ODIHR: Reforma sa më shpejt, por mos nxitoni

Sep 14, 2011 | 10:50
Rama gjatë takimit me kreun e ODIHR

Misioni i OSBE/ODIHR-it bën thirrje të nisë sa më shpejt puna për reformën zgjedhore. Kreu i delegacionit që vëzhgoi nga afër zgjedhjet lokale të 8 majit, Jonathan Stonestreet, u takua dje në Tiranë me krerët më të lartë të shtetit, ku theksoi se reforma duhet të jetë gjithëpërfshirëse. “Ne shpresojmë që kjo reformë zgjedhore të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur, por sigurisht, nuk ka nevojë të nxitohet dhe shpresojmë që ajo të përfundojë në kohë të mjaftueshme, para zgjedhjeve të ardhshme. Në fakt, ne shpresojmë që kjo reformë zgjedhore të jetë gjithëpërfshirëse – ashtu sikurse tha z. Haxhinasto, – që të përfshijë kontributet e dhëna nga partitë politike nga ato parlamentare dhe joparlamentare dhe autoritetet e tjera që merren me zgjedhjet, si dhe nga organizata e shoqërisë civile”, tha Stonestreet në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto. Gjatë paradites së sotme, kreu i delegacionit të OSBE/ODIHR-it u takua me Kryeministrin Berisha dhe kreun e PS-së, Rama. Gjatë takimit me kreun e Ekzekutivit, Stonestreet ndau të njëjtin mendim se reforma e ardhshme duhet të përfshijë edhe institucionet përgjegjëse, si KQZ dhe organizatat e shoqërisë civile të specializuara në çështjet zgjedhore. “Kryeministri ftoi ODIHR-in dhe Komisionin e Venecias të japin ekspertizën e tyre në procesin e reformës dhe rikonfirmoi qëndrimin se maxhoranca mirëpret propozimet e opozitës, të bazuara në rekomandimet e ODIHR-it dhe të certifikuara nga këto dy institucione prestigjioze. Zoti Stonestreet e mirëpriti ftesën dhe siguroi për gatishmërinë e ODIHR-it që në bashkëpunim me Komisionin e Venecias të asistojnë procesin e ardhshëm të reformës zgjedhore”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë. Ndërsa kreu i PS-së, Rama, gjatë takimit me Stonestreet, tha se “ky raport është një gur themeli për futjen e zgjedhjeve në binarët e duhur, që ndryshe nga raporti i vitit 2009, ndikoi pozitivisht në uljen e tensionit politik me objektivitetin e me qartësinë e tij. Partia Socialiste e konsideron raportin tuaj një ndihmë të çmuar dhe një pikë referimi solide për një reformë që t’u japë fund deformimeve të papranueshme zgjedhore”. Stonestreet u takua gjithashtu me kreun e LSI-së, Ilir Meta, dhe atë të PR-së, Fatmir Mediu.

Topi: Dialog mes partive
Gjatë takimit me Stonestreet, Topi tha se vuri në dukje se klasa politike shqiptare dhe institucionet e larta të shtetit kanë lexuar me vëmendje rekomandimet e bëra nga OSBE/ODIHR-i dhe janë bashkuar në përfundimin se kryerja e reformës zgjedhore është një domosdoshmëri dhe një proces që, për realizimin me sukses të të cilit duhet patjetër rifillimi sa më parë i punës. “Ky fakt thekson edhe një herë nevojën imediate që palët e përfshira në këtë proces, partitë politike e të gjithë aktorët institucionalë, të gjejnë rrugët e komunikimit në mënyrë që të mundësohet një bashkëpunim konstruktiv dhe i përgjegjshëm për të rifituar kohën e humbur dhe për të finalizuar këtë reformë, e cila do t’u garantojë qytetarëve dhe votuesve shqiptarë zgjedhje të lira, të ndershme dhe sipas standardeve demokratike”, u shpreh Topi.

© Panorama.al

Te lidhura