Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, në emër të institucionit përshëndeti paraqitjen në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës të projektligjit “Preshevo Valley Discrimination Assessment Bill”, i cili kërkon që Departamenti i Shtetit të raportojë mbi trajtimin e pakicave etnike nga Serbia, me fokus të veçantë te shqiptarët në Luginën e Preshevës.
“Ky akt përfaqëson një njohje të rëndësishme institucionale të problematikave serioze me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës, veçanërisht të çështjes së pasivizimit”, theksohet në njoftimin zyrtar të dikasterit të diplomacisë shqiptare.
Dhe më tej vijohet:
“Në të njëjtën kohë, shënon një hap domethënës në trajtimin serioz të këtyre problematikave në nivel ndërkombëtar”.
Ministria shprehu “mirënjohjen për angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës” dhe vlerëson këtë nismë të Kongresit si “një sinjal të fortë në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, por edhe si kontribut të rëndësishëm për forcimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme do të vijojë të mbetet e angazhuar në ndjekjen dhe monitorimin e situatës së të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, si dhe në bashkëpunimin me partnerët tanë për adresimin e këtyre çështjeve”.
Gjithashtu u nda edhe një foto nga takimi në Tiranë, i ministres Spiropali me Kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Enkel Rexhepi (në të djathtë të ministres), me fokusin e veçantë në të drejtat, situatën aktuale dhe nevojat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
© Panorama.al












