Oseku: Dua ta harroj të kaluarën, po gjurmët mbeten

Jan 20, 2012 | 14:42

Piktori Ali Oseku

“Kam qenë në burg dhe kam punuar 20 vjet si punëtor, por edhe atëherë mendoja si artist”

Në atë hapësirë plot dritë, ku puthen perëndimet dhe dëgjon zhaurimën e detit, poeti me mjekrën e bardhë ngjan me një filozof. Kjo përshtypje e parë, e cila forcohet nga paqtia që të dhurojnë peizazhet me ngjyra të ngrohta, ku duket sikur të përskuq dielli, sikur të rreh era, sikur ndjen rrezet që depërtojnë pas një reje gri e formojnë me qindra nuanca…, nuk është e gabuar. Ali Oseku jeton si një filozof, i përkushtuar pas telajos dhe leximit. Dje në mbrëmje, piktori hapi ekspozitën e tij personale me 81 punë që datojnë prej vitit 2001 e këtej.

Janë peizazhe që krijojnë një gjendje të fortë shpirtërore, ku objektet shkrihen në ngjyrë. Objektet janë shumë të rralla, syri nuk të zë pemë, male, det, fusha, edhe pse ato në të vërtetë janë dhe ti e ndjen se janë aty. Mikpritëse të kësaj ekspozite janë tri hapësira të reja artistike, që ndodhen te Kullat përballë Parlamentit, të cilat u janë vënë në shërbim artistëve nga pronari i tyre, Renis Tërshana. E një ndër ta është edhe Oseku, që kësaj here ndan me publikun gjurmë dhe hapësira. “Kujtime, ndjesi, insistime në memorien e gjithkujt, ose shumë personale që dua t’ju dhuroj të tjerëve dhe vetë të shkarkohem nga ngarkesat e viteve, të përkthyera në shenja, në materiale koloristike, si në ëndrra të vërteta në bashkëbisedim me vetveten, intim dhe i sinqertë në ditët më të mira, ku ndodhem jo rastësisht, por përherë i vërtetë”, thotë Oseku.
Ju shpesh thoni se nuk keni kohë për ekspozita, por sërish tundoheni… Ç’ju tërhoqi kësaj here?
Unë jam nga ata piktorë që kam hequr dorë nga gjithçka tjetër dhe i jam dedikuar vetëm pikturës dhe leximit. Me thënë të drejtën, tashmë përtoj të merrem me ekspozita. Jashtë ekspozitat organizohen nga galeritë private ose shtetërore, kurse këtu gjithçka duhet bërë vetë. Një vit më parë ekspozova në Galerinë Kombëtare të Arteve, ndërsa kam marrë pjesë në ekspozita të tjera në grup. Kjo ekspozitë erdhi si rrjedhojë e dashamirësisë së treguar nga Renis Tërshana, mik i artistëve, i cili tri hapësira i ka vënë në dispozicion të piktorëve shqiptarë. Do të ketë një kalendar aktivitetesh që do të promovojnë artistë të vjetër e të rinj. Ishte një rast i rrallë që nuk duhej humbur. Miqtë e mi ma lanë mua radhën të mbushja këto hapësira.
Si u ngjiz ky cikël?
Zgjodha nga punët që kisha në studio 81 tablo, të cilat shkonin në të njëjtën linjë. I përkasin viteve të ndryshme, që nga 2001-shi e këtej. I kam përzgjedhur në mënyrë të tillë që jo vetëm të kenë lidhje me njëra-tjetrën, por edhe të përfshija edhe formatet e vogla. U bënë vite tashmë që merrem me grupimin e pikturave, duke krijuar disa syresh që kanë unitet, që kanë një gjuhë, një fjalë, duke dalluar për nga gjendjet emocionale të ndryshme.
