Paditi Prokurorinë, Gjykata rrëzon ish-ministrin Pango

May 29, 2011 | 12:00

Gjykata e Tiranës rrëzoi ankimin e Ylli Pangos, ish-ministrit të Kulturës, kundër një vendimi të Prokurorisë në lidhje me skandalin seksual ku ai u përfshi në mars të vitit 2009.Bëhet fjalë për vendimin e Prokurorisë së Tiranës, për mosfillim të ndjekjes penale ndaj drejtuesve të programit televiziv “Fiks Fare”. Gjykata ka vendosur: rrëzimin e kërkesës penale nr.100 Akti, datë regjistrimi 27.09.2010, që i përket kërkuesit Ylli Pango”, thuhet në dispozitivin e vendimit të togave të zeza. Vendimi i rrëzimit të kërkesës së ish-ministrit është shpallur pak ditë më parë nga gjyqtarja Arjana Caco, pas 18 seancash gjyqësore. Kërkesa e Pangos, e depozituar në Gjykatë në shtator të vitit 2010, kishte për objekt “kundërshtim i vendimit të Prokurorisë”. Pak më herët, Prokuroria kishte vendosur pushimin e procedimit penal ndaj tij si edhe drejtuesve të emisionit “Fiks Fare”. Pas rreth 9 muaj hetimesh, që pas publikimit të një videoje ku Pango shfaqej duke kërkuar favore seksuale në këmbim të një vendi pune, Prokuroria e pushoi ndjekjen penale. Nga hetimet e deriatëhershme, përfaqësuesit e akuzës konstatuan se në veprimet e palëve mungonin elementët e veprës penale. Por, ish-ministri e kundërshtoi këtë vendim. Ai iu drejtua gjykatës me kërkesë për kundërshtimin e vendimit të pushimit, duke pretenduar se Prokuroria duhet të niste ndjekjen penale ndaj personazheve të videos dhe drejtuesve të emisionit “Fiks Fare”. Shfaqja e videos  të ish-ministrit Pango në emisionin e 4 marsit 2009 të programit “Fiks Fare” shkaktoi një reagim të vrullshëm në vend. Pamjet tregonin ish-ministrin në ambientet e brendshme të shtëpisë së tij, teksa tentonte t’i hiqte veshjet e brendshme një femre, e cila do t’i dorëzonte dokumentet për nisjen e një pune. Vetëm pak minuta pas transmetimit të pamjeve, kryeministri Berisha e shkarkoi Pangon nga funksioni i ministrit.

 

Armand Bajrami

© Panorama.al

Te lidhura