
TIRANE – Zv.ministri i Kulturës, Nikollë Lesi, qëndroi dje për më se dy orë në Prokurorinë e Tiranës, ku ka paditur për kanosje ish-kryeministrin e Shqipërisë, Fatos Nanon. Lesi ka mbërritur në Prokurorinë e Tiranës rreth orës 10:50 me një fuoristradë gri “Mercedes-Benz-ML”. Më pas ai ka ngjitur shkallët e Prokurorisë, duke ndaluar në zyrën e prokurorit të çështjes në katin e katërt të godinës së organit të akuzës. Burimet nga Prokuroria kanë thënë se paraqitja e Nikollë Lesit ka ndodhur për shkak të hetimeve në lidhje me padinë që ai ka bërë ndaj ish-kryeministrit Fatos Nano lidhur me disa mesazhe kërcënuese në telefon. Jozyrtarisht mësohet se pasi është interesuar për çështjen, Nikollë Lesi ka dëshmuar para hetuesve detaje të ngjarjes, duke ndaluar edhe në marrëdhëniet e tij të mëparshme dhe përplasjet që ka pasur me ish-kryeministrin Fatos Nano. Lesi ka lënë Prokurorinë rreth orës 13:00, ndërkohë që organi i akuzës do të vazhdojë më tej procedurat e hetimit në lidhje me këtë çështje. Më 20 dhjetor 2011, kryetari i Lidhjes Demokristiane të Shqipërisë dhe njëherësh zv.ministri i Kulturës, Nikollë Lesi, ka bërë padi në Prokurorinë e Tiranës, duke pretenduar se ka marrë mesazhe kërcënuese dhe tepër fyese nga numri celular 0692026969. Padia e bërë nga Nikollë Lesi e orienton hetimin drejt ish-kryeministrit Fatos Nano, i cili në kallëzimin penal të Lesit cilësohet si mbajtës i numrit telefonik celular, nga i cili kanë mbërritur mesazhet. Pasi mori padinë e Nikollë Lesit, së bashku me tri mesazhe telefonike, Prokuroria shqyrtoi materialet dhe vendosi të regjistrojë procedim penal për akuzën e kanosjes, por pa theksuar ndonjë emër personi konkret. “Në telefonin celular të kallëzuesit janë marrë 3-4 mesazhe të mbërritura mes datave 10-18 dhjetor”, kanë thënë burimet e Prokurorisë së Tiranës. Sipas tyre, veç mesazheve kërcënuese, sms-ja i fundit përmbante një kërkesë për falje “për mesazhet e mëparshme”, ku theksohej se fyerjet e kanosjet nuk kanë qenë të qëllimshme. Prokuroria mësohet se do të verifikojë juridikisht pronësinë e numrit nga i cili Nikollë Lesi ka marrë mesazhe, ndërsa publikisht në deklaratë për median, ish-kryeministri Fatos Nano ka pohuar se prej vitesh nuk ka komunikuar me zv. ministrin e Kulturës Nikollë Lesi.











