
SHKODER- Rikthim të mbiemrave dhe arsimimin në gjuhën amtare janë dy kërkesat e minoritetit malazez në Shqipëri të vendosur në Shkodër. Në një raport të Deutsche Welles në shqip, thuhet se minoriteti malazez me rreth 30 mijë banorë të vendosur në Shkodër dhe në disa fshatra të Malësisë së Madhe deri në afërsi të kufirit, megjithëse integruar natyrshëm në shoqërinë shqiptare, ka pretendimet e veta modeste, si arsimimin në gjuhën amtare dhe rikthimin e mbiemrave tradicionalë familjeve minoritare.
Sipas DW, banorët e këtij minoriteti kërkojnë nga qeveria shqiptare, por edhe nga ajo malazeze, që të angazhohen seriozisht dhe t’i marrin në konsideratë kërkesat e bëra nga këto pakicat kombëtare, si një e drejtë legjitime, që ka të bëjë me trashëgiminë e të parëve
“Kërkesat tona janë shumë, por më kryesorja mendojmë se është ajo që ne të fitojmë atë, që kemi humbur vite më parë, pra të na njihet prejardhja, ajo e mbiemrave, ashtu siç i kemi patur dikur. Tjetër gjë që kërkojmë ne është edhe mësimi i gjuhës amtare. Problem ky, që ne e kemi ngritur edhe tek qeveria malazeze, duke patur edhe mirëkuptimin e qeverisë shqiptare. Ne kërkojmë që të hapet edhe një fakultet në gjuhën malazeze, i cili ka për t’i shërbyer këtyre njerëzve, që janë një numër jo i vogël në rrethin e Shkodrës. Kjo do të thotë që edhe fëmijët të mësojnë gjuhën mëmë, atë që kanë patur prindërit dhe gjyshërit e tyre. Shpresojmë se do ta realizojmë edhe këtë objektiv”, thotë Pavel Mihajli përfaqësues i këtij minoriteti.
Bashkia e Shkodërs, ndërkaq po harton strategji dhe programe të reja në drejtim të plotësimit të kërkesave të këtyre komuniteteve të vogla etnike
Minoriteti serbo- malazez, është i vendosur prej kohësh në rajonin e Shkodrës. Anëtarët e këtij komuniteti, njihen si serbo-malazezë me bindje fetare ortodokse dhe si podgoriçanë me bindje fetare myslimane. Numri aktual i familjeve minoritare serbo-malazeze, është i vogël, por ato ruajnë karakteristikat dhe identitetin etnik, celebrojne festat tradicionale, ruajnë zakonet, traditat e kulturën e tyre amtare, si dhe bashkekzistencën me pjesën tjetër të popullatës në rajonin verior të Shqipërisë.
© Panorama.al











