Partitë politike mbingarkojnë Prokurorinë me dosje të panevojshme. Dhjetëra padi dhe kallëzime penale të bëra me bujë në Prokurori nga përfaqësuesit e forcave politike janë pushuar e harruar dhe askush më nuk kujtohet për to.Shumica e padive të depozituara në Prokurorinë shqiptare bëhen nga politikanët, personalisht ndaj njëri-tjetrit, ndërkohë që PS apo edhe Bashkia e Tiranës kanë praktikuar vitin e fundit edhe paditë ndaj institucioneve, si Partia Demokratike, Gjendja Civile apo Policia e Shtetit. Burimet zyrtare të Prokurorisë thonë se të gjitha kallëzimet e politikanëve apo forcave politike janë verifikuar dhe kanë marrë zgjidhje ligjore. Megjithatë, të njëjtat burime thonë se nuk ka ndodhur në asnjë rast, që padi të bëra nga partitë apo nga politikanët të kenë rezultuar me hetime dhe më pas me dërgim në gjykatë me akuza konkrete. Në rastin më të mirë, padia bëhet formalisht sa për të krijuar idenë se pala paditëse është e hapur dhe e gatshme të përballet e madje se ka fakte në favor të saj, saqë ia beson ato drejtësisë. Në rastin më të keq, paditë lënë për të dëshiruar qoftë në formulim, po ashtu edhe në faktet që paraqesin kur shpeshherë objekti i denoncimit nuk përbën vepër penale, provat për akuzën që bëhet mungojnë tërësisht apo një sërë mangësish të tjera.
Loja me paditë
Deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj, ka paditur së fundmi Gjendjen Civile dhe drejtorin e saj, Armand Teliti, si dhe disa krerë njësish bashkiake në Tiranë, në lidhje me listat e zgjedhësve. Është e njëjta situatë që krijohet si në vitin 2009, kur, pak javë para zgjedhjeve, i njëjti deputet dorëzoi në Prokurori padi penale për abuzime me listat e zgjedhësve nga Ministria e Brendshme. Kjo dosje është pushuar dhe sot nuk ka asnjë hetim. Po kështu është pushuar edhe dosja e hapur pas deklaratave të bëra nga Gramoz Ruçi në Parlamentin e Shqipërisë, teksa tregoi në mënyrë demonstrative para publikut ato që ai pretendoi se ishin dy apo tri karta identiteti për një person të njëjtë. Fati i padive politike në Prokurori duket se është i vendosur që në fillim. Subjekti politik fillimisht njofton median elektronike dhe më pas i dërguari për kallëzimin mbërrin në Prokurori. Pasi sigurohet se të gjitha mediat janë të pranishme aty dhe se kamerat janë ndezur dhe po e fiksojnë, përfaqësuesi politik i radhës me një dosje në dorë shkon dhe hyn në Prokurori. Është bërë praktike tashmë që, pas një qëndrimi 15 apo 20-minutësh në zyrat e Prokurorisë, politikanët dalin prej andej dhe japin një deklaratë për median, duke pretenduar për “prova dhe fakte”. Më pas, askush nuk interesohet për kallëzimet e bëra me bujë në Prokurori. Është organi i akuzës që detyrohet më pas të caktojë oficerë dhe prokurorë që verifikojnë deri në fund kallëzimin dhe më pas vendosin ta pushojnë atë siç ndodh në 99 për qind të rasteve apo të fillojnë hetimet siç pothuajse nuk ndodh asnjëherë.
Padite politike
2 dhjetor 2009
Bashkia e Tiranës padit Partinë Demokratike dhe ministrin e Transporteve, Sokol Olldashi, në lidhje me deklaratat për shitjen e “Taivan”. Dosja e pushuar, asnjë interesim apo reagim nga PS
8 qershor 2010
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike dorëzoi në mesditë në Prokurorinë e Përgjithshme kallëzimin penal ndaj deputetit të Partisë Socialiste, Tom Doshi, për kanosje me jetë të deputetit Gent Strazimiri.
Njëherësh deputeti i PS, Taulant Balla, padit kryeministrin Sali Berisha në Prokurorinë e Përgjithshme, pasi pretendoi se më 22 korrik 2008, në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë, Berisha më ka kërcënuar me vrasje.
