Paralajmërohet Vetëvendosja dhe qytetarët

Jan 6, 2012 | 19:20
Posteri Paralajmerues i Lëvizjes Vetevendosje

PRISHTINE- Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se do të bllokojë pikat e kalimit kufitar me Serbinë në Merdarë dhe Dheu i Bradhë më 14 janar, policia e Kosovës ka përgatitur një plan operativ për parandalimin e këtij aksioni.

Vetëvendosja ka argumentuar se ky bllokim vjen në qëllim të “Zbatimit të mocionit të Kuvendit të Kosovës për vendosjen e masave të reciprocitetit në raport me mallrat e Serbisë”.

Policia e Kosovës, siç thuhet në një komunikatë për media të Ministrisë së Punëve të Brendshme, sikurse në të kaluarën do të ushtrojë detyrat e saj, si garantues i zbatimit të ligjit, në përputhje me mandatin dhe përgjegjësinë që i takon.

“E drejta e disa qytetarëve për të protestuar dhe shprehur pakënaqësinë nuk do të lejohet të abuzohet në dëm të lëvizjes së lirë të qytetarëve tjerë dhe mallrave në territorin e Republikës së Kosovës. Rrjedhimisht, Policia e Kosovës ka përgatitur Planin Operativ për parandalimin e bllokimit të Pikave Kufitare Merdarë dhe Dheu i Bardhë, si dhe rrugëve magjistrale të cilat shpijnë në këto pika kufitare”, theksohet në komunikatën e MPB-së, publikuar pas një takimi që ka zhvilluar ministri Bajram Rexhepi me drejtues të lartë të Policisë së Kosovës.

Ministria e Punëve të Brendshme, nëpërmjet kësaj komunikate, kërkon nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të mos përkrahin forma jo ligjore të shfaqjes së pakënaqësisë.

“Policia e Kosovës do të ketë zero tolerancë ndaj bllokimit ilegal të rrugëve dhe do të jetë në gatishmëri të plotë për t’u përballur me të gjithë ata që janë të përfshirë në aktivitete të jashtëligjshme me forcën e ligjit, forcë kjo që buron nga Kushtetuta më moderne dhe që respekton të drejtat e njeriut”, theksohet ndër të tjera në këtë komunikim të MPB-së.

© Panorama.al

Te lidhura