Papandreu do dorëhiqet: S’do ta drejtoj qeverinë e re

Nov 7, 2011 | 11:37
Gjatë takimit të mbrëmshëm, Papandreu, Papulias dhe Samaras në Presidencën Greke

Kryeministri grek, Jorgo Papandreu, ka deklaruar dje se do të japë dorëheqjen sapo të miratohet përbërja e qeverisë së unitetit bashkë me opozitën dhe të miratohet plani me shtatë pika, i cili është me prioritet për Greqinë. “Nuk do ta drejtoj unë qeverinë e re”, siguroi Papandreu. Personi që pritet të marrë drejtimin e qeverisë së unitetit, është zv/kryeministri dhe ministri i Financave, Evangelos Venizelos. Negociatat me Demokracinë e Re kanë vazhduar deri në orët e para të mëngjesit.
Bisedimet për të formuar një qeveri uniteti kombëtar në Greqi, të cilësuar si të domosdoshme për të kapërcyer krizën politike në vend dhe për të rifituar besimin e partnerëve të eurozonës, kanë nisur që të shtunën, por pa sukses. Lideri i partisë më të madhe opozitare, Demokracia e Re, Antonis Samaras, tha se nuk do të kontribuojë në një qeveri uniteti kombëtar, në rast se Papandreu nuk jep dorëheqjen dhe nuk u hapet rruga zgjedhjeve të parakohshme. Deklarata e tij ka ndryshuar dje, pas takimit të mesditës me Presidentin grek, Karolos Papulias, të cilit i tha se ai është dakord të kontribuojë në qeverinë e unitetit, me kushtin e vetëm që Papandreu të mos jetë kryeministër i saj. Jorgo Papandreu, gjatë një mbledhjeje kabineti të dielën, është shprehur se nuk ka dëshirë të jetë drejtues i qeverisë së re të unitetit, por nuk do të japë dorëheqjen deri në momentin kur të kenë përfunduar negociatat për qeverinë e re të unitetit kombëtar. “Është e qartë se kjo qeveri duhet të formohet sot dhe jo nesër. Unë nuk jam i interesuar të jem kryeministër në qeverinë e re”, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga zyra e Kryeministrit grek. Papandreu tha gjithashtu se zgjedhjet e kabinetit të tij nuk duhet të mbahen përpara shkurtit apo marsit, pasi paketa e ndihmës së eurozonës të aprovohet në Parlament. Pas takimit të pasdites me kabinetin e tij, Papandreu tha se para se ai të japë dorëheqjen, Samaras duhet të bjerë dakord për një plan prioritetesh me shtatë pika, që ai i konsideron kritike për ekonominë greke. Prioritetet përfshijnë sigurimin e lëshimit të fondit europian të shpëtimit, përfundimin e bisedimeve me kreditorët për programin e kursimit në Greqi, dhe miratimin e buxhetit të 2012-s deri në fund të vitit. Edhe disa ministra të kabinetit kanë këmbëngulur se përbërja e qeverisë së unitetit duhet të miratohet përpara se Papandreu të japë dorëheqjen. Papandreu ka takuar Presidentin e Greqisë, Karolos Papulias, sërish dje bashkë me kreun e opozitës Samaras, për të vendosur se çfarë do të ndodhë me koalicionin e qeverisë së unitetit. Takimi, sipas televizionit shtetëror grek u mbajt në orën 20:30 me orën lokale. Kishte një takim të dytë kabineti pas takimit me Presidentin Papulias.

24 ore
afat i dha BE-ja Greqisë për të nënshkruar marrëveshjen e paketës së re të kursimit (nga qeveria e re), e cila duhej të finalizohej përpara takimit të ministrave të Jashtëm të eurozonës në Bruksel, mbrëmjen e së hënës.

Një dekadë me borxhe
Europa do të përballet me borxhet deri në vitin 2021, me pasoja shkatërruese për popullsinë e saj prej 500 milionë njerëzish, përfshirë ata në Britani. Kështu ka paralajmëruar kancelarja gjermane, Anxhela Merkel. “Kjo krizë borxhi nuk do të zhduket. Do të duhet një dekadë përpara
se ne të jemi në një pozicion më të mirë”, tha ajo.

Buxheti i Parisit
Qeveria franceze ka në plan masa të tjera kursimi. Sipas mediave në Francë, Kryeministri Fransua Fillon do të shpallë këto ditë shtimin e taksave. Programi i kursimit bëhet për ruajtjen e besueshmërisë për pagesë të Francës në tregun e kapitalit. Fillon tha se ky do të jetë një nga “buxhetet më të
rrepta që prej fundit të Luftës II Botërore”.

Presioni i BQE-së
Banka Qendrore Europiane ka rritur presionin ndaj Italisë, duke kërkuar reforma në këmbim të blerjes së bonove. Anëtari i BQE-së, Iv Mersh, tha për gazetën “La Stampa” se do ta ndalojnë blerjen e bonove italiane, në rast se Roma nuk zbaton reformat. Së fundi, Banka ka blerë bono thesari europiane në vlerën 100 mld euro, e një pjesë e madhe e tyre janë italiane.

© Panorama.al

Te lidhura