Diskutimet e shumta në lidhje me rezultatin e këtyre zgjedhjeve vendore, nëse do të donim të jenë të plota dhe të thella natyrshëm, duhet të shihen nëpër disa rrafshe. Partitë politike, të gjitha, pa përjashtim, punuan për të bindur jo thjesht “elektoratin e tyre”, por qytetarin në përgjithësi që të votojë. Partia Demokratike, ajo Socialiste, LSI dhe aleatët e tyre kanë bërë gjithçka për të tërhequr “trupën elektorale” së pari, sa më numerikisht në kutitë e votimit, pavarësisht orientimit të votës. Në fund të fundit, kjo është një arritje e shënuar e kësaj fushate, që ta stimulojmë qytetarin të ushtrojë të drejtën e votës, si e drejta e parë thelbësore demokratike.
Nëse këto zgjedhje do t’i shihnim në këndvështrimin politik, pra, ashtu siç u parashtruan qartësisht nga ana e opozitës, sidomos nga kreu i Partisë Socialiste, e jo ashtu siç duhej të ishin në të vërtetë, atëherë duhet të nënvizojmë rezultatin e fitores së bujshme të Koalicionit për Qytetarin në rang vendi, me një epërsi të thellë prej mbi 140 mijë votash. Pra, në këndvështrimin e opozitës dhe të referendumit të saj plebishitar të kërkuar dy vitet e fundit, këto zgjedhje janë të humbura prej tyre. Sepse maxhoranca do të kishte rreth 12 deputetë më shumë në Kuvendin e Shqipërisë. Ndërsa, nëse do t’i shihnim në këndvështrimin e parashtruar nga maxhoranca, pra si zgjedhje vendore, atëherë përgjigjja do të ishte më komplekse. Pavarësisht fitores (së pritshme) të Bashkisë së Tiranës dhe fitores së konfirmuar të minibashkive në Tiranë, humbja e bashkive të qyteteve kryesore të mëdha të vendit dhe diferenca e thellë mes votës për kryetarë të disa bashkive nga ajo për këshillat bashkiakë, nxjerr në pah disa mangësi koordinative të strukturave bazë të koalicionit nëpër disa qytete, apo dhe përzgjedhje të gabuara, çka përbën shkak për një analizë të përgjegjshme edhe të fituesve, koalicionit të Aleancës për Qytetarin. Por, nga ana tjetër, vota për këshillat shfaqi qartë kufijtë e përmirësimit dhe potencialit të mundshëm për të punuar dhe vepruar në të ardhmen, në mënyrë që votat për kandidatët të përputhen plotësisht. Ndërsa, përsa u përket komunave, diçka e tillë tashmë është realitet dhe shumica e komunave janë fituar në të dy treguesit nga koalicioni i maxhorancës. Një arritje e tillë është e duhet të konsiderohet në të gjithë peshën e saj, sepse kjo përbën një garanci dhe potencialitet të sigurt për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme të vitit 2013. Dihet se sot, në Shqipëri, monopoli për përcaktimin e kandidatëve është konservator dhe i mbyllur brenda partive. Në këtë kontekst, mungesa e gjykimit paraprak të qytetarit, para se ai të shkojë në kutinë e votimit për të shprehur verdiktin e vet zgjedhës përmes votës, është një mangësi e pazgjidhur, e cila, në fund të fundit, tregon se hapësira elektorale nuk është bërë akoma hapësirë e vërtetë e përzgjedhjes dhe jo vetëm e zgjedhjes nga qytetari të përfaqësuesve të pushtetit vendor. Ky është problemi i zgjerimit të hapësirës së demokratizimit të zgjedhjeve, të zgjerimit të demokracisë elektorale, me qëllim që zgjedhjet të mos mbesin në rolin e “sizmografit pasiv”, që vetëm regjistron vullnetin sasior të qytetarit, por pa pasur mundësinë që ky vullnet të mos jetë vetëm numerik, por së pari dhe, mbi të gjitha, i vërtetë, esencial, thelbësor, vendimtar dhe tërësor. Në këtë drejtim, mendoj se Partia Demokratike duhet të përqendrohet në të ardhmen.
Por, nëse do t’i shikonim këto zgjedhje nga këndvështrimi i procesit dhe mbarëvajtjes së tij, një objektiv mjaft strategjik për Shqipërinë dhe nevojat e imazhit të saj, atëherë transparenca dhe korrektësia do të na shfaqeshin si më të mirat e mundshme që mund të prodhojë realiteti, ambienti dhe psikologjia e sotme shqiptare. Ndjekja nga cilido qytetar i interesuar i numërimit të të gjitha kutive, si një eveniment i rëndësishëm në ekran, përfshi këtu dhe votën e kutisë së fundit, si një finale e madhe, është për t’u admiruar dhe përshëndetur. Është një organizim i përsosur, të cilin nuk ka se si të mos e quash rezultat, arritje e madhe në vetvete. Vetëm ciniku i paadministrueshëm nuk do ta bëjë këtë, pra të pranojë këtë arritje të të gjithëve. Dhe e gjitha kjo është një përfundim logjik i funksionimit të vazhdueshëm të një mekanizmi transparence të Kodit Zgjedhor, partive politike dhe veçanërisht qeverisë, përgjatë gjithë procesit. Ky mekanizëm, kurrë ndonjëherë nuk qëndroi në hisen e tij zyrtare për t’u lavdëruar, duke e vazhduar këtë sjellje edhe gjatë numërimit dhe sidomos pas shpalljes së britmave të fitores së pacertifikuar nga i paduruari Edi Rama. Ligji dhe qasja transparente duhet të mbizotërojë, dhe jo pasioni luftarak dhe shumë herë vulgar, aq më tepër në proces e sipër numërimi, siç po ndodh me disa përfaqësues të opozitës që hynë në mënyrë brutale në zyrat e KQZ-së, duke u munduar të shprehnin imponim në rezultat edhe përmes zhvlerësimit të statuorës së tyre si deputet të popullit.
