
Fjalime në Akademinë e Arteve, pas homazheve të heshtura
Opozita do të zhvillojë një marshim proteste dhe homazhe para Kryeministrisë në njëvjetorin e vrasjes së katër protestuesve. Axhenda u konfirmua dje gjatë një takimi që kreu socialisti zhvilloi me disa nga aleatët e tij kryesorë të opozitës. Në mesditë, kreu demokristian, Nard Ndoka, kreu i Demokracisë sociale, Paskal Milo, socialdemokrati Skënder Gjinushi, kreu i PSV ‘91 Petro Koçi, kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela dhe koordinatori i Opozitës, Preç Zogaj, diskutuam rreth mënyrës së organizimit të homazheve të opozitës. Kreu socialist kërkoi që homazhet të zhvilloheshin të qeta, me lule, qirinj dhe pa marrë përmasat e një tubimi proteste. Sipas tij, duhet respektuar fryma e re që ka përfshirë politikën shqiptare, larg aksionit të fortë politik dhe në respekt dhe të dhimbjes së familjarëve që kanë humbur të dashurit e tyre. Disa nga aleatët e Ramës kanë kërkuar që homazhet të mos jetë “memece”, por të ketë fjalë të tyre në vendin ku do të bëhen homazhet, për të bërë dhe një ballafaqim të këtij viti politik dhe pamundësinë e zbardhjes së tragjedisë ku humbën jetën katër protestues. Sipas tyre, duhet të ketë fjalime të forta për të luajtur rolin që i takon opozitës, veçanërisht kur përkujtohen viktimat e një proteste të madhe të organizuar nga opozita. Por, kryesocialisti, duke i njohur me axhendën e aktiviteteve të 21 janarit, u ka treguar atyre se një takim, ku do të ketë dhe fjalime, do të zhvillohet pas homazheve.
Ftesa
Aleatët e PS, të ndodhur dje në zyrën e Edi Ramës, morën ftesën që selia rozë ka përgatitur për këtë ditë. Pas homazheve që do të zhvillohen para godinës së Kryeministrisë, do të ketë një takim në sallën e Akademisë së Arteve me logon, “Drejtësi për 21 janarin”. Në orën 12:00, politikanë, këshilltarë bashkiakë të Tiranës, krerë socialistë, deputetë, familjarë të viktimave, por dhe protagonistë apo të arrestuar nga policia më 21 janar 2011, do të risjellin në vëmendje orët e protestës, momentet e ndalimit nga policia dhe rrëfime nga persona që ishin afër viktimave. “… U vranë me armë tre njerëz të paarmatosur, pra të pafajshëm, qytetarë të shtetit demokratik shqiptar e njëkohësisht tre qytetarë të ardhshëm të Bashkimit Europian… pa hyrë ende në këtë shtëpi të përbashkët, kemi cenuar programin e saj, atë program që me sinqeritet dhe përkushtim e kemi shpallur si programin tonë”. Ky është teksti i ftesës që Partia Socialiste ka përgatitur për të gjithë ata që do të marrin pjesë në takimin përkujtimor të protestës me viktima të 21 janarit 2011, tekst i marrë nga një deklaratë e Ismail Kadaresë më 3 shkurt 2011, pak ditë pas vrasjes së protestuesve. Pas takimit të mbyllur, ku nuk do të mungojnë dhe pamjet e asaj dite përmes videoprojektorit, të ndarë në grupe, drejtues të opozitës do të zhvillojnë vizita dhe në familjet e katër viktimave.
Homazhet
Partia Socialiste ka parashikuar pothuaj të njëjtin skenar me atë të homazheve të zhvilluara më 28 janar, një javë pasi katër protestues humbën jetën. Krerët politikë të opozitës, këshilltarë dhe të zgjedhur politikë, deputetë, do të takohen te selia e PS dhe që aty, me një lule në duar, do të nisen në një marshim të heshtur përmes bulevardit “Dëshmorët e Kombit” drejt godinës së Kryeministrisë. Në vendin ku më 21 janar humbën jetën Ziver Veizi, Aleks Nikaj, Faik Myrtaj e Hekuran Deda do të jenë vendosur fotografitë e tyre të mëdha, ndërsa një tendë e madhe do të ndërpresë qarkullimin në bulevard. Pranë fotove të tyre do të vendosen lule dhe qirinj, ndërsa njerëzit do të lëvizin në mënyrë rrethore, për t’u lënë hapësirë të gjithë qytetarëve që do të mbërrijnë aty ditën e shtunë. Socialistët kanë kërkuar pjesëmarrje të madhe të qytetarëve, por porosia është dhënë që ata të jenë të qetë, për të shmangur çdo lloj provokimi që mund të vijë nga persona të pakontrolluar. Gjithashtu, homazhe dhe vizita do të zhvillohen në familjet e viktimave dhe nga strukturat lokale të PS në rrethe.
