Me dorëheqjen e parevokueshme të Faruk Sejdinit nga stoli i skuadrës së Dinamos, të gjithë menduan se zëvendësuesi i “Xhaxhit” do të ishte zv.trajneri, Artan Mërgjyshi. Menjëherë pas ndeshjes me Kastriotin, kur edhe tekniku u largua, administratori i përgjithshëm i bluve në një farë mënyrë emëroi Mërgjyshin si trajner të parë dhe e konfirmoi një gjë të tillë. Por vetë tekniku, i cili edhe më parë në drejtimin e bluve, ka deklaruar se nuk ka marrë asnjë sinjal zyrtar nga drejtuesit blu për të qenë zyrtarisht në pjesën e mbetur të kampionatit në krye të stolit dinamovit. “Jam informuar nëpërmjet medias se jam emëruar zyrtarisht trajneri i parë te Dinamo. Ende asnjë nga drejtuesit nuk më kanë thirrur për të ma bërë të ditur një gjë të tillë. Ndoshta kanë menduar të më bëjnë të ditur gjithçka përpara nisjes së stërvitjes, ditën e hënë”, është shprehur ai.