Edhe njëherë, në vazhdim të gjithë kësaj historie zgjedhore, njerëzit panë dy mënyra të të bërit politikë. Njërën me projekte, të qetë, të shtruar, të drejtuar drejt dhe për qytetarin duke iu përmbajtur ligjit, tjetrën agresive, shpifëse, denigruese, fyese paranojake e sulme që nuk po mbarojnë. Është pikërisht verdikti popullor, rezultati ai që u dha përgjigje këtyre dy qasjeve. Është pikërisht shembulli emblematik i fushatës së Tiranës të realizuar suksesshëm nga Lulzim Basha ai që duhet vazhduar, e sidomos problemet sociale të qytetarëve, tek të cilat duhet vënë theksi. Qytetarët në Tiranë ndëshkuan arrogancën, megalomaninë e kryebashkiakut në ikje (kujtoni fushatën injoruese të Ramës, se përballë nuk kishte kandidat), që përmes Bashkisë kërkon qeverinë, ashtu si uzurpoi Partinë Socialiste.
Tashmë që investimet në infrastrukturë, të realizuara nga kjo maxhorancë, veprat e mëdha të rrugëve kanë marrë udhë, çështja sociale – në bazë të rezultateve që shfaqën këto zgjedhje – duhet të jetë kali fitues i betejës së shumë zgjedhjeve të ardhshme (le të mendojmë për një moment sesa mijëra vota më sipër do të ishte Lulzim Basha nëse problemit shqetësues të mbi 4500 tetraplegjikëve dhe paraplegjikëve shqiptarë do t’i ishte dhënë zgjidhje nga Ministria përgjegjëse e Punës dhe Çështjeve Sociale. Grevës së tyre të marsit 2011, drejtuesit e kësaj Ministrie iu përgjigjën me indiferencë, gjumë, miopi, papërgjegjshmëri e dashakeqësi). Një përfundim i tillë arrihet duke e lexuar rezultatin edhe mbi bazën e perceptimit të politikës nga ana e qytetarit. Populli, në një rrafsh të tillë, dha disa verdikte të rëndësishme. Ai nuk pranon të merret më nëpër gojë e nëpër rrugë nga opozita, për të krijuar tensione, provokime, tubime e demonstrata të dhunshme në emër të tij. As vota e vjedhur dhe e shpërdoruar nuk qëndron më si argument në kokën e opozitës, sepse pas dy vitesh të shkuara dëm për proceset e integrimit të Shqipërisë, u pa qartë që gjendja e votës është po njëlloj si në 2009-n, në mos më keq në Tiranë, në disfavor të opozitës, duke konfirmuar këtë lloj opozite si një projekt i përgënjeshtruar totalisht nga ana politike. Te projekti i rrugës opozita mbeti në rrugë, pra dështoi në aksionin e saj politik. Atëherë, me ç’të drejtë morale do t’i dilet përpara popullit e t’i thuhet se u gabova. Po përgjegjësitë për këtë vonesë integrimi, për kostot shtesë sociale, ekonomike, integruese që iu shkaktuan të gjithë qytetarëve, pavarësisht preferencave të tyre politike.
Nga askush në demokraci nuk mund të flitet kurrë ekskluzivisht në emër të popullit, sepse vlera themelore e saj është vota, e cila është e duhet të jetë e larmishme, e copëzuar. Kjo është madhështia e saj. Nga ana tjetër, opozita nuk duhet të këndojë në vazhdim asnjë lloj revanshi, sepse, tek e fundit, si bashki të mëdha ka marrë përsëri po ato që kishte, me ndryshime të vogla, ndërkohë që këmbët e gjata i janë ngatërruar dhe rrëzuar përdhe në Tiranën qytetare, aty ku dhe rrëmuja, trazirat e veprimet e saj të dhunshme kishin dhe kanë rrezen e tyre më të drejtpërdrejtë të veprimit. Deri më sot kemi dëgjuar për dy vjet me radhë ditirambe për fuqinë e votës së lirë, për numërimin, kontestimin e rinumërimin e saj. Atëherë, pse vallë ka aq shumë frikë nga një votë e lirë, e shprehur pastër e korrekte, edhe pse gabimisht në një kuti tjetër?! Përtej debateve ligjore, mos vallë nuk është ky një deformim i pastër i vullnetit të popullit? Aq më tepër që ky vullnet disa mijëra njerëz në ulje për kryebashkiakun në Tiranë, është rezultat i menjëhershëm i qëndrimit reagues të qytetarëve ndaj një politike radikale, megalomane e thellësisht agresive të pabazuar në fakte, ndaj një anashkalimi të frikshëm të problemeve qytetare dhe ndaj një politizimi të padobishëm të postit të kryebashkiakut të kryeqytetit me kryetarin e partisë më të madhe opozitare. Edhe pritja e rezultatit dhe shkuarja deri në fund e ligjshmërisë së votave të kontestuara nga institucioni kushtetues përgjegjës i zgjedhjeve, është shembulli më i mirë i një Tirane të qytetëruar që e kapërcen edhe një herë sjelljen e opozitës, të paduruar dhe provokative. Është kjo një tjetër përgjigje e tatëpjetës shumë të rrezikshme që po i imponon opozitës “kryebashkiaku i saj i pacertifikuar”. Mirëpo, është koha që t’u jepet fund njëherë e mirë këtyre kanosjeve e të dëgjohet zëri i arsyes dhe mençurisë që ka shprehur vota popullore, nëpërmjet numërimit, vlerësimit e rinumërimit të saj.
© Panorama.al












