Marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë kanë ndezur debatin mes pozitës dhe opozitës në Kosovë, të cilat i vlerësojnë në mënyra të ndryshme këto marrëveshje.Sipas pozitës (PDK-së së Thaçit), ato janë një kthesë në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa sipas partisë më të madhe opozitare, LDK-së, marrëveshjet i kanë shërbyer vetëm Serbisë. Opozita kërkon që qeveria t’i sjellë marrëveshjet në Kuvend dhe të shpalosë në detaje përmbajtjet e tyre. Ndërkohë, shefja e Diplomacisë europiane, Katerine Ashton, u takua dje me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, ku tha se Bashkimi Europian pret jetësimin e shpejtë të marrëveshjeve të arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ajo i ka inkurajuar të dyja palët që të vazhdojnë dialogun për çështje të telekomunikacionit, kadastrës dhe energjisë. Pas takimit ata mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat, ku u tha se kishin diskutuar për situatën në Kosovë, raportet e Kosovës me BE-në, e sidomos për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit. “Qëllimi i këtij dialogu është që të dyja palët të jenë më afër BE-së, që të përmirësojnë koordinimin dhe, ç’është më e rëndësishmja, që të përmirësojnë jetët e njerëzve. Kjo është ajo çka ne synojmë, prandaj pres implementimin e shpejtë të këtyre marrëveshjeve dhe gjithashtu shpresoj që dialogu do të rezultojë tutje, siç është për çështjet e telekomunikacionit, kadastrës dhe energjisë”, tha Ashton. Kryediplomatja e BE-së ka inkurajuar kryeministrin Thaçi që ta shfrytëzojë kontributin e EULEX-it në komponentin e Policisë e të Drejtësisë. “Dua të them se të gjitha këto marrëveshje lidhur me lirinë e lëvizjes janë të dobishme për të dyja palët dhe nuk kanë nevojë që të heqin dorë nga asgjë, përkundrazi, janë të dyja palët që kanë përfituar shumë. Ne duam që Kosovën ta shohim sa më afër Europës dhe mund të them se rezultatet janë inkurajuese”, theksoi Ashton.
Stefanoviç: Kosova nuk do të jetë kurrë shtet
Kreu i ekipit negociator serb në bisedimet me Kosovën, Borisllav Stefanoviç, ka deklaruar se “Kosova për Serbinë nuk është shtet, as do të jetë ndonjëherë”. Ai tha se marrëveshjet nuk do të thonë njohje indirekte e pavarësisë së Kosovës. “Pasaportat që na imponoi si zgjidhje Prishtina nuk kaluan. Nëpër rrugët tona nuk do të ketë makina në stemën e së ashtuquajturës Republikë e Kosovës”, citohet ai në “Novosti”, duke numëruar “përparësitë” e marrëveshjes për palën serbe.
Udhërrëfyesi
Ministrja e Integrimeve Europiane në Kosovë, Vlora Çitaku, shprehu besimin se këtë vit Kosova do të pranojë Udhërrëfyesin zyrtar për liberalizim. “Kosova është e vetëdijshme se kriteret që na janë imponuar janë shumë më të rrepta në këtë fazë, por ky fakt nuk mund të paraqesë arsyetim për të mos ecur përpara me reforma”, tha ajo.
© Panorama.al











