Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për gazetarët është pyetur lidhur me paralajmërimin e kreut të grupit të PS-së, Taulant Balla, për marrëveshjet PS-PD për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale, duke deklaruar se nëse opozita do të prishë dakordësinë e arritur, maxhoranca do të vijojnë punën edhe pa ta.
Teksa e cilësoi Taulant Ballën si “Tao i krimit dhe Edi Ramës”, Berisha tha se atij përgjigjen do t’ia japin shqiptarët më 24 janar, në protestën e thirrur nga PD.
“Asnjë përgjigje përveç asaj që do i japin shqiptarët më 24 janar Taos së famshëm të krimit dhe Edi Ramës. Ata kanë aneksuar parlamentin dhe qytetarët shqiptarë do të thonë fjalën e tyre, kjo është përgjigja ime”, tha Berisha.
Kujtojmë se në mbledhjen pa media të Konferencës së Kryetarëve, Balla ka deklaruar se në rast se demokratët do prishin marrëveshjen për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale, atëherë puna do vijojë pa demokratët.
Po ashtu, ai tha se maxhoranca nga ana tjetër ka shprehur ambicien për të miratuar reformën zgjedhore, po ashtu dhe për të zvogëluar numrin e mandateve të deputetëve nga 140 deri në 100.
“Mos humbisni kohë kot me thirrje dhe përbetime revolucionesh që nuk kanë për të ndodhur. Mos humbisni kohë kot as me “shtrimin e tapetit” të alibisë për humbjen e radhës.
Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me ju plotësisht për t’i dhënë Shqipërisë një Kod të ri Zgjedhor sipas standardeve më të mira zgjedhore, Ndarje Administrative Territoriale funksionale, e gjithçka tjetër. Duhet ta fiksoni mirë në mendje se ju nuk mund te bllokoni reformat. Kemi bere nje marrëveshje ne sesionin e kaluar për ngritjen e komisioneve. Nëse ju sot thoni terhiqeni nga komisionet kjo është shkelje e marrëveshjes në mënyrë te njëanshme. Ne do të detyrohemi të vazhdojmë punën dhe pa ju.
Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore duhet të adresojë rekomandimet e OSBE-ODIHR-it ku përparësi të veçantë ka depolitizimi i plotë i administratës zgjedhore. Duhet të marrë fund kjo qasje e papranueshme për një vend anëtar të BE, partitë votohen, partitë numërojnë.
Gjithashtu të gjithë ia themi njëri tjetrit majtas-djathtas, në ato netët pafund të numërimit në oakkatet e sportit apo palestrat e shkollave, sa herë kemi zgjedhje. Dhe këtu duhet ta ripërsërisim me zë të lartë nevojën e nxjerrjes së rezultatit të zgjedhjeve në një kohë më të shkurtër, pse jo të mos kryhet numërimi në qendrat e votimit.
Fakti është se qoftë për komisionet zgjedhore partiake, qoftë për vonesën në nxjerrjen e rezultatit zgjedhor, koha nuk pret më as për zgjedhjet vendore 2027.
Reforma zgjedhore sa i përket Kodit Zgjedhor kërkon të paktën 84 vota në Kuvend. Por ne e kemi bërë publike ambicjen tonë për një reformë më të thellë e cila të përfshijë edhe zvogëlimin e numrit të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë në të paktën 100 apo 101 deputetë.
Dëgjova zotin Gjekmarkaj se opozitës i është mohuar e drejta e fjalës. Ka nje indikator shumë domethënës nga sesioni i kaluar. Koha e diskutimeve. Opozita ka marrë 48 orë diskutime, shumica bashkë me Qeverinë 40 orë diskutime në seancë plenare”, mësohet të këtë thënë Balla.
© Panorama.al












