
“Birra Korça” u është bashkuar mbi 90 kompanive të tjera pjesëmarrëse në panairin ndërkombëtar “Agrobiznes 2011”, i cili u çel dje dhe do të qëndrojë i hapur ditët në vazhdim. E njohur nga të gjithë si birra e parë shqiptare dhe për cilësinë e saj të shkëlqyer, “të certifikuar” nga degustatorë ndërkombëtarë, stenda e “Birrës Korça” është kthyer në një epiqendër vizitash. Në hapjen e panairit, shumë prej vizitorëve kanë preferuar të bëjnë një “gëzuar” me birrën e parë shqiptare. Stenda e “Birrës Korça” pati, mes të tjerëve, edhe dy vizitorë të veçantë, ministrin e Bujqësisë, Genc Ruli dhe kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Ministri Ruli, në fjalën e tij, e ka cilësuar “Birrën Korça” si ndër të preferuarat e tij, por njëkohësisht vuri theksin edhe në investimin që kompania ka bërë për ta kthyer fabrikën në një fabrikë model. “E kam vizituar edhe te fabrika e saj, e cila është sa e bukur, aq dhe moderne dhe, pa dyshim, mbase do

të quhet reklamë, por unë e kam ndër birrat e preferuara”, tha ministri. Qytetarët, të cilët nuk kanë mundur që të vizitojnë panairin “Agrobiznes 2011” dhe të shijojnë, mes të tjerash, edhe “Birrën Korça”, kanë mundësi ta bëjnë këtë përgjatë ditës së sotme dhe të nesërme. Tashmë, pjesëmarrja e “Birrës Korça” në evenimente të tilla, si panaire kombëtare apo ndërkombëtare, është kthyer në një traditë, mjaft e suksesshme madje. Këtë më së miri e tregon konsolidimi i vazhdueshëm në treg, por edhe zgjerimi i eksporteve që “Birra Korça” ka pasur përgjatë këtij viti. Pak kohë më parë, kompania që ka marrë përsipër eksportin e birrës drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, paraqiti edhe shifrat mbi eksportin që tregonin një rritje të interesit dhe të konsumit në “Tokën e Premtuar”.
certifikimi
Birra Korça ka marrë vlerësime të shumta lidhur me cilësinë e saj, por kjo garanci cilësie nuk mbetet vetëm në rangun e fjalëve. Birra e parë shqiptare prej vitesh mban certifikatën ISO 22000. Kjo certifikatë i jepet vetëm atyre kompanive të cilat garantojnë cilësinë e prodhimit në nivele maksimale dhe teknologjinë e përdorur nga prodhuesit më të fundit bashkëkohore.
Panairi, promovim produkteve shqiptare
“Agrobiznes 2011” është panairi ndërkombëtar i cili zhvillohet për të nëntin vit radhazi, duke synuar nxitjen e biznesit vendës për promovimin e produkteve shqiptare të sektorit bujqësor, blegtoral dhe agropërpunimit. Ministria e Bujqësisë e konsideron këtë si panairin e vetëm më të rëndësishëm ndërkombëtar në fushën e agroindustrisë në vend. Ky panair vjen si vazhdimësi e panaireve lokale të organizuara gjatë vitit, ku prodhues/fermerë, përpunues prezantojnë e përballen me zhvillimet e fundit të industrisë, me blerës potencialë, investitorë apo edhe donatorë që operojnë në fushën e bujqësisë. Panairi do të qëndrojë i hapur deri nesër dhe do të ofrojë për vizitorët shërbime dhe servirje të produkteve tipike shqiptare.
3 ditë
do të qëndrojë i hapur panairi ndërkombëtar “Agrobiznes 2011”. Vizitorët e panairit mund të shijojnë gjatë këtyre ditëve edhe “Birrën Korça” në stendën e ngritur posaçërisht për këtë aktivitet.
90 kompani
nga Shqipëria dhe Kosova marrin pjesë në panairin ndërkombëtar “Agrobiznes 2011”, i cili zhvillohet për të nëntin vit radhazi si një aktivitet që promovon biznesin vendës.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











