
Maxhoranca pret që opozita të hedhë hapin e parë, duke votuar në Kuvend disa nga kodet që kërkojnë 84 vota. PD-PS, pranë akordit për ngritjen e komisionit të reformës zgjedhore. Ngritja e komisionit të reformës zgjedhore do të miratohet në Parlament, vetëm pasi opozita të ketë dhënë shenja të qarta të bashkëpunimit në Parlament.
Burime pranë negociatorëve të dy forcave politike bëjnë të ditur për gazetën se palët janë shumë pranë arritjes së akordit për nisjen nga puna të ndryshimit të Kodit Zgjedhor mbi bazën e 52 rekomandimeve të OSBE/ ODIHR. Mësohet gjithashtu se maxhoranca pret që të jetë pikërisht opozita që hedh hapin e parë, duke votuar në Parlament disa nga kodet që kërkojnë 84 vota dhe më pas të votohet ngritja e komisionit për reformën elektorale. Disa prej këtyre kodeve kanë ndryshime të karakterit teknik dhe kanë qëndruar pezull në Kuvend vetëm për shkak të qëndrimit politik të Partisë Socialiste për të mos votuar ligjet e qeverisë. Do të jenë pikërisht këto kode, votimi i të cilave do të bëjë të mundur nisjen e punës për reformën. Burimet bëjnë të ditur gjithashtu se vëmendja e opozitës, më shumë sesa te amendamentet e Kodeve, do të përqendrohet në projektligjin për ngritjen e Gjykatës Administrative. Për këtë draft, opozita ka pasur vazhdimisht një sërë pretendimesh, të cilat pritet të kthehen në amendamente konkrete që do të shqyrtohen nga maxhoranca, fillimisht në Komisionin e Ligjeve dhe më pas në seancë plenare.
Bisedimet
Pas insistimit të Ambasadës Amerikane në Tiranë dhe Prezencës së Bashkimit Europian, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë përafruar qëndrimet e tyre dhe kanë gati një draft që pritet të votohet në Kuvend për ngritjen e komisionit të reformës zgjedhore. Fillimisht, dy forcat kryesore politike që do të përbëjnë edhe shumicën e komisionit parlamentar, kanë rënë dakord që të mos diskutojnë për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Sipas demokratëve, ndryshimi i sistemit nuk është nga 52 rekomandimet që kanë bërë ndërkombëtarët pas zgjedhjeve të vitit 2009-s dhe 2011-s. Megjithëse partitë e vogla si nga e djathta ashtu edhe nga e majta kanë bërë presion për ndryshimin e sistemit, për shkak se ato janë të disfavorizuara, PD dhe PS duket se ka vendosur që të mos bëjnë asnjë hap në këtë drejtim. Pjesë e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore do të jenë dhe partitë e tjera parlamentare dhe ato jo parlamentare që kanë marrë një përqindje të caktuar votash, ndërsa nuk do të kenë të drejtë vote. Ata do të japin mendimet dhe propozimet e tyre në komision, ndërsa do të jenë dy partitë e mëdha, PS e PD, në bashkëpunim me OSBE dhe Komisionin e Venecias, që do të vendosin rreth këtyre propozimeve. Burimet pranë negociatorëve bëjnë të ditur se në draftin që pritet të votohet në Kuvend, do të përcaktohet afati i punës së komisionit nga nëntori deri në fund të muajit mars, kohë kur produkti përfundimtar do t’i kalojë Parlamentit për votim.
Konsensusi
Mbledhja e djeshme e Komisionit të Ligjeve shënoi një tjetër konsensus mes PD-së dhe PS-së. Deputetët e opozitës kërkuan të shtyhet diskutimi i ligjit “Për bankat”, për shkak se u duhej më shumë kohë në dispozicion, propozim i cili u pranua nga maxhoranca. “Ne kemi sot projektligjin për bankat në Republikën e Shqipërisë. Besoj se ju kanë informuar edhe kolegët e Komisionit të Ekonomisë dhe të Financave, në mbledhjen e fundit është rënë dakord me konsensus ndërmjet dy palëve për ta shtyrë, sepse grupi ynë parlamentar kërkon pak kohë për ta diskutuar projektligjin. Unë kam ardhur ta sjell palën tonë që ta shtyjë për një kohë të nevojshme për të diskutuar ndryshimet e qeverisë”, u shpreh Majko.
Axhenda e PS, sot në Kuvend
Partia Socialiste do të depozitojë sot në Komisionin e Ligjeve axhendën për nisjen e diskutimeve të projektligjeve që kërkojnë 84 vota. Burime nga selia rozë bëjnë të ditur se propozimi i opozitës për datat e secilit diskutim do të depozitohet gjatë mbledhjes së sotme të këtij komisioni, kur ai të nisë diskutimin për disa ndryshime në ligjin e arsimit të lartë. Dy ditë më parë, Komisioni i Ligjeve miratoi kalendarin e punës 3-javore, sipas të cilit gjatë kësaj periudhe do të diskutohen dhe më pas do t’i dërgohen seancës parlamentare për votim kodet me 3/5 e votave. Diskutimet e kodeve pritet të nisin javën e ardhshme.
Ligjet me 84 vota
Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë (3 nisma)
Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë (3 nisma)
Kodi Detar i Republikës së Shqipërisë (2 nisma)
Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë
Kodi Hekurudhor i Republikës së Shqipërisë
Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë
Projektligj “Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative”.
Projektligj “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8653, datë 31.07.2000, “Për ndarjen administrative-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”
Adi Shkembi
© Panorama.al











