OSBE: Reforma zgjedhore, nevojë urgjente

Nov 10, 2011 | 15:20
Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Eugen Vollfarth

TIRANË- Kreu i prezencës së OSBE-së në vendin tonë, ambasadori Eugen Volfarth ka kërkuar sot nga politika të kalojë nga fjalët në vepra dhe të realizohet sa më shpejt reforma zgjedhore.

Gjatë një deklarate për mediat, ai apeloi për ngritjen sa më shpejt të komisionit parlamentar për reformën zgjedhore dhe përgëzoi palët politike për sjelljen dhe dialogun që kanë zhvilluar ditët e fundit.

Sipas tij, duhet t’i hiqet vizë të shkuarës në interes të qytetarëve, pasi Shqipëria ka nevojë urgjente për reformën zgjedhore.

“Vërej se procesi i reformës zgjedhore ende nuk ka marrë udhë plotësisht. Tani, është koha që t`i hiqet një vijë të shkuarës, në interes të të gjithë qytetarëve shqiptarë. Tani është koha që partitë politike të mbajnë fjalën, me veprime të vërteta dhe konkrete. Shqipëria ka nevojë urgjente për një reformë zgjedhore” tha ai.

Ambasadori shprehet për nxitje të palëve për të bërë edhe atë hap të mbetur, në mënyrë që procesi i reformës zgjedhore të mund të fillojë, më në fund.

© Panorama.al

Te lidhura