studimit, nxënësit e shkollës së mesme dhe studentët që diplomohen në nivel universiteti, përfitojnë diplomën e pajisur me kodin elektronik dhe numrin e matrikullit që është i veçantë për çdo nxënës dhe student, të regjistruara në bazën e të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Provimeve”, tha Tafaj. Pas fjalës ministri diskutoi me pjesëmarrësit e këtij sesioni dhe iu përgjigj pyetjeve të tyre mbi sfidat kryesore të arsimit shqiptar, kryesisht orientimit të shkollimit të mesëm dhe të lartë kah kërkesave të tregut të punës dhe të zhvillimit ekonomik, modernizimit të arsimit dhe formimit profesional, rritjes së cilësisë në arsim dhe rolit të ICT në modernizimin e sistemit arsimor në tërësi.