Kryeministri Lukas Papadhimos apeloi ndaj grupeve të interesit që të avancojnë sa më shpejt në negociatat për përmirësimin e konkurueshmërisë së ekonomisë greke.
“Pa marrëveshjen me Trojkën dhe vazhdimin e financimeve, Greqia në muajin mars do të përballet me rrezikun e falimentimit të çrregullt. Rrjedhimisht, nga veprimet dhe vendimet tuaja gjatë javëve të ardhshme, do të varet gjithçka”, theksoi Papadhimos gjatë takimit me partnerët socialë.
Kryeministri i ftoi të gjitha palët që të ngrihen në lartësinë e detyrës, dhe theksoi: “Nuk mund të bëjmë një sy qorr. Nuk mund ta fillojmë dialogun nga baza e përfitimeve të deritanishme, sepse nesër rrezikojmë të mos kemi asgjë. Nëse nuk bëjmë reformat e nevojshme, është e qartë se nuk mund të presim nga vendet e tjera të BE dhe organizmat ndërkombëtarë që të financojnë një vend që nuk përshtatet me realitetin dhe nuk përballon problemet e veta. Nëse kjo ndodh, nëse ndërpritet financimi nga partnerët tanë, atëherë pasojat do të jenë me të vërtetë tragjike për të ardhurat e punonjësve dhe papunësia do të rritet edhe më shumë”.
Në epiqendër të diskutimeve ishin marrëdhëniet në punë dhe ulja e kostos së punës, çka përbën kërkesë konstante të huadhënësve ndërkombëtarë.
Organizatat sindikale kundërshtojnë shfuqizimin e pagës minimale ashtu siç ajo përcaktohet në kontratën kolektive të punës. Presidenti i Konfederatës Sindikale (GSEE), Jorgos Panagopulos deklaroi se nuk do të pranojë asnjë ndryshim në kontratën kolektive të punës sa i përket pagës minimale, duke theksuar se GSEE nuk jep konsensusin e vet për asnjë nga kërkesat e Trojkës.
Ndërsa presidenti i Unionit të Industrialistëve Grekë (SEB), Dimitris Daskalopulos, tha se paga minimale “besojmë se mund të mos preket, por në këtë periudhë të vështirë duhet të shohim se si do të reduktojmë koston mesatare të punës, kështu që të favorizohen kompetiviteti dhe punësimi”.
Për këtë qëllim, ai i ftoi partnerët socialë në një takim të hënën e ardhshme, me qëllim “formulimin e qëndrimeve të përbashkëta”. (Amna)
© Panorama.al











