Papandreu tërhiqet: Jo më Kryeministër, jo më kryetar

Jan 5, 2012 | 13:03
Papandreu

Jorgo Papadreu ka vendosur të tërhiqet nga çdo post drejtuesi. Ai ka paralajmëruar se nuk do të garojë më për të qenë në krye të partisë socialiste greke, PASOK dhe aq më tepër për të qenë Kryeministër. “Nuk pretendoj të jem një kandidat për kreun e PASOK-ut dhe as një kandidat për Kryeministër”, tha Papandreu dje pasdite, në një takim të Këshillit Politik të PASOK-ut.
Tashmë, drejtuesi i ri i partisë pritet të zgjidhet në dy faza, fillimisht do të zgjidhet kandidati i PASOK-ut për Kryeministër dhe më pas do të bëhen zgjedhjet në parti. Papandreu ka shprehur mbështetjen për qeverinë e Lukas Papadhimos, duke e cilësuar atë si një përparim të madh në jetën politike të vendit. Ai theksoi se mbështetja për të është një përgjegjësi kombëtare. Zgjedhjet e reja pritet të mbahen në muajin prill. Ndërkohë Greqia ka paralajmëruar se po ekziston mundësia për të lënë euron dhe për t’iu kthyer monedhës së saj të vjetër, dhrahmisë. Deklarata erdhi pas vlerësimit se përpjekjet për ta mbajtur eurozonën të bashkuar po e çojnë atë drejt një recesioni më të thellë. Zyrtarë të lartë në Athinë janë shprehur se derisa ata të përfundojnë me sukses negociatat me kreditorët mbi një paketë të dytë ndihme me vlerë 130 miliardë euro, Greqia do të ketë mundësi të qëndrojë në eurozonë. Qeveria e re greke e mbështetur nga Brukseli po lufton për të fituar mbështetje për masat e ashpra të vazhdueshme të kursimit, të cilat kërkohen nga BE dhe FMN. Sondazhet në Greqi tregojnë se grekët duan që vendi të mbetet në eurozonë, edhe pse janë kundër masave të kursimit. Greqia ka një deficit të madh buxhetor dhe vendi po mbijeton me fondet e paketës së parë të shpëtimit prej 110 miliardë eurosh me të cilat u ra dakord në maj 2010. Një paketë tjetër shpëtimi u miratua në tetor 2011. Por kjo marrëveshje duhet finalizuar. Krijimi i detajeve të kësaj marrëveshjeje është në duart e Kryeministrit të ri teknokrat, Lukas Papademos, mandati i të cilit përfundon në fillim të prillit. Zëdhënësi i qeverisë greke, Pantelis Kapsis, tha se negociatat gjatë tre apo katër muajve të ardhshëm do të jenë vendimtare për të përcaktuar gjithçka, përfshirë evitimin e një katastrofe falimentimi. “Ky borxh duhet nënshkruar, përndryshe ne do të jemi jashtë tregjeve, jashtë euros dhe gjërat mund të bëhen më keq”, tha ai.

Më të paguarit
Politikanët në Italinë e mbytur në borxhe janë më të paguarit se në të gjitha vendet e tjera europiane, ndërkohë që për popullin po merren masa të ashpra kursimi. Një vëzhgim europian ka zbuluar se pagesa mujore për një deputet italian, përfshirë shpenzimet, shkon më shumë se 16 000 euro. Deputetët francezë kanë një pagë mesatare prej 14 mijë eurosh dhe janë të dytët më të paguarit në eurozonë. Të tretët janë deputetët gjermanë, të cilët marrin mesatarisht 12 600 euro në muaj, ndërsa më të “varfrit” janë deputetët spanjollë, me 4650 euro në muaj.

© Panorama.al

Te lidhura