Vizitorë ka. Blerës po ashtu (po të shohësh me kujdes). Ka polemika, prapaskena, të qena, të stisura. Edhe tituj të rinj ka, megjithëse duhet të përqendrohesh fort për t’i gjetur. Por më shumë se gjithçka, Panairi i Librit në Tiranë këtë vit ka përdorim politik dhe dyndje shkollash.
Dita e hapjes së panairit u përqendrua e tëra në pasqyrimin e shkëlqimtë e në atë të errët për Kurbanin e kryetarit të opozitës. Me kohën dhe hapësirën që ka pasur në dispozicion të jetë publik e i lexueshëm më shumë se një libër, Rama vështirë se surprizon me përmbajtjen e librit, ama vëmendja drejt tij eklipsoi gjithë të tjerët që prisnin të vinin në kokë kurora lavdie nga këto që prodhon panairi.
Çudia e dytë e këtij evenimenti, që supozohet të jetë një lloj tregu e negociatash për të drejtat e autorëve, shitjet, shpërndarjen dhe promovimin e librave, nuk ka të bëjë me asnjë nga elementet konceptuale të ekzistencës së panairit, por me vizitorët që ai pati këtë vit: fëmijët. Ata të shkollave. Madje dhe fillore. Të enjten paradite pati disa shkolla, kurse të premten paradite ishte e pamundur të depërtoje në ambientet e panairit. Nga të gjitha anët vërshonin fëmijë me dhe pa uniforma, nga shkolla publike e jopublike, që vraponin sikur sapo të kishin fituar lirinë e lëvizjes, bërtisnin mrekullisht në kor për gjëra të ndryshme, pa lidhje me librat, shtynin e shtypnin njëri-tjetrin dhe vizitorët, e nxitonin shkallëve për në kat të dytë, “se aty është kafja”. Një furnitor djersiste duke ngjitur shkallët me kolitë e pijeve të gazuara, që fluturonin nga banaku në duart e fëmijëve brenda pak sekondash. Ata që duket se ishin në klasat e epërme të nëntëvjeçares shtriqeshin shkallëve duke rrëkëllyer në mënyrë demonstrative kanoçe me pije energjike. Mësueset (përherë femra), mundoheshin të mblidhnin grupet e shpërndara e të përziera. As nxënësit nuk i afroheshin stendave, as mësueset nuk merrnin mundimin, as kishin mundësinë të shfletonin apo dëgjonin vajzat që rrinin pas tryezave me libra. Le që ç’të thonë vajzat? Ato, çmimet dhe zbritjet mirë i dinë. Për kaq paguhen. Apo?!
Debati shtrihet në publik dhe në rrjetin social. Ç’do të thotë ky vërshim i fëmijëve në Panairin e Librit? Se sheshi “Nënë Tereza” ishte mbushur me autobusë që vinin nga të katër anët e kryeqytetit e lumi i vizitorëve të vegjël nuk kishte të mbaruar. Sipas gjasave, në regjistrin e klasave përkatëse, vizita do hyjë në aktivitetet ekstra-kurrikulare. Nëse panairi do t’u ishte i dedikuar librave për fëmijë, nuk do të kishte vend as për vëzhgim, as për koment. Edhe sikur në panairin ekzistues, me atë numër librash për fëmijë që ka, sërish do të ishte e pranueshme dhe inkurajuese pjesëmarrja e tyre, po të dihej se me qëllim po i drejtohej turma e të vegjëlve panairit. Por, të shohësh se si në vend të librave fëmijët vrapojnë në kërkim të akulloreve, koka-kolës e pijeve energjike, nuk ka se si të mos ndjesh trishtim.
Panairi po trajtohej njëlloj si të gjitha qendrat e tjera tregtare dhe në fakt, as në pamje nuk ka ndonjë ndryshim të madh nga to. Pak të rritur, shumë fëmijë, pak interes e akoma më pak blerje. Titujt që shiten numërohen lehtë. E mes tyre nuk dukej se bënin pjesë librat për fëmijë. Dhe s’kanë si të bëjnë, përderisa as vëmendja e tyre, as e të rriturve që i shoqërojnë në shkollë apo shtëpi nuk e kapërcen dot tregtinë politike, kalimin e orëve të mësimit apo përmbushjen sipërfaqësore të një detyrimi që i prek kaq shumë fëmijët.
Në ka aftësi për të cilën fëmija ndikohet shumë, është të lexuarit. Fëmija mund të nxitet thjesht dhe mjaftueshëm drejt leximit aq sa të kërkojë vetë të shkojë në bibliotekë, librari apo edhe panair, mjaft që ta mësosh që të vogël me magjinë e librit. Por, nëse turmat e kalamajve çohen në panair libri për ekskursion, nuk ka si të shpresohet se kjo përqasje ndaj librit do të ndikojë në dëshirën e fëmijëve për lexim.
E mira do të ishte që së pari, ndikimi të ishte te të rriturit, për të cilët edhe zhvillohet ky panair. Por, duke vëzhguar si titujt, ashtu edhe konsumatorët potencialë të tyre, është e pamundur të ngelen gjallë shpresat se marrëdhëniet me librin do të forcohen tani apo do të trashëgohen më tutje.
Përveç emrave që mbartin me vete politikë dhe ndikim publik afatshkurtër, autorët shqiptarë blihen pak stendave të panairit. Arsyet mund të kërkojnë studim më vete, por përveç familjarëve, miqve, studentëve apo njerëzve që janë të detyruar të blejnë librin e një autori shqiptar, interesi i publikut që nuk lidhet drejtpërdrejt me autorin është i vakët. Frikshëm i vakët. Madje vihet re edhe një tërheqje e menjëhershme nga pikat ku autorët shqiptarë dominojnë. Këta modernët të paktën.
Kurse fëmijët as që vënë re fare se ka autorë me kombësi të ndryshme, që vijnë po aq mistershëm në shqip sa edhe shumë prej autorëve shqiptarë.
Librat profesionalë e akademikë blihen nga një grup i caktuar. Shumica blejnë politikisht, letërsia lëngon dukshëm; po atëherë, përse bëhet gjithë ky panair?
Justifikimi më bindës duket se bie në kategorinë e argëtimit; politik, mediatik, social e tani edhe fëminor. Ky duket si një panair që librin nuk e lë të flasë vetë, por përmes politikës e keqpërdorimit të aktiviteteve për fëmijë.
I përdoruri panair.
© Panorama.al