Tashmë jam 68 vjeç dhe arti, piktura, më duket shumë e bukur. E rëndësishme është të kuptohet se ç’të vërtetash ka Ali Oseku. Fati im është që momentet shpirtërore t’i shënoj nëpër telajo. Ashtu si jam unë, është edhe piktura ime. Duke punuar përditë krijohet eksperiencë. Mua më pëlqen letërsia, poezia, filozofia, muzika dhe i qëndroj idesë që piktura duhet të jetë pak romantike, meditative. Ajo herë bëhet transparente, herë qiell, herë diell, perëndim, herë kozmike… por, ajo për të cilën unë përpiqem është të jem i vërtetë.
Duke parë punët tuaja sheh se prej 2001-shit ndiqni këtë linjë, kjo është e vërteta juaj?
Kur arrin moshën time duhet t’i hysh problemeve thellë, të mos jesh i cekët. Duhet që piktura të mos ketë kohë, të jetë misterioze, ashtu siç është edhe jeta në ndryshim të vazhdueshëm.
Unë herë bëhem më abstrakt, herë më figurativ, ndonjëherë vendos ndonjë objekt, ndonjë kub, për ta bërë akoma më metafizike, por e rëndësishme është të jetë njerëzore. Kjo pikturë është jeta ime, historia ime… do ishte bukur që ajo të më ngjante. Ideja është shkak për mua, por çështja është si i thua ato. Unë dua të jem i vërtetë, jo i stisur. Ajo për të cilën luftoj është të kuptoj se çfarë është arti. Më bën përshtypje një tingull i bukur, një qiell i bukur, një fjalë e mençur, jeta më pëlqen…
Çka të godet menjëherë në punët tuaja janë ngjyrat e ngrohta me dritë… Kaq optimist jeni për jetën?
Jeta është shumë e ngatërruar, por ia vlen për ta jetuar. Unë e dua jetën, familjen time, miqtë, Shqipërinë. Edhe unë jam patriot në mënyrën time, duke hedhur në telajo peizazhin shqiptar, me mal, me det, diell… Ndërkohë që investoj për veten, për të parë muzetë, për të bërë sa më shumë miq. Kam miq Pushkinin, Turgenjevin, Gogolin, Shekspirin, Shellin…
Ka mjaft artistë që janë shumë të lidhur me të kaluarën e tyre dhe e risjellin vazhdimisht në krijimtari. Ju gjithashtu keni një të kaluar të dhimbshme, por që duket sikur nuk zë shumë vend, të paktën në këtë cikël punësh…
Po është e vërtetë… Unë kam qenë në burg dhe kam punuar 20 vjet si punëtor, por edhe në burg mendoja si artist. Gjithçka e kam fiksuar në memorien time. Ajo kohë nuk harrohet, është brenda vetes sime, por unë nuk kam kohë të merrem me to, dua të punoj…
Ju duken “qaramanë” artistët që evokojnë ato kohë?
Do të doja ta harroja ata periudhë dhe kam aq forcë e kurajo për ta bërë… Mos është më mirë të qaj, sesa të pikturoj?! Unë nuk dua të merrem më me këto gjëra, dua të punoj dhe të bëj gjëra që më bëjnë të ndihem rehat…
Megjithatë, gjurmët mbeten, ju keni edhe një cikël të titulluar kështu, apo jo?
Po, gjurmët patjetër. Hafizi, një poet persian, ka një poezi të mrekullueshme. Për mua nuk ka rëndësi se kur e ka shkruar, por vlera e saj. I kishte vdekur një mike atij dhe kur i thonë hajt të shkojmë te varri, ai i thotë varri nuk është atje, është këtu (në zemër). Janë brenda gjërat… Ndaj edhe mjeshtërit nuk i mësojnë nxënësit, ata bëjnë atë që dinë… Këtë u them edhe studentëve të mi: Unë nuk jam profet, do të mësojmë bashkë…
Meqë jemi te studentët, si e shihni brezin e ri, ka lëndë?
Oh, lëndë ka plot. Në këtë vend që jemi ne, me këtë diell që djeg në janar, nuk mund të mos ketë lëndë, talent, veçse do punuar shumë. Apo nuk kemi vajza të bukura! Dhe ku ka bukuri, ka edhe frymëzim, edhe poezi… Veçse njerëzit duhen edukuar, duhen mësuar të bëjnë gjëra të bukura.

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura