Ortekët bllokojnë qarkullimin në rrugën e Qafë Thores në Shkodër, rrezik i lartë për udhëtarët! Kryebashkiaku Beci: Shmangni lëvizjet në këtë aks (VIDEO)

Jan 14, 2026 | 14:10

Rënia e ortekëve në malësinë e Shkodrës nuk ka kaluar pa pasoja.

orteket theth

Rruga panoramike e Qafë Thores është bllokuar për qarkullim në një segment prej 5,5 kilometrash dhe paraqet rrezik të lartë për udhëtarët.

Lajmin e ka konfirmuar edhe vetë kryebashkiaku Benet Beci, nëpërmjet një postimi në rrjetin Facebook, ku lajmëron edhe nisjen e punës për hapjen e saj.

“Si pasojë e rritjes së temperaturave dhe ndikimit të rrezeve të diellit në shpatin malor, është riaktivizuar rënia e ortekëve në zonën e tuneleve panoramike në Qafë Thore, duke bllokuar segmentin rrugor rreth km 5.5. Aktualisht, ndërhyrja për pastrim paraqitet e rrezikshme, deri në stabilizimin e borës në shpatin malor. Për këtë arsye, është urdhëruar ndërprerja e çdo përpjekjeje për largimin e borës nga ortekët”, shprehet i zgjedhuri vendor për situatën.

Ndalimi i qarkullimit do të vijojë deri në një situatë dhe njoftim të dytë.

Borëpastrueset dhe punonjësit janë në terren për të operuar, teksa Beci këshillon qytetarët që të shmangin lëvizjet në atë aks.

“Duke vlerësuar situatën e krijuar dhe nivelin e lartë të rrezikshmërisë, qarkullimi në Qafë Thore ndërpritet për të gjitha llojet e automjeteve, deri në një njoftim të dytë. Strukturat përgjegjëse mbeten në monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe do të informojnë qytetarët për çdo zhvillim të mëtejshëm. Ju lutemi të shmangni lëvizjet në këtë aks dhe të respektoni udhëzimet e autoriteteve për sigurinë tuaj”, shprehet kryebashkiaku.

© Panorama.al

Te lidhura