“Opozitës i krijuam hapësirë”- Peleshi: Kuvendi pati debate të personalizuara e fyerje, por ne dëshmuam forcë dhe etikë! Mbyllja e negociatave, rrugë e vështirë

Jan 16, 2026 | 12:50

Kryeparlamentari Niko Peleshi mbajti fjalën e tij në mbledhjen e jashtëzakonshme dhe maratonë të Grupit Parlamentar Socialist që u mbajt sot te Pallati i Brigadave.

Në hyrje të fjalës së tij ai lexoi rezultatet e arritura nga sesioni parlamentar i vitit të kaluar dhe shpalosi synimet për sesionin e ri.

Kryeparlamentari deklaroi se është spekuluar shumë me hapësirat e opozitës në Parlament, gjë që nuk qëndron, sepse ai ia kishte krijuar këto hapësira, pavarësisht deformimeve mediatike.

“U miratuan në Kuvend ligje që kanë në qendër të vëmendjes integrimin në BE, ekonominë, zhvillimin e vendit. Kemi dhënë edhe hapësirë opozitare, i është krijuar hapësirë opozitës përtej spekulimeve mediatike dhe perceptimit të deformuar që është krijuar”, tha ai.

Gjithashtu Peleshi nënvizoi forcën e mazhorancës përballë sjelljes opozitare në Kuvend, deri në debate të personalizuara dhe fyerje, por falënderoi kolegët socialistë për forcën e dëshmuar dhe etikën.

“Falenderoj grupin e PS për përgjegjshmërinë e përballimit të kësaj pune, shpesh edhe jo në kushte normale dhe jashtë kulturës parlamentare për fat të keq. Kemi qëndruar pavarësisht fyerjeve, debateve të personalizuara, duke dëshmuar se nuk është dobësi, por dëshmi force. Ndihem i nderuar në këtë detyrë, për standardin evropian dhe etik. Ne respektojmë dhe reflektojmë standardet etike dhe parlamentare, sikur vendet e anëtarësuara në BE”, vijoi kreu i legjislativit.

peleshi

Peleshi tha se synimi i Shqipërisë është arritja e mbylljes së negociatave në vitin 2027 dhe më tej anëtarësimi në BE më 2030. Ai shpalosi edhe objektivat e sesionit të ri në Kuvend.

“Shqipëria pati ritmin më të shpejtë të hapave të integrimit në BE, si me negociatave, ashtu dhe grup-kapitujve. Objektiv mbetet vetëm mbyllja e këtyre negociatave, në dukje objektiv i lehtë, por që është i vështirë dhe duhet një ritëm, që duhet ta them, i frikshëm. Është një datë, viti 2027 që duhet arritur dhe është vendosur bashkë me BE”, theksoi kryeparlamentari.

Ndër arritjet e sesionit të kaluar, ai kujtoi zgjedhjen e Avokatit të Popullit, kurse në prioritetet e të ardhshmit përmendi mes të tjerash lirinë e medias, statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ligjet për integrimin evropian, transparencën dhe deri tek hartimi i arkivave të Kuvendit me Inteligjencë Artificiale.

“Kuvendi zgjidhi një ngërç trevjeçar me Avokatin e Popullit, duke e zgjedhur atë, si dhe çështjet e disa Komisioneve Rregullatore dhe Inspektoriateve. Ligjet dhe projektligjet për integrimin në BE do të jenë prioritet në sesionin e ri parlamentar. Gjithashtu liria e mediave, drejtësia, statusi i gjyqtarëve dhe prokurorëve, do përshtatet ligji për Komisionet Hetimore sipas vendimit të Kushtetueses, do ndryshohet ligji për mbrojtjen dhe diskriminimin, ligji për veprimtaritë lobuese, gjithashtu do arrihet realizimi i reformës Zgjedhore dhe Territoriale, duhet punë e përbashkët që të mos ngecin dhe të ecin para dhe këtë do e synojmë gjatë këtij sesioni”, shtoi ai.

Peleshi nënvizoi edhe faktin se Kuvendi synon sa më shumë transparencë, sipas standardeve të BE-së dhe roli i mbikëqyrjes së Kuvendit:

“Transparenca do jetë një tjetër synim i këtij sesioni, si dhe rregullimet për statusin e deputetit, deri te arkivimi i punimeve parlamentare, me inteligjencën artificiale, sipas standardeve të BE-së, që të jenë të aksesueshme për të gjithë, pasi në të kundërt ato nuk janë, pasi ka shumë volum, punë, ligje e dokumente. Do forcohet roli i mbikëqyrjes së Kuvendit, për transparencë dhe llogaridhënie. Do intensifikojmë dhe diplomacinë parlamentare, pasi nëse gjërat shkojnë siç duhet deri më 2027 me integrimin do nisë puna për bashkërendimin parlamentar mes vendeve”.

© Panorama.al

Te lidhura