ODIHR: Zgjedhjet ishin konkurruese dhe transparente

May 11, 2011 | 10:27
Perfaqesuesit e OSBE/ODIHR duke publikuar raportin per zgjedhjet

Misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it publikoi dje raportin paraprak për zgjedhjet e 8 majit. Sipas këtij raporti, “zgjedhjet e 8 majit 2011 ishin konkurruese dhe transparente, por u zhvilluan në një atmosferë polarizimi të lartë dhe mungesë besimi ndërmjet partive në pushtet dhe opozitës”.Për monitoruesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve, dy partitë kryesore nuk plotësuan asnjë nga detyrimet e tyre duke ndikuar negativisht në administrimin e zgjedhjeve. “Si në zgjedhje të kaluara, asnjëra prej dy partive kryesore politike nuk i kreu me përgjegjshmëri detyrat e saj zgjedhore, duke ndikuar negativisht administrimin e të gjithë procesit”, thuhet në raport. Në një konferencë për shtyp në Hotel Sheraton, raporti paraprak i OSBE/ODIHR-it u prezantua nga Jonathan Stonestreet, shef i Misionit të Vëzhguesve Zgjedhorë të OSBE/ODIHR-it, Drew Hyslop, këshilltar i OSBE/ODIHR-it për Zgjedhjet, Hana Richtermocova, kryetare e Delegacionit të Kongresit dhe Antonella Cagnolati, drejtore e Kongresit të Autoriteteve Vendore. Me një qëndrim të unifikuar, si OSBE/ODIHR-i, ashtu dhe Kongresi, e konsideruan të qetë në përgjithësi ditën e zgjedhjeve, por nuk kurseu kritikat për procesin e numërimit të votave.
Votimi dhe numërimi
“Të kalojmë në ditën e zgjedhjeve. Në kundërshtim me periudhën parazgjedhore, dita e zgjedhjeve në vetvete ishte një ditë përgjithësisht e qetë, por procedurat nuk u ndoqën në disa raste. Deri tani vëzhgimi në numërim po vijon mirë, me përjashtime. Numërimi po ecën në mënyrë të ngadaltë, numërimi ka pasur dhe ndërprerje në disa raste. Për këtë proces ne do të nxjerrim një deklaratë përfundimtare dhe kjo do të dalë pas 2 muajsh, ose 6 javësh”, u shpreh kreu i vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it, Jonathan Stonestreet. Sipas tij, vëzhguesit ndërkombëtarë do të qëndrojnë në Shqipëri edhe për dy javë të tjera, deri në përfundim të procesit të numërimit. “Pjesë të rëndësishme e këtij procesi janë ende në vazhdimësi dhe përfundimet varen kryesisht nga këto aspekte të zgjedhjeve, dhe do të nxirren me përafërsi 6 javë më pas”. Sipas OSBE/ODIHR-it, në atë deklaratë përfundimtare do të trajtohen disa çështje dhe disa rekomandime se si do të ketë përmirësime në proceset zgjedhore të ardhshme. OSBE/ODIHR-i theksoi se pati përmi-rësime të dukshme dhe një prej tyre ka qenë puna me listat e zgjedhësve.
Kritikat për KQZ
Në raport theksohet se KQZ funksionoi mirë dhe në mënyrë transparente në anën teknike, kurse në debate, theksohet në raport, polarizimi i lartë partiak solli dhe këtu debate politike dhe vendime politike që më pas u korrigjuan nga Kolegji Zgjedhor. “KQZ funksionoi në mënyrë transparente. Edhe pse pati ndarje të qarta politike, e bëri punën e vet të përgatitjeve teknike të zgjedhjeve, por ky ambient i polarizuar pati ndikim në punën e KQZ, ku diskutimet ishin të një natyre politike dhe vendimet në fund u morën në linja politike, dhe jo në mënyrë kolegjiale. Disa u kthyen pas nga Kolegji Zgjedhor”, u shpreh Stonestreet.

Pikat kryesore te raportit te OSBE/ODIHR

nZgjedhjet e 8 majit 2011 ishin konkurruese dhe transparente, por u zhvilluan në një atmosferë polarizimi të lartë dhe mungese besimi ndërmjet partive në pushtet dhe opozitës.

nSi në zgjedhje të kaluara, asnjëra prej dy partive kryesore politike nuk i kreu me përgjegjshmëri detyrat e saj zgjedhore, duke ndikuar negativisht administrimin e të gjithë procesit.

nDitën e zgjedhjeve, votimi u krye relativisht mirë, edhe pse me vështirësi procedurale, por numërimi u vonua në shumë zona.

nPavarësisht thirrjeve të përsëritura për qetësi nga Presidenti dhe Kryeministri, në shumë bashki dhe komuna gjatë fushatës u vërejt dhunë e lidhur me zgjedhjet.

nAnët pozitive të zgjedhjeve ishin përmirësimi i listave të votuesve, puna e Kolegjit Zgjedhor në marrjen e vendimeve lidhur me ankimimet përpara ditës së zgjedhjeve dhe një mjedis mediatik pluralist.

nKQZ funksionoi në mënyrë transparente dhe, pavarësisht ndarjes së dukshme, i përfundoi përgatitjet teknike për zgjedhjet. Megjithatë, polarizimi pati ndikim në punën e KQZ-së, ku hera-herës diskutimet kishin natyrë të ashpër dhe politike.

