“Papërgjegjshmëri edhe e atyre që e shohin vendin si landfill!” – Përmbytjet në vend, Rama: Do ngremë një task forcë për pastrimin e mbetjeve plastike!

Jan 17, 2026 | 12:22

Kryeministri Edi Rama në një takim me kryebashkiakët në Golem, u ndal te situata e përmbytjeve në vend, ku deklaroi se ndonëse intensiteti ekstrem i reshjeve ishte i vështirë për t’u përballuar, një pjesë e problematikës lidhet drejtpërdrejt me faktorin njerëzor.

edi rama

Ai kritikoi ashpër papërgjegjshmërinë e qytetarëve që hedhin mbetje në rrugë dhe hapësira publike, duke e trajtuar territorin si landfill.

“Kjo situatë u ndërlikua ndër të tjera edhe nga papërgjegjshmëria rrëqethëse e shumëkujt ndër ne që si qytetar apo si vizitor shqipfolës, se nuk janë turistët e huaj që hedhin mbetjet nëpër rrugë, e konsideron këtë vend si një landfill kudo ku ndodhet dhe hedh shishen e zbrazur të ujit ose qesen plastike“, tha ai.

Sipas kryeministrit, e gjithë kjo sasi e madhe që hidhet rrugëve ku theksoi se ndikon edhe mungesa e një menaxhimi siç do duhej e mbetjeve në territoret rurale, mblidhet dhe falë erës, vjen dhe bllokon pika kyçe të rrjetit të kullimit.

Rama njoftoi më tej edhe krijimin e një task-force qeveri–pushtet vendor, për të hartuar një plan tre-fazor nga sensibilizimi te veprimi konkret për pastrimin e mbetjeve.

“Ky është një krim shqiptar. Nuk duhet të kërkojmë fajtorë te turistët spanjollë, japonezë apo gjermanë. Duhet të marrim masa konkrete dhe për këtë arsye i kam kërkuar ministrit të Pushtetit Vendor të ngrejë një task-forcë mes qeverisë dhe pushtetit vendor, për të konceptuar një plan me tre faza, që nga sensibilizimi deri te veprimi konkret”, tha ai.

Rama: Viti nisi me një situatë tejet të vështirë atmosferike që preku një pjesë jo të vogël të territorit dhe që na përballi me sfidën e emergjencës në kushtet që emergjencat po bëhen sistematike dhe po marrin një profil tjetër si rezultat i ndryshimeve klimatike. Kemi më shumë thatësirë e zjarre dhe më shumë befasira në aspektin e atmosferës ku krijohen vorbulla, si ajo e ditëve të para të vitit.

Sipas ekspertëve, ka ngërçe në qarkullimin e masave të ajrit, dhe krijojnë reshje të një intensiteti shumë të lartë. Në këto kushte, sigurisht nuk ka shumë për të bërë në aspektin e përballimit të intensitetit të lartë të reshjeve, por ka elementë të kësaj situate që lidhen me njeriun.

Pamë se si kjo situatë u ndërlikua ndër të tjera edhe nga papërgjegjshmëria rrëqethëse e shumëkujt ndër ne që si qytetar apo si vizitor shqipfolës, se nuk janë turistët e huaj që hedhin mbetjet nëpër rrugë, e konsideron këtë vend si një landfill kudo ku ndodhet dhe hedh shishen e zbrazur të ujit ose qesen plastike.

E gjithë kjo sasi e madhe që hidhet rrugëve ku hyn edhe mungesa e një menaxhimi siç do duhej e mbetjeve në territoret rurale, mblidhet dhe falë erës, vjen dhe bllokon pika kyçe të rrjetit të kullimit. Siç ndodhi në Shkozet, Gjirokastër apo pika të tjera…

Para disa ditësh, kryetarja e Bashkisë së Durrësit më dërgoi një video që tregonte se si po mbushej pika në Shkozet, pasi ishte ripastruar në kushte bllokimi.

Kur gjendemi përballë kësaj situate agresioni plastik, që është drejtpërdrejt ndikim i njeriut, duhet të angazhohemi për të ndërmarrë një ofensivë të përbashkët dhe për të përfshirë sa më shumë komunitetin, në mënyrë që ta vëmë nën kontroll këtë faktor kaq të dëmshëm.

Plastika derdhet në det dhe shkakton dëme të pariparueshme për jetën detare dhe për cilësinë e ushqimeve tona. Duhet të bëjmë gjithçka për ta ndalur këtë lemeri papërgjegjshmërie qytetare.

Ky është një krim shqiptar. Nuk duhet të kërkojmë fajtorë te turistët spanjollë, japonezë apo gjermanë. Duhet të marrim masa konkrete dhe për këtë arsye i kam kërkuar ministrit të Pushtetit Vendor të ngrejë një task-forcë mes qeverisë dhe pushtetit vendor, për të konceptuar një plan me tre faza, që nga sensibilizimi deri te veprimi konkret.

© Panorama.al

Te lidhura