Presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi se Europa po përballet me një “gjendje emergjence gjeopolitike dhe gjeo-ekonomike”, duke rrezikuar të mbetet pas SHBA-së dhe Kinës nëse nuk përshpejton reformat dhe investimet.
Në një intervistë për The Economist, përpara samitit të BE-së mbi konkurrueshmërinë, ai u bëri thirrje liderëve europianë të veprojnë më shpejt për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të ulur varësinë nga jashtë.
Macron propozoi katër drejtime kryesore: thjeshtimin e rregulloreve të BE-së, diversifikimin e furnitorëve dhe forcimin e rolit ndërkombëtar të euros, zbatimin e një “preferencë europiane” për industri strategjike si mbrojtja dhe çeliku, si dhe rritjen e ndjeshme të investimeve në inovacion.
Ai mbështeti gjithashtu idenë e eurobondeve për të ardhmen, për të financuar mbrojtjen, teknologjitë e gjelbra dhe inteligjencën artificiale.
“Të gjithë duhet ta kuptojnë se kriza që po përjetojmë është një përçarje e thellë gjeopolitike”, tha Macron.
Megjithëse disa masa tashmë po lëvizin në drejtimin e propozuar nga Franca, si programet e përbashkëta të prokurimit të mbrojtjes, idetë e Macron po hasin kundërshtime. Gjermania, Italia dhe disa vende nordike druhen se rregullat e “blerjes europiane” mund të çojnë në proteksionizëm dhe të largojnë investimet.
Macron i hodhi poshtë këto kritika, duke argumentuar se synimi është të mbrohen kompanitë europiane nga konkurrenca e padrejtë. Ai theksoi gjithashtu nevojën për bashkëpunim më të fortë në mbrojtje dhe paralajmëroi se Europa po përballet me një “çarje të thellë gjeopolitike”, në një kohë kur marrëdhëniet me SHBA-në dhe Rusinë janë gjithnjë e më të tensionuara.
“Nuk mendoj aspak se kjo është proteksioniste”, argumenton ai, duke deklaruar se thjesht dëshiron t’i kursejë firmat evropiane duke “mos u imponuar atyre rregullat që nuk ua imponojmë importuesve”.
Pavarësisht skepticizmit dhe dobësisë së tij politike në vend, paralajmërimi i Macron se Europa po vepron shumë ngadalë dhe është tepër e fragmentuar gjen jehonë në shumë kryeqytete europiane, ndërsa koha për reforma po shteron.
© Panorama.al












