Papademos: Pranoni masat, ose falimentojmë në mars

Jan 6, 2012 | 12:16
Kryeministri grek, Lukas Papademos

Greqia mund të mbijetojë deri në mars, më pas falimenton, nëse nuk bihet dakord për paketën e re të huas, e cila parashikon masa të tjera të ashpra kursimi.
Kryeministri grek, Lukas Papademos, ka paralajmëruar grekët se nevojiten shkurtime të tjera në të ardhurat e tyre, si mënyra e vetme që vendi të mbetet në eurozonë dhe të marrë më shumë financime nga kreditorët ndërkombëtarë. Kjo do të shërbente për të evituar falimentimin ekonomik, që në të kundërt pritet të ndodhë në mars. “Ne duhet të heqim dorë nga pak në mënyrë që të mos humbasim shumë”, tha Papademos, sipas një transkriptimi të fjalimit të tij drejtuar sindikatave dhe liderëve të biznesit. Bisedimet në fund të janarit më zyrtarët nga Bashkimi Europian, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Qendrore Europiane, të ashtuquajturit trojka, do të fokusohen në një plan të besueshëm ekonomik për periudhën 2012-2015. “Pa këtë marrëveshje me trojkën dhe financimet që e pasojnë atë, Greqia në mars përballet me rrezikun e falimentimit të menjëhershëm”, tha Papademos. I caktuar në fillim të nëntorit për të drejtuar një qeveri emergjente krize, Papademos po përpiqet të përfundojnë faljen e gjysmës së borxheve nga kreditorët privatë, pjesë e planit të ri të shpëtimit të vendit, i cili përfshin gjithashtu edhe huan deri në 130 miliardë euro. Vendi duhet të shlyejë një këst borxhi prej 14.4 miliardë eurosh më 20 mars. Nën termat e paketës së dytë të ndihmës për Greqinë, investitorët duhet të falin 50 për qind të vlerës nominale prej 206 miliardë eurosh të borxheve të marra nga privatët. Papademos, 64 vjeç, po drejton një qeveri teknike, pasi Gjermania dhe Franca paralajmëruan vitin e kaluar se nuk do të jepnin më asnjë cent ndihmë apo borxh për Greqinë, nëse vendi nuk nënshkruante paketën e re, për të cilën u ra dakord më 26 tetor në Bruksel. Pas miratimit të kësaj pakete, Kryeministri i atëhershëm grek, Jorgo Papandreu, njoftoi papritur mbajtjen e një referendumi, i cili do të vendoste nëse populli binte dakord me masat e reja të kursimit apo jo, dhe praktikisht, nëse Greqia do të qëndronte në eurozonë. Pas presioneve nga Brukseli, Papandreu e tërhoqi idenë e referendumit dhe humbi detyrën si Kryeministër. Me gjithë programet që po zbatohen tashmë prej dy vjetësh me shkurtime pagash e ulje pensionesh si dhe rritje taksash, FMN-ja vlerëson se deficiti i borxhit të Greqisë është rreth 9 për qind e produktit të prodhimit vendës (GDP), krahasuar me 10.6 për qind që ishte në vitin 2010.

Shtyhet kësti
Greqia priste të merrte një këst të fundit nga paketa e re e ndihmës, e arritur në vitin 2010, i cili fillimisht u tha se do të jepej në dhjetor 2011. Por “kësti i ri i borxhit, i cili duhej të jepej në dhjetor, u shty deri në mars për shkak të diskutimeve mbi paketën e re të ndihmës”, kështu u shpreh para reporterëve  Olivier Bailly, zëdhënësi i BE-së.

Zgjedhjet
Partia më e madhe opozitare në Greqi, Demokracia e Re, ka bërë thirrje për të mos pranuar më shkurtime pagash e rritje taksash dhe bën thirrje për zgjedhje të reja. Sipas një sondazhi të dhjetorit, ajo ka 21 për qind të mbështetjes së votuesve, krahasuar me 13 për qind që ka PASOK. Rreth 8 në 10 grekë thanë se liderët e vendit duhet të bëjnë çfarëdo të jetë e nevojshme për të mbetur në euro, sipas po të njëjtit sondazh. Kreu i Demokracisë së Re, Antonis Samaras, po vazhdon presionin për të mbajtur sa më shpejt zgjedhje të reja. Ai kërkon që populli të votojë në fund të marsit, por ministri i Financave, Evangelos Venizelos tha se zgjedhjet e reja mund të mbahen në fund të prillit.

© Panorama.al

Te lidhura