Shumë shtete amerikane kanë nisur hetime ndaj OpenAI dhe, në këtë kuadër, i kanë kërkuar kompanisë së inteligjencës artificiale të japë informacion. Sipas gazetës Wall Street Journal, kërkesa lidhet me të dhënat e përdoruesve të aplikacionit të inteligjencës artificiale ChatGPT, veçanërisht të të miturve dhe të moshuarve.
Letra është dërguar nga Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James, duke përfaqësuar një numër të konsiderueshëm shtetesh amerikane, sipas raportimit të WSJ.
“Ne i marrim shumë seriozisht shqetësimet e ngritura nga prokurorët e përgjithshëm të shteteve dhe synojmë të bashkëpunojmë në mënyrë konstruktive me ta”, deklaroi një përfaqësues i OpenAI për Agjencinë Franceze të Lajmeve (AFP).
Kompania që krijoi ChatGPT përsëriti se ka forcuar mekanizmat e sigurisë për të miturit që përdorin aplikacionin, si dhe për përdoruesit që shfaqin probleme psikologjike.
“Inteligjenca artificiale është një teknologji e re dhe e fuqishme”, theksoi përfaqësuesi i OpenAI. “Ne punojmë çdo ditë për të ofruar akses në përfitimet e saj, në mënyrë të përgjegjshme”.
Në fillim të qershorit, Prokurori i Përgjithshëm i Floridës paditi OpenAI dhe drejtorin e saj ekzekutiv, Sam Altman, për ekspozimin e përdoruesve të rinj ndaj rrezikut.
Padi janë ngritur gjithashtu nga familjarë të adoleshentëve, kryesisht për raste që lidhen me vetëvrasje.
Në janar, Google dhe Character.AI arritën marrëveshje jashtëgjyqësore me familje përdoruesish që kishin ngritur padi.
Në dhjetor, prokurorët e përgjithshëm nga 42 shtete amerikane u kishin dërguar një letër OpenAI, Google, Meta dhe Microsoft, duke u kërkuar të forcojnë kontrollin cilësor dhe mekanizmat e sigurisë për modelet e inteligjencës artificiale.
© Panorama.al