24 gusht 2010
Bashkia e Tiranës padit në Prokurori për shpifje 6 deputetë të PD, Luçiano Boçi, Gerti Bogdani, Albana Vokshi, Mesila Doda, Rajmonda Bulku. Dosja e pushuar, asnjë reagim apo interesim nga PS
11 Shkurt 2011
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike paditi deputetin e Partisë Socialiste, Armando Prenga, i cili akuzohet se goditi për shkak të detyrës deputetin Edi Paloka.
Në të njëjtën datë, grupi parlamentar i Partisë Socialiste paditi ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami, se i ka kërcënuar deputetët e PS. Paditë të pushuara, asnjë reagim nga partitë.
21 mars 2011
Deputeti i PS, Taulant Balla, depozitoi padi në Prokurori ndaj ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, në lidhje me ngjarjet e 21 janarit. Kjo padi iu shtua një kallëzimi të mëparshëm ndaj ministrit, drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe kreut të Policisë së Tiranës. Materialet e kësaj padie janë arkivuar nga Prokuroria.
4 prill 2011
Deputetja e PS, Ledi Shamku, padit kryetarin e Njësisë Nr.10 në Prokurori. Shamku ia adresoi padinë kryetarit Blendi Fuga dhe shefes së gjendjes civile të kësaj Njësie, Marjeta Muça, duke i akuzuar se po manipulojnë me dashje listat e zgjedhësve për zgjedhjet vendore.
28 prill 2011
PS dorëzon dy kallëzime penale në Prokurori për ndjekjen penale të drejtuesve dhe punonjësve të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile në Ministrinë e Brendshme dhe një tjetër për tre drejtuesit e njësive vendore. Padia për tre drejtuesit e njësive vendore, Ilir Kokona, Luzhiana Abazi dhe Blend Fuga.
Paditë për shpifje, politikanët nuk paraqiten, gjyqet pushohen
TIRANE – E njëjta situatë sikurse me paditë në Prokurori paraqitet edhe me ankimet e bëra në gjykatë nga politikanët. Prej vitesh, duke iu referuar deklaratave apo akuzave të ndezura politike, protagonistët e debateve kanë bërë padi ndaj njëri-tjetrit në gjykatë, me akuzën e “shpifjes”. Por në asnjë rast, gjykatat nuk kanë arritur që mbi këto padi të shpallin fajtor ndonjë politikan për shpifje. Rasti më i fundit është ai i ministres së Integrimit, Majlinda Bregu. Vitin që shkoi, ajo paditi në gjykatë deputetët e PS, deputetët Olta Xhacka Eduart Shalsi Ilir Beqja dhe Ermonela Felaj. Paditë në gjykatë ndaj deputetëve të PS, i referoheshin disa deklaratave të bëra nga opozita në adresë të ministres së Integrimit, Majlinda Bregu. Me pretendimin se thëniet në adresë të saj ishin shpifje, ministrja depozitoi padi në gjykatë duke kërkuar edhe shlyerjen e dëmit të shkaktuar nga prishja e imazhit. Pas dorëzimit të padive, gjykata filloi shqyrtimin e tyre dhe më pas caktoi seancat gjyqësore, por palët nuk u paraqitën dhe për rrjedhojë proceset civile u pushuan. Ndër paditë për shpifje, i vetmi rast që po ndiqet nga politikanët është procesi i hapur në Gjykatën e Lartë nga kryetari i PS, Edi Rama, ndaj kryeministrit Sali Berisha. Duke iu referuar akuzave të bëra mbi aspektet familjare në Parlament, Edi Rama e paditi Berishën fillimisht në Prokurori. Pasi organi i akuzës vendosi pushimin e hetimeve, kreu i PS bëri ankim në Gjykatën e Lartë duke kërkuar rifillimin e hetimeve për shpifje. Në këtë proces, Rama e Berisha janë paraqitur rregullisht të përfaqësuar nga avokatët mbrojtës me prokura. Një dosje e mëparshme në të cilën Rama kishte paditur Berishën është pushuar në Gjykatën e Lartë, ndonëse palët u paraqitën rregullisht në proces.
Trazhgim Sokolaj
© Panorama.al











