Pacolli zhvlerëson Hoxhajn, nis lobime me shpenzimet e veta

May 9, 2011 | 13:56

Behgjet Pacolli, pak ditë pasi pranoi postin si zëvendëskryeministër i parë i Kosovës i ngarkuar për politikën e jashtme, i ka zhvlerësuar aktivitetet e fundit të ministrit të Jashtëm, Enver Hoxhaj. Sipas tij, në Nju-Jork dhe Riad nuk kryhet puna e duhur për njohje. Ish-presidenti i Kosovës tha se lobimi bëhet nëpër shtete veç e veç. Pacolli u zotua se do të vizitojë disa shtete me shpenzimet e veta. “Ministri i Jashtëm ka udhëtuar për në Arabinë Saudite. Unë asnjëherë nuk do të udhëtoja në një mision të tillë, ku është pothuaj një mision protokollar dhe nuk do të kishte sens vizita ime atje. Unë do të shkoja në ato shtete ku kemi nevojë”, ka thënë Pacolli për “Gazeta Express”. Pacolli theksoi se udhëtimet qe do t’i bëjë, do t’i mbulojë vetë. “Unë dua të kursej edhe shpenzimet e rrugës dhe dua që t’i grumbulloj disa shtete, t’i vizitoj ato me një turne. Dhe po pres edhe disa termine që të më konfirmohen. Ju e dini se unë drejtpërsëdrejti targetoj njerëzit që mund ta ndihmojmë këtë proces”, tha Pacolli. Edhe gjatë kohës që ka qenë pjesë e opozitës , në mandatin e kaluar të kryeministrit Hashim Thaçi, Behgjet Pacolli është spikatur për një numat të konsiderueshëm njohjesh të Kosovës, me lobimin e tij.

© Panorama.al

Te lidhura