Pafajësi sekretarit të Ministrisë

Jan 6, 2012 | 12:37

Spartak Gjini, ish-sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punës

Tiranë, Gjykata anulon dënimin me 5 vjet burg për Spartak Gjinin.

Spartak Gjini, ish-sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, i akuzuar për “korrupsion”, është deklaruar i pafajshëm nga Gjykata e Tiranës. Ai akuzohej se në kohën kur ka qenë kryetar i komisionit të ofertave për prokurimet në këtë ministri, ka bërë “korrupsion” duke shpallur fituese të një prokurimi në vitin 2007 një firmë të paracaktuar prej tij. Një vendim i shpallur vetëm pak ditë para ndërrimit të viteve i ka hequr ish-sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë “barrën” e dënimit me burg. Pas njëzet e pesë seancash gjyqësore, gjykata e vlerësoi të paprovuar akuzën ndaj tij. Gjykata ka vendosur: “Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Spartak Gjini, i akuzuar për veprën penale ‘korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike në bashkëpunim’. Kthimin e provave materiale të sekuestruara të pandehurit Spartak Gjini. Shpenzimet gjyqësore në lidhje me të pandehurin Spartak Gjini i ngarkohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë”. Kështu thuhet në dispozitivin e vendimit të shpallur nga gjyqtari Shkëlqim Mustafa. Referuar burimeve zyrtare të Gjykatës së Tiranës, në seancën e konkluzioneve përfundimtare, përfaqësuesi i prokurorisë kërkoi deklarimin e fajshëm të Gjinit dhe dënimin e tij me 5 vjet burg. Në atë vendim thuhej se gjykata ka urdhëruar “deklarimin fajtor të të pandehurit Spartak Gjini për veprën penale ‘korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike’ në bashkëpunim dhe dënimin e tij me 5 vjet burgim dhe 2 100 000 lekë gjobë, si dhe heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për një kohë prej 3 vitesh”, thuhej në kërkesën e akuzës. Ndërsa mbrojtësi i Gjinit kishte kërkuar deklarimin e pafajshëm të klientit të tij.
RIGJYKIMI I GJINIT
Spartak Gjini u rigjykua nga “zero” në Gjykatën e Tiranës, në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Lartë të korrikut 2010. Ky vendim i Gjykatës së Lartë prishi vendimin e 2 majit 2008 të Gjykatës së Tiranës, sipas të cilit Gjini u dënua me 2 vjet e 6 muaj burg. Njëkohësisht Gjykata e Lartë prishi edhe vendimin e Apelit të 17 dhjetorit të atij viti, që e kishte lënë në fuqi Shkallën e Parë dhe e ktheu çështjen për rishqyrtim. Në gjykimin e parë, të bashkëpandehur në të njëjtën dosje me Gjinin ishin edhe Llambi Tarka e Fiqiri Pali. Për këta dy të pandehur, të cilët u deklaruan fajtorë nga Shkalla e Parë dhe Apeli, Gjykata e Lartë, me vendimin e korrikut 2010, nuk pranoi rekursin. “Të paarsyetuara mbi prova janë vendimet e gjykatave edhe në pjesën që bën fjalë për bashkëpunimin ndërmjet të pandehurve Spartak Gjini dhe Llambi Tarka, pasi në dosje nuk rezulton ndonjë provë apo indicie që ta vërtetojë këtë bashkëpunim, pasi edhe në përgjimet e përdorura si prova nga ana e gjykatave nuk rezultojnë të tilla që të provojnë bashkëpunim ndërmjet këtyre dy personave”, arsyetonte Gjykata e Lartë. Spartak Gjini, së bashku me disa persona të tjerë, u arrestua në ditët e para të nëntorit 2007, pas hetimeve të prokurorisë në lidhje me tenderin e rikonstruksionit të Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.

40 mije euro
dyshohet se ka qenë shuma e ryshfetit që është paguar nga kompania private për t’u përzgjedhur fituese në tenderin e Ministrisë. Pagesa e ryshfetit është mbikëqyrur me përgjim nga policia.

Armand Bajrami

© Panorama.al

Te lidhura