Pak ditë më parë, Këshilli Bashkiak i komunës Kolsh i dha titullin “Qytetar Nderi” Aleks Nikës, ish-banor i kësaj komune, i cili u vra në bulevard më 21 janar. Ky titull gjeti konsensusin edhe të këshilltarëve demokratë në këtë këshill, ndërsa pritet vetëm firmosja e prefektit të Lezhës.
Ekspozita
Në oborrin para selisë rozë është hapur një ekspozitë fotografike me momente nga protesta e 21 janarit. Përmes fotografive risillen në vëmendje momentet e protestës, ndërhyrjet e policisë, viktimat në rrugë, por dhe homazhet e bëra aty një javë më pas. Këto foto pritet të përdoren dhe të shtunën gjatë homazheve që do të zhvillohen në njëvjetorin e protestës dhe humbjes së jetës së katër protestuesve. Një javë më parë, pas konventës së Forumit Rinor Eurosocialist, ekspozita u vendos në bulevard, ku të rinjtë rikujtuan momentet e protestës.
Preç Zogaj: Të nxitim drejtësinë
Opozita e Bashkuar u bëri ftesë shqiptarëve që të marrin pjesë në homazhet që do të zhvillohen në respekt të katër protestuesve të vrarë në protestën e 21 janarit të vitit të shkuar. “Sot partitë e Opozitës së Bashkuar u mblodhën për 21 janarin. Do të organizojmë një homazh ditën e shtunë për të kujtuar katër protestuesit e vrarë një vit më parë, Hekuran Dedën, Ziver Veizin, Faik Myrtajn dhe Aleks Nikën. I ftojmë qytetarët e Tiranës dhe të Shqipërisë që të marrin pjesë në këtë homazh në mënyrë që me praninë e tyre të mbështesin dhe të nxitin zbardhjen e kësaj tragjedie nga ana e Prokurorisë, vendosjen e drejtësisë, shlyerjen e kësaj njolle historike në trupin e demokracisë shqiptare. Me këtë rast, në emër të partive të opozitës dëshiroj të përshëndes edhe njëherë qëndrimin e djeshëm të trojkës së ambasadorëve, të cilët i quajtën të pafalshme vrasjet e 4 qytetarëve. Dhe ashtu është, të pafalshme qenë dhe presim me padurim që Drejtësia të thotë fjalën e saj për këto vrasje tragjike”, bëri thirrje Zogaj.
Libri i ri: Fatmir Xhafaj, një libër për 21 janarin
Sekretari i Çështjeve Ligjore në PS, Fatmir Xhafaj dhe Kosta Bajraba, me rastin e 21 janarit, publikuan një libër me titull “21 janari, një histori e papërfunduar”. Sipas autorëve, “21 janari përfaqëson, pra, një praktikë shkeljesh ligjore, të cilat ndodhën para, gjatë dhe pas ngjarjes. Mjaft prej shkeljeve ndodhën për shkak të mungesës së profesionalizmit të forcave të Policisë dhe të Gardës. Një intensitet i tillë shkeljesh të ligjit, në një kohë mjaft të shkurtër, mund të kishte prodhuar pasoja edhe më tragjike nëse demonstruesit do t’i ishin përgjigjur shtetit me të njëjtën monedhë. Por, fatmirësisht, qytetarët nuk ranë në kurthin që kishte ngritur qeveria, për të marrë peng këtë ngjarje”, shkruajnë autorët e librit. Duke rimarrë termat e përdorur nga Kryeministri Berisha, Xhafaj shprehet se “fabulat e ‘puçit’ dhe ‘grushtit të shtetit’ u ndërtuan pikërisht për të marrë peng ngjarjen dhe justifikuar dhunën ndaj demonstruesve. Por, demonizimi që qeveria u përpoq t’i bëjë asaj mori trajta komike dhe fjalori qeveritar filloi të përdorej si shprehje për të mbushur boshësinë dhe mërzinë e jetës urbane. Dukej sikur qeveria i kishte gati reagimet e parafabrikuara për ngjarjen”, shprehen autorët.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al