nVendimet lidhur me çështjet e debatuara mes dy partive kryesore u trajtuan me tone partiake dhe jo në kolegjialitet. Disa prej këtyre vendimeve nuk ishin të bazuara në Kodin Zgjedhor dhe u rrëzuan pas ankimimit në Kolegjin Zgjedhor.

nKodi Zgjedhor, edhe pse siguron një bazë të detajuar teknike për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike, megjithatë, ai përmban mangësi dhe paqartësi, dhe jo gjithmonë merr parasysh specifikat e zgjedhjeve vendore.

nVonesa në lidhje me emërimin e komisionerëve të zgjedhjeve çuan në mosrespektimin e disa afateve kohore. Partia Socialiste në opozitë (PS) dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ), vonuan caktimin e anëtarëve të komisioneve të nivelit të mesëm, duke e detyruar KQZ-në të ndërhynte në mënyrë që zgjedhjet të vazhdonin sipas kalendarit.

nPas caktimit të tyre, shumica e komisioneve punuan në kolegjialitet gjatë periudhës parazgjedhore. Partia Demokratike në pushtet (PD) dhe PS nuk i emëruan në kohë anëtarët e KQV-ve dhe grupeve të numërimit. Edhe deklaratat e këtyre partive, që vinin në dyshim integritetin e administrimit të zgjedhjeve, dëmtuan besimin e publikut te zgjedhjet.

nAutoritetet janë përpjekur shumë për të përmirësuar listat e votuesve. Megjithatë, një numër i madh votuesish nuk e kanë një adresë të regjistruar, një çështje që vazhdon që prej zgjedhjeve të kaluara.

nNë disa zona pati raste të konfirmuara presioni ndaj nëpunësve publikë për të mbështetur PD-në. Abuzimi me burimet administrative duket se ishte pakësuar ndjeshëm; megjithatë, në pak raste, zyrtarët qeveritarë dhe vendorë i përdorën aktivitetet zyrtare për qëllime fushate.

nZgjedhjet u mbuluan gjerësisht prej medias. Media ofroi një pluralitet pikëpamjesh, duke i ndihmuar votuesit të bënin një zgjedhje të informuar. Megjithatë, mungon media vizive tërësisht e pavarur, me shumicën e kanaleve private të rreshtuar përkrah njërës nga dy partitë më të mëdha.

nSistemi i ankesave dhe ankimimeve lejoi një trajtim të efektshëm të çështjeve gjatë periudhës parazgjedhore. Kolegji Zgjedhor veproi në mënyrë profesionale dhe të paanshme gjatë shqyrtimit të ankimimeve përpara ditës së zgjedhjeve. Megjithatë, Kolegji Zgjedhor nuk e zbardhi vendimin brenda afatit ligjor, me përjashtim të një rasti.

Berisha: Vlerësim për raportin e ODIHR-it

Kryeministri Sali Berisha vlerësoi punën e Misionit të ODIHR-it në vendin tonë dhe vlerësoi raportin e sotëm të këtij misioni për zgjedhjet lokale 2011. “Shpreh vlerësimin tim të palëkundur për raportin e OSBE/ODIHR. Ky proces duhet të plotësohet me transparencë maksimale”, ka deklaruar kryeministri Berisha. Kryeministri po ashtu ka vlerësuar edhe kontributin e medias në këto zgjedhje. “Media ka raportuar vetëm të vërteta”, theksoi kryeministri. Kryeministri ka falënderuar komisionerët e numëruesit për punën e bërë. “Procesi duhet të mbarojë me transparencë”, nënvizoi ai. Kryeministri Berisha theksoi ndër të tjera se çdo votë do të marrë peshën që meriton në përputhje me ligjet e vendit. “Dua të theksoj se një fazë shumë delikate pasi mbetet një pjesë e rëndësishme për t’u kompletuar. Në Tiranë është më vështirë për t`u numëruar sepse është dopio”, theksoi Berisha.

PE: Procesi, i rregullt dhe i administruar paqësisht

Delegacioni ad-hoc i Parlamentit Europian në Shqipëri, i kryesuar nga Eduard Kukan, e që kishte në përbërje disa eurodeputetë, bënë dje një deklaratë lidhur me inspektimin që u bënë zgjedhjeve të 8 majit. Delegacioni vizitoi mbi 35 qendra votimi në Tiranë, Kavajë, Elbasan, Fier, Himarë, Ilias, Gjilek dhe Vlorë, një qendër numërimi në Vlorë dhe qendrën operative të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. “Në qendrat e votimit që ata vizituan, procesi ishte në përgjithësi i rregullt dhe i administruar në mënyrë paqësore. Delegacioni vuri re praninë e vëzhguesve të partive politike në shumicën e qendrave të votimit dhe mirëpriti praninë e vëzhguesve nga shoqëria civile në disa prej këtyre qendrave. Delegacioni vuri re votime familjare, vonesa në hapjen e qendrave të votimit dhe konfuzion në kohën e mbylljes së një sërë qendrash votimi. Radhë shumë të gjata të votuesve u vunë re në shumë prej qendrave të votimit që u vizituan nga Delegacioni. Për më tepër, fakti që numërimi është centralizuar, është vënë në diskutim nga disa prej zonave që u vizituan nga delegacioni. Deputetët e Parlamentit Europian u informuan gjithashtu edhe për vonesat në procedurat e numërimit”, thuhet në deklaratën e Delegacionit të PE-së.

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